Prishtinë, 21 korrik 2026 13:09
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, duke përmbyllur zyrtarisht procesin e nisur me dorëheqjet e tyre në vitin 2022. Ky veprim vjen një ditë pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi kërkesën e tyre për të tërhequr dorëheqjet.
Haxhiu deklaroi se vendimi zbaton aktin e institucionit kompetent dhe është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Ajo theksoi se askush nuk mund të pengojë funksionimin e institucioneve apo të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara, duke shtuar se shteti do të vazhdojë të veprojë në mbrojtje të rendit kushtetues dhe integritetit institucional.
“Pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, kam nënshkruar dekretet për lirimin e tyre nga detyra. Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Shteti ynë funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara. Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj”, ka shkruar ajo në Facebook.
Shtatë prokurorët nga komuniteti serb ishin pjesë e dorëheqjeve kolektive të zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022. Atëherë, përfaqësuesit serbë në veri, të nxitur nga Lista Serbe dhe autoritetet në Beograd, u larguan nga Policia e Kosovës, sistemi gjyqësor, prokuroria, komunat dhe Kuvendi, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia.
Në vitin 2025, shtatë prokurorët kërkuan të tërhiqnin dorëheqjet dhe të riktheheshin në detyrë, por Këshilli Prokurorial i Kosovës e refuzoi kërkesën, duke vlerësuar se dorëheqjet e tyre kishin prodhuar pasoja juridike dhe nuk mund të anuloheshin pas më shumë se dy vjetësh.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kërkon lirimin e objektit në Mitrovicën e Veriut
Arrestohet një zyrtar, dyshohet se lejoi importin e pesticideve të ndaluara
Ministria e Infrastrukturës: Vazhdon sanimi i rrugës Mitrovicë–Bajgorë, planifikohet edhe rehabilitimi i plotë i segmentit
Pas dëmeve nga breshri, paralajmërohet “një qendër e paralajmërimit” për bujqit
Mujka: Prishja e shtëpizave kryhet nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit
“Ibër Lepenci” rrënon pronat që ishin të uzurpuara për 20 vjet në Ujman – u përkisnin krerëve të Listës Serbe dhe familjarëve të tyre
Marrëveshje e re për sigurinë e informacionit të klasifikuar mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe AMIK-ut