Prishtinë, 29 korrik 2026 08:11
Teksa në Serbi prej ditësh zhvillohet një fushatë kundër largimit të objekteve të ndërtuara pa leje në zonën e Liqenit të Ujmanit, e udhëhequr kryesisht nga mediat proqeveritare, vëmendje ka marrë edhe rasti i Savamalës në Beograd, i cili edhe pas një dekade mbetet simbol i polemikave për sundimin e ligjit, shkruan Veritasinfo.
Vetëm pak ditë më parë, institucionet e Republikës së Kosovës ndërmorën një veprim për të rikthyer në pronësi pronat në zonën e Liqenit të Ujmanit, në të cilat ishin ndërtuar objekte pa leje dhe pa respektimin e procedurave për ndërtim.
Në këtë zonë u rrënuan 11 objekte, ndërsa prona u kthye në menaxhim të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Doli në pah gjithashtu se pronarët e objekteve që ishin ndërtuar pa leje ishin njerëz nga kryesia e lartë e Listës Serbe dhe persona tjerë që kishin lidhje të forta edhe me njerëz që kanë probleme me ligjin, siç është rasti i Zvonko Veselinoviqit, kur u kuptua se pronari i njërit nga objektet e rrënuara ishte kunati i tij.
Edhe nënkryetari i Listës Serbe, njëherësh kryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Ivan Zaporozhac, kishte objekt të ndërtuar pa leje në zonën e Ujmanit.
Në këtë mënyrë, i gjithë aksioni për rrënimin e objekteve kishte mbështetje ligjore nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Mediat në Kosovë e kanë paraqitur aksionin si zbatim të ligjit dhe rikthim të pronës publike nën administrimin e institucioneve të Kosovës. Në të kundërt, një pjesë e madhe e mediave në Serbi, duke iu referuar zyrtarëve serbë, e kanë cilësuar ndërhyrjen si presion ndaj serbëve dhe veprim me motive politike, duke lënë në plan të dytë faktin se bëhej fjalë për objekte pa leje.
Derisa media kosovare ka fokusuar zbatimin e ligjit, ajo serbe është fokusuar në pretendimin për presion ndaj komunitetit serb.
Debati ka nxitur krahasime me rastin e Savamalës në vitin 2016, kur persona të maskuar rrënuan gjatë natës objekte në qendër të Beogradit për t’i hapur rrugë projektit “Beogradi mbi Ujë”. Ngjarja u bë simbol i mungesës së përgjegjësisë institucionale dhe vazhdon të përmendet si një nga rastet më të debatueshme të sundimit të ligjit në Serbi.
Në anën tjetër, lidhur me aksionin e rrënimit të objekteve pa leje në zonën e Liqenit të Ujmanit, drejtori i Ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, kishte deklaruar se pronarët e objekteve kanë qenë të njoftuar me kohë lidhur me kërkesën e institucioneve përgjegjëse për lirimin e pronës.
“Pronarët ishin njoftuar më 3 korrik për t’i liruar objektet dhe, pas skadimit të afatit, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, me mbështetjen e Policisë së Kosovës, urdhëroi rrënimin e tyre. Ne po e kthejmë pronën tonë. Janë rrënuar 11 shtëpi të ndërtuara ilegalisht në pronën e ndërmarrjes”, kishte deklaruar Mujka, duke shtuar se shumica e tyre janë ndërtuar gjatë viteve 2019 dhe 2020.
Ai theksoi se “Ibër-Lepenci” ka detyrim ligjor të mbrojë pronën që administron, ndërsa vendimet për rrënimin merren nga institucionet kompetente.
Mujka rikujtoi se “Ibër-Lepenci” ka marrë në administrim edhe kampin Rezalla, bashkëpronar i të cilit është aktivisti serb Dragisha Mijaçiq, duke theksuar se edhe ai ishte ndërtuar pa lejet e nevojshme.

Haxhiu: Seanca konstituive pritet të mbahet në fillim të gushtit
Prokuroria: Hetimet dëshmojnë rolin kyç të Serbisë në përgatitjet për sulmin terrorist në Banjskë
Sinani: Raporti i KE-së konfirmon përkeqësimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë
Haxhiu sot pret në takim kryetarin e KQZ-së pas shpërndarjes së Kuvendit
Policia: Kampi “Enver Zymeri” i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme
FSK-ja viziton shërbimin mjekësor të Bundeswehrit gjerman
Avokati Ivan Niniq kërkon rishikim të punës së Prokurorisë Publike për krim të organizuar në rastin “Panda” të vitit 1998
Arrestohen 6 persona në Prishtinë, në automjetin me targa serbe iu gjet municion
Serbia propagandon për “sulm ndaj serbëve”, Kosova e vendosur në zbatim të ligjit
Blakaj: Që nga marrëveshja në Bruksel, s’kemi parë rezultate pozitive për personat e zhdukur