Prishtinë, 4 korrik 2026 9:22
Pesë ankesat e refuzuara nga PZAP-ja janë dorëzuar në Gjykatën Supreme. Nëse ato hidhen pishtë, KQZ-ja vendos për certifikimin e rezultateve. Vetëm pas këtij vendimi pritet të hapet rruga për formimin e institucioneve të reja. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përsëritur se bisedimet për qeverinë do të nisin pas certifikimit, ndërsa publicisti Veton Surroi ka propozuar që bashkëpunimi politik për zgjedhjen e presidentit të fillojë me përcaktimin e kritereve për kandidatin, e jo me ndarjen e pushtetit ekzekutiv
Koha kur do të nisë konstituimi i institucioneve të reja do të varet nga përmbyllja e plotë e procesit zgjedhor, i cili të premten ka kaluar në fazën e shqyrtimit të pesë ankesave në Gjykatën Supreme, pas refuzimit të tyre nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Vetëm pas vendimit të Supremes pritet të bëhet certifikimi i rezultateve, vendim që do t’i hapë rrugën formimit të institucioneve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili drejton partinë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje, ka përsëritur se bisedimet për formimin e institucioneve, do të nisin pasi të ndodh certifikimi.
“Po e presim certifikimin e rezultateve, faleminderit”, ka thënë shkurt ai.
Vetëvendosja ka siguruar 53 mandate dhe bashkë me deputetë të komuniteteve, pa përfshirë 9 të Listës Serbe, mund ta sigurojë shumicën për konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e Qeverisë. Ndërkaq, për zgjedhjen e presidentit nevojiten së paku 80 deputetë që të marrin pjesë në dy raundet e para të votimit.
Publicisti Veton Surroi ka dhënë të premten disa sugjerime rreth paqartësive lidhur me zgjedhjen e Qeverisë dhe presidentit.
Ai ka thënë se bashkëpunimi politik për zgjedhjen e presidentit mund të fillojë jo nga ndarja e pushtetit qeveritar, por nga përcaktimi i kritereve për figurat që mund ta përmbushin rolin kushtetues të unitetit të popullit dhe që pastaj i nënshtrohen procedurës së zgjedhjes në Kuvend.
“Integrimi i interesave të partive politike mund të përfshijë edhe dakordim për një ushtrim më aktiv të kompetencave presidenciale në fushat ku Kushtetuta ia njeh këtë rol presidentit, duke siguruar që zëri i opozitës të jetë i përfshirë në mënyrë të barabartë në çështjet e interesit shtetëror”, ka shkruar Surroi në një postim në Facebook.
Ai ka thënë se asnjë subjekt politik nuk ka mandat që ta zgjedhë i vetëm presidentin e Republikës dhe njëkohësisht, asnjë subjekt politik nuk duhet ta përdorë peshën e vet parlamentare për të pamundësuar funksionimin kushtetues të institucioneve.
“Kushtetuta parasheh që presidenti të zgjidhet përmes një procesi që kërkon bashkëpunim politik. Ky bashkëpunim duhet të mundësojë integrimin e interesave të zgjedhësve dhe partive politike, duke respektuar njëkohësisht rolin e presidentit si faktor i unitetit të popullit”, ka deklaruar Surroi.
Ai ka thënë se disa subjekte politike që kanë qenë në opozitë, po vendosin kushte për pjesëmarrjen në procesin e zgjedhjes së Presidentit. Por, sipas tij, këto kushte duhet të lidhen me funksionin kushtetues të presidentit dhe jo me kompetenca që Kushtetuta ia jep Qeverisë.
Presidenti nuk përcakton politikat energjetike, ndërtimin e autostradave, nivelin e tatimeve apo shpërndarjen buxhetore për komunat. Në sistemin parlamentar të Kosovës këto janë përgjegjësi të Qeverisë, e cila buron nga shumica parlamentare”, ka theksuar Surroi.
Ai ka vlerësuar se zgjedhjet e 7 qershorit u dhanë njëkohësisht të gjithë deputetëve mandatin dhe përgjegjësinë kushtetuese për pjesëmarrje në procesin e zgjedhjes së Presidentit. Sipas tij, kjo përgjegjësi lidhet me natyrën kushtetuese të funksionit presidencial.
“Presidenti nuk është bartës i pushtetit ekzekutiv qeveritar; kompetencat e tij/saj janë të veçanta nga ato të Qeverisë. Prandaj është e papërputhshme që zgjedhja e presidentit të trajtohet si vazhdim i negociatave për programin apo ndarjen e përgjegjësive në Qeverinë e ardhshme”, ka theksuar Surroi.
Ai ka thënë se zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit i dhanë mandat Lëvizjes Vetëvendosje për të provuar formimin e Qeverisë së radhës, në pajtim me Kushtetutën dhe me vullnetin e shprehur të qytetarëve. Sipas tij në rast se partnerët e zgjedhur për koalicion janë partitë e disa prej komuniteteve joshumicë, sikundër pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025, do të ishte e pritshme që të ketë dakordim të shpejtë për përbërjen e Qeverisë dhe programin qeverisës.
Deri tash, një grupim i Lidhjes Demokratike të rreshtuar nga kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, kanë shprehur pritjen për negociata me Vetëvendosjen, nëpërmjet të cilave do të arrihej marrëveshje për formimin e institucioneve në pako. Por, eksponentë të saj, përfshirë kryetarë komunash, janë deklaruar kundër marrëveshjes, dhe kanë kërkuar edhe dorëheqjen e Abdixhikut, shkaku i rezultatit zgjedhor.
Ndërkaq, në Partinë Demokratike, e cila ka dalë e dyta në zgjedhje, nuk janë dhënë sinjale për mundësinë e një bashkëpunimi.
E, dy kandidatë të saj, vazhdojnë betejën që për synim ka rinumërimin e votës së kandidatëve për deputetë të kësaj partie.
Pasi ankesat e tyre u refuzuan nga PZAP-ja, ata i janë drejtuar me ankesë edhe Gjykatës Supreme duke kërkuar rinumërimin e votave të partisë.
Kandidatët për deputetë nga PDK-ja, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, thanë se ankesa bazohet në fakte të reja, të cilat sipas tyre, dëshmojnë parregullsi të konsiderueshme në procesin e numërimit të votave.
Haxhiu tha se ankesa mbështetet në raportin e Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për procedurën e rinumërimit, i cili, sipas tij, evidenton gabime të shumta në numërimin fillestar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Ai shprehu pritjen që Gjykata Supreme ta shqyrtojë ankesën në mënyrë të pavarur dhe të urdhërojë rinumërimin.
“Prandaj shpresojmë shumë në profesionalizmin e Gjykatës Supreme, e cila në shumë raste ka ditur të jetë e pavarur dhe të rrëzojë vendimet e PZAP-së, dhe të urdhërojë rinumërimin. Sepse nuk mund të bëhesh deputet me votat e numëruesve, por duhet të bëhesh me votat e qytetarëve, ashtu siç i ka hedhur ditën e votimit”, ka thënë Haxhiu.
Përveç tyre, ankesë në Supreme ka dërguar edhe Lista Serbe dhe dy të tjera janë dorëzuar nga Nova Demokratska Stranka.
Lista Serbe u ankua për votat e partisë së Nenad Rashiqit, duke pretenduar se ato i ka marrë edhe në vendbanime shqiptare, ku ka pak ose hiç serbë.
Të së njëjtës natyrë janë edhe dy ankesat e NDS-së të Emilja Rexhepit, njëra ndaj partisë së Rashiqit dhe tjetra ndaj Koalicionit Vakat.
Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i jep Supremes afat prej pesë ditësh për të vendosur lidhur me ankesat. Dhe, nëse ajo i refuzon, i hapet rrugë certifikimit të rezultateve.

Çoroviq: Kosova është shtet i pavarur dhe sovran
Mbështetja e Gjermanisë është kyçe për anëtarësimin e Kosovës në BE
Narrativa të njëanshme e në një vijë me Serbinë për Kosovën në mediat kineze
Përralla serbe për Kosovën
Vuçiqin e mbron Radoiçiqi nga protestuesit, ka frikë se i ndodhë sikurse Millosheviqit
Qeveria miraton vendimin për hapjen e Fondit të Konfiskimit
Kurti: SHBA frymëzim i përhershëm për liri dhe vetëvendosje
SHBA-ja sot feston 250-vjetorin e Pavarësisë
FSK pjesë e ushtrimit ndërinstitucional “Golden Sabre 2026”