Prishtinë, 31 gusht 2026 19:02
Policia e Kosovës ka bërë apel për kujdes të shtuar në trafik në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, duke theksuar se siguria e këmbësorëve duhet të jetë prioritet.
“Në zonat pranë shkollave është jetike që të gjithë të tregojmë kujdes maksimal. Fëmijët janë të paparashikueshëm në lëvizje, respektimi i kufizimit të shpejtësisë pranë shkollave ndihmon në parandalimin e aksidenteve”, thuhet në apelin e Policisë.
Policia ka këshilluar që fëmijët të mësohen ta përdorin vendkalimin e shënuar në mënyrë të sigurt dhe të shikojnë nga të dyja anët para se të kalojnë rrugën.
Drejtuesit e automjeteve duhet të jenë më të vëmendshëm afër shkollave dhe vendkalimeve për këmbësorë, veçanërisht gjatë orëve të ardhjes dhe largimit nga shkolla.
Prindërit këshillohen t’u tregojnë fëmijëve sjellje të sigurta në rrugë, të mos kalojnë jashtë vijave të bardha dhe gjithmonë të ndalen për të parë trafikun.
Policia ka kërkuar gjithashtu që fëmijët të kuptojnë rregullat e hyrjes dhe daljes nga mjetet transportuese shkollore, si dhe sjelljet e sigurta përreth tyre.
Po ashtu, është kërkuar të shmanget përdorimi i telefonit apo pajisjeve të tjera gjatë ecjes, pasi sytë dhe vëmendja duhet të jenë në rrugë.
Në këshillat për siguri gjatë rrugëtimit për në shkollë, Policia ka rekomanduar planifikimin e rrugës më të sigurt me fëmijët, mësimin e shenjave të trafikut dhe që fëmijët të sigurohen se automjetet janë ndalur para se të kalojnë rrugën.
Policia këshillon edhe largimin e kufjeve apo pajisjeve që mbulojnë dëgjimin gjatë ecjes, pasi zërat e trafikut janë sinjale paralajmëruese.
Fëmijët këshillohet të veshin rroba me ngjyra të ndritshme ose reflektuese, veçanërisht në ditë me shi apo errësirë, ndërsa duhet të shmangin ecjen në mes të makinave të parkuara, pasi drejtuesit mund të mos i shohin fëmijët që kalojnë.

Pas më shumë se dy dekadash, rivarroset Liridona Deliu, që vdiq pa i mbushur dy vjet gjatë luftës
Gjini dorëzon kallëzim penal ndaj Daçiqit, kërkon ndalimin e hyrjes së tij në Kosovë
Millorad Gjokoviq dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Kosovë
Egzon Shalti dënohet me 25 vjet burgim për vrasjen e Auron Ferizit
Mbi 1.54 miliardë euro investime në bizneset e Kosovës gjatë vitit 2025
Mungesa e prokurorit të rastit ndërpret seancën për Ibër-Lepencin
“Vatra” u bën thirrje shqiptarëve të Luginës të votojnë “Koalicionin Shqiptar”
Aksion policor në veri të Kosovës, kontrolle në disa lokacione
Kosova dhe Hungaria thellojnë bashkëpunimin në fushën e bibliotekave