Prishtinë, 14 Korrik 2025
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë ish-kryeministrin Agim Çeku dhe nëntë të akuzuar të tjerë në rastin e njohur si “Veteranët”, duke i dënuar me nga një vit burgim për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Nga ana tjetër, Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj janë shpallur të pafajshëm, pasi, sipas gjykatës, nuk e kishin cilësinë e personit zyrtar.
Aktgjykimi u shpall nga kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri, ndërsa anëtarë të trupit ishin gjyqtarët Kushtrim Shyti dhe Ngadhnjim Arrni. Gjykata konstatoi se është provuar përtej dyshimit të bazuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale sipas nenit 422 të Kodit Penal.
Në vitin 2021, të gjithë të akuzuarit ishin shpallur të pafajshëm, por Gjykata e Apelit kishte kthyer çështjen në rigjykim në vitin 2022.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të akuzuarit, si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e statusit të pjesëtarëve të UÇK-së, i kanë mundësuar në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit dhjetëra mijëra personave, duke shkaktuar dëme mbi 88 milionë euro në buxhetin e shtetit.
Të akuzuar në këtë rast ishin: Agim Çeku, Rrustem Berisha, Shkumbin Demaliaj, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari, Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj.
Sipas aktakuzës, nga viti 2011 deri më 2017, ata kishin tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të padrejtë për persona të tjerë, duke u njohur në mënyrë të kundërligjshme statusi i veteranit. Prokuroria kishte propozuar edhe pezullimin e pagesave për 19.500 përfitues potencialisht të rremë, kërkesë që ishte refuzuar nga gjykata.

Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Aktivistët në Serbi po i heqin grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”
Gjykata cakton paraburgim për dy të dyshuar për krime lufte
Qelaj: Gjykata Speciale ka shkelur të drejtat e njeriut në rastin e ish-krerëve të UÇK-së
Banka Botërore ndan 6.8 milionë dollarë shtesë për shëndetësinë në Kosovë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit