Screenshot
Berlin, 19 Korrik 2025
Zëdhënësi për politikë të jashtme i Socialdemokratëve në Gjermani (SPD), Addis Ahmetoviq, ka kërkuar nga vendi i tij që ta dyfishojë mbështetjen për Kosovën.
Në një intervistë për DW, tha se promovimi i integrimit të Ballkanit në BE është e vetmja mënyrë që të arrihet stabilitetit në rajon.
“Duhet të monitorojmë situatën në Ballkanin Perëndimor çdo ditë dhe në baza të vazhdueshme. Politika për këtë rajon nuk duhet të kufizohet vetëm në nxitjen ekonomike, por duhet të mbetet pjesë përbërëse e agjendës sonë të politikës së jashtme. Po i ndjek me kujdes zhvillimet në Shqipëri, Serbi dhe Kosovë. Ne jemi të interesuar që situata politike të jetë stabile. Për Kosovën, kjo nënkupton konkretisht se duam që ky shtet të bëhet anëtar i Këshillit të Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur; nga perspektiva e SPD-së [Partia Socialdemokrate Gjermane], sa më shpejt”, deklaroi Ahmetovic.
Se kur qeveria gjermane do ta adresojë çështjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, ai tha se nuk mund të japë datë konkrete.
“Nuk mund të jap një datë konkrete. Por, si zëdhënës për politikë të jashtme i grupit parlamentar të SPD-së në Bundestag, mund t’ju them qartë se kolegu im Frank Schwabe dhe unë do të angazhohemi që SPD-ja të vazhdojë në këtë drejtim. Kjo vlen edhe për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Më vjen shumë keq që në mandatin e kaluar – pavarësisht qeverisë së koalicionit mes socialdemokratëve, konservatorëve dhe të gjelbërve – kjo nuk u arrit. Ka pasur një momentum strategjik që duhej shfrytëzuar. Ndoshta do të kishte qenë e mundur me më shumë presion politik”, u shpreh ai.
I pyetur se ndaj kujt duhet ushtruar presion, zëdhënësi i SPD-së tha se “Qeveria gjermane do të duhej të kishte bërë më shumë përpjekje për të bindur shtetet anëtare të Këshillit të Evropës”.
“Ka pasur vende që e kanë refuzuar pranimin e Kosovës [në Këshillin e Evropës]. Gjermania ka një peshë të madhe në këtë organizëm dhe duhet ta ushtrojë atë me një vetëbesim modest. Herën e fundit kjo nuk funksionoi. Por ne, grupi parlamentar i SPD-së, mbetemi të vendosur. Ministri i Punëve të Jashtme, Johann Wadephul, dhe grupi parlamentar i CDU/CSU janë shprehur qartë në favor të anëtarësimit të Kosovës; ne do t’ua kujtojmë dhe do t’u kërkojmë llogari”.
Ahmetovic është i mendimit se nëse BE-ja do stabilitet në Ballkanin Perëndimor, duhet shtyrë “seriozisht përpara procesin e integrimit në BE për të gjashtë vendet që ende nuk janë anëtarësuar në këtë bllok”.
Ai thotë se “edhe Kosova ka nevojë për një perspektivë të besueshme dhe transparente”.
“Anëtarësimi në NATO është të paktën po aq i rëndësishëm sa anëtarësimi në BE. Të dyja, si BE-ja ashtu edhe NATO-ja, janë thelbësore për një jetë në paqe, liri dhe siguri. Nuk mund ta vlerësoj saktësisht se kur do të ndodhë kjo, por si deputet i SPD-së, do të vazhdoj të luftoj për këtë çështje. Kjo gjithashtu nënkupton që të gjashtë vendet – Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut – duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë”, theksoi zëdhënësi për Politikë të Jashtme i SPD-së.
Addis Ahmetovic foli edhe për ngërçin politik në Kosovë, ku edhe pas gati 50 përpjekjesh, deputetët nuk po arrijnë të konstituojnë Kuvendin.
Ai tha se LVV-ja e Albin Kurtit është parti simotër e SPD-së, ndërsa nuk e komentoi si fenomen situatën, por tha se vendit i duhet një qeveri e qëndrueshme dhe një parlament funksional që të mund të avancojë drejt KiE-së, “e ndoshta së shpejti, edhe në NATO”.
“Mbaj kontakte të ngushta me qeverinë e Kosovës. Ne duam një veprim qeveritar të qëndrueshëm dhe një parlament funksional. Kjo është thelbësore për të gjithë hapat pasues. Vetëm nëse kjo vazhdon të ketë sukses, Kosova do të mund të avancojë në Këshillin e Evropës, në procesin e anëtarësimit në BE dhe, ndoshta së shpejti, edhe në NATO. Këto procese janë ngushtësisht të ndërlidhura”, theksoi ai.

I diplomuar për inxhinieri, Cole Tomas Allen është autori nga Kalifornia që qëlloi me armë në darkën e Presidentit Trump me gazetarët
Të shtëna me armë në darkën ku ndodhej Donald Trump
Trump jep urdhër: Qëlloni çdo anije që vendos mina në Ngushticën e Hormuzit
Trump njofton zgjatjen e armëpushimit me Iranin
Tragjedi në SHBA, tetë fëmijë të vrarë pas të shtënave në masë
Irani hap Ngushticën e Hormuzit për anijet tregtare, shënon rënie çmimi i naftës
Dita e të Zhdukurve, Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe
Sot shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarës për spiunazh, Jelena Gjukanoviq
Vlahoviq: Jashtë Kosovës dihet shumë pak për trajtimin e shqiptarëve nga Serbia ndër vite
27 vjet nga masakra në Mejë, ku u vranë 376 persona