Prishtinë, 16 korrik 2026 19:37
Një tentativë për tjetërsimin e kundërligjshëm të 21 pronave të paluajtshme është parandaluar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës, ndërsa tre persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë tentuar të sigurojnë dokumentacion noterial përmes dokumenteve të falsifikuara.
Sipas një komunikate të përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë, aksioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Njësia Rajonale në Mitrovicë Veri, pas veprimeve të koordinuara operative dhe hetimore.
Hetimet paraprake tregojnë se të dyshuarit kanë përdorur një dokument identifikues të falsifikuar dhe dokumentacion tjetër përcjellës për të përpiluar dhe vërtetuar një autorizim noterial, i cili do t’u mundësonte disponimin dhe shitblerjen e 21 pronave të regjistruara në emër të një personi tjetër, pa dijeninë dhe pëlqimin e pronarit legjitim, thuhet në njoftim, përcjell VeritasInfo.
Dokumenti i falsifikuar përmbante të dhënat personale të pronarit të vërtetë, por fotografinë e një personi tjetër, i cili dyshohet se ishte përgatitur të paraqitej para noterit me identitet të rremë dhe të nënshkruante autorizimin.
Tentativa u zbulua para përfundimit të procedurës noteriale, pasi gjatë verifikimit të dokumentacionit u konstatuan mospërputhje në të dhënat identifikuese, duke ngritur dyshime për autenticitetin e dokumenteve.
Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe intervistuar, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Gjatë operacionit janë sekuestruar dokumente, pajisje elektronike, një automjet dhe sende të tjera që dyshohet se lidhen me rastin.
Po ashtu, gjatë kontrollit në pronën e njërit prej të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të shumta pronësore, dokumente të gjendjes civile, kopje të dokumenteve të identifikimit, kontrata dhe dokumentacion tjetër në emër të personave të ndryshëm. Autoritetet kanë bërë të ditur se prejardhja dhe qëllimi i përdorimit të këtyre dokumenteve do të jenë pjesë e hetimeve të mëtejshme.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftimin e veprave penale që lidhen me pronën, falsifikimin e dokumenteve dhe keqpërdorimin e procedurave administrative e noteriale, me synim mbrojtjen e pronës së qytetarëve nga çdo formë e tjetërsimit të kundërligjshëm.

Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit
Dogana e Kosovës arkëton 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit
Pantiq e Zariq dalin para Gjykatës si të akuzuarve për krime lufte
Nis hetimi parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, nëntë ditë pas ngjarjes
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Spajiç kërkon hetim parlamentar për ndikimin e mundshëm të Serbisë në mediat dhe bizneset e Malit të Zi