Prishtinë 7 Mars 2026 12:50
Për shkak të rritjes së re të çmimeve të karburanteve, qytetarët në Bosnje dhe Hercegovinë kanë hyrë në panik për një valë të re të mundshme të rritjes së çmimeve të ushqimeve. Në shumë qytete është vërejtur rritje e blerjes së produkteve bazë ushqimore, ndërsa në disa dyqane raftet me miell, vaj dhe sheqer po zbrazen shpejt.
Sipas tregtarëve, qytetarët po blejnë miell dhe vaj, shpesh në sasi më të mëdha se zakonisht, duke krijuar rezerva ushqimore për periudhën në vijim. Blerësit po zgjedhin shpesh pako ose thasë më të mëdhenj mielli, nga frika se çmimet e ushqimeve mund të rriten edhe më shumë së shpejti, raportoi Slobodna Dalmacija.
Qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës, të lodhur nga rritja e mëparshme e kostos së jetesës, kanë frikë nga rritje të reja çmimesh, sidomos pasi në vitet e kaluara ato shpesh janë shkaktuar nga paralajmërimet për çrregullime në treg.
“Tani ka mungesë, nuk ka miell nëpër dyqane, të paktën këtu në kantonin Zenica-Doboj. Ne kemi një objekt ku blihet vetëm miell dhe, besoni apo jo, ka radhë. Ka panik kudo, të gjithë po flasin për luftën e tretë botërore. Që kur filloi kjo në Lindjen e Mesme, asnjë konsumator nuk është ankuar për asgjë – vetëm kërkojnë miell, vaj, sheqer dhe karburant. Kushdo që e ka përjetuar luftën në Bosnje dhe Hercegovinë mund ta kuptojë këtë. E di që nuk mund të blej shumë, por nuk mund të rri pa pasur qoftë edhe një kilogram miell në shtëpi”, ka thënë Ferida Kuloviq nga Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve.
Pasiguri shtesë tek qytetarët po krijon frika se situata e paqëndrueshme në Lindjen e Mesme mund të shkaktojë rritje të re të çmimeve të energjisë dhe presion shtesë mbi standardin e jetesës.
Në të njëjtën kohë, tregtarët në Luginën e Neretvas në Kroaci kanë vënë re ditët e fundit një numër të shtuar blerësish nga Bosnje dhe Hercegovina. Siç është parë edhe në terren, ka një fluks më të madh qytetarësh nga Bosnja që po blejnë ushqime nëpër dyqane, raportoi Jutarnji.
Shumica blejnë mish, veçanërisht mish derri, i cili është shumë më i lirë në dyqanet kroate sesa në Bosnje dhe Hercegovinë. Për këtë arsye, shumë qytetarë kalojnë kufirin për të kursyer para gjatë blerjeve. Për shkak të dallimeve në çmime, mishi është ndër produktet më të kërkuara në blerjet ndërkufitare.
Megjithatë, edhe pse ekonomistët theksojnë se aktualisht nuk ka njoftime zyrtare për mungesë ushqimesh, ata paralajmërojnë se blerjet me panik mund të zbrazin përkohësisht raftet e dyqaneve.

BQK dhe ATK nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi për avancimin e shkëmbimit të informacionit dhe forcimin e integritetit financiar
Konfirmohet lista me pesë kandidatë për Kryeprokuror të Shtetit
Turizmi gjeneroi mbi 248 milionë euro gjatë vitit 2025
Gërvalla: Sundimi i ligjit forcon Republikën dhe besimin në institucione
Nisin punimet për stabilizimin e rrëshqitjes në rrugën Klinë–Gurrakoc, investohen mbi 373 mijë euro
Vdekjet në punë mbeten shqetësim shoqëror – 31 viktima vitin e kaluar, 12 të tjera këtë vit
Një muaj paraburgim për tre të arrestuarit, dyshohen edhe për financim të terrorizmit
Rasti “MEGA”, Prokurori Kodraliu thotë se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe FBI luajtën rol kyç
Komunikimet e grupit që dyshohet se merreshin me barrikada, zbulohet mesazhi i ditës kur u sulmua KFOR-i në Zveçan