Prishtinë, 13 Korrik 2025
Fushata e korrje-shirjes së grurit po vazhdon në gjithë vendin, me rendimente të kënaqshme, por ende jo të mjaftueshme për të mbuluar nevojat e brendshme. Për dallim nga viti i kaluar, fermerët shprehen të zhgënjyer me çmimin e ulët prej vetëm 0.17 cent për kilogram. Për më tepër, shumë prej tyre ende nuk kanë marrë subvencionet e premtuara nga Ministria e Bujqësisë.
Fermeri Hamdi Mazreku nga Rahoveci thotë se megjithëse ka prodhim të mirë, çmimi i ulët dhe mungesa e subvencioneve e bëjnë të pamotivuar për të vazhduar me mbjelljen. Ai përmend se vitin e kaluar çmimi ka qenë më i lartë dhe ka pritur përmirësim këtë vit.
Ngjashëm mendon edhe një fermer nga Podujeva, i cili aktualisht punon si autokombajner në Rahovec. Ndërkohë, zjarret në Zonën e Llapit kanë shkaktuar dëme në sipërfaqe të mëdha me grurë. Malësor Sejdiu, fermer i prekur nga zjarret, kërkon ndihmë nga Ministria për kompensim dhe kritikon mungesën e vizitave zyrtare në parcela. Ai po ashtu shprehet i shqetësuar për çmimin e lartë të naftës, që është afër 1.20 euro për litër, edhe për autokombajnat.
Ekspertët dhe profesorët e bujqësisë kërkojnë reagim urgjent institucional për të siguruar çmim të drejtë për fermerët dhe për të mbështetur prodhimin vendor. Sipas profesor Imer Rusinovcit, këtë vit janë mbjellë më shumë sipërfaqe me grurë – rreth 70,000 hektarë – por sërish nuk mjaftojnë për konsum të brendshëm. Ai apelon për kompensim të dëmeve nga zjarret dhe koordinim me pushtetin lokal.
Ministria e Bujqësisë ka konfirmuar se këtë vit janë mbjellë rreth 74,753 hektarë me grurë, me një rritje prej mbi 21,000 hektarë krahasuar me vitin 2024. Megjithatë, duke qenë se fushata është në fazat e para, nuk ka ende të dhëna përfundimtare për rendimentin mesatar, por pritet të jetë i përafërt me vitin e kaluar (rreth 4,871 kg/ha).
Ministria sqaron se për të plotësuar nevojat vjetore të popullsisë, nevojiten mbi 300 mijë tonë grurë, ndërsa gruri vlerësohet si produkt strategjik për sigurinë kombëtare. Ekspertët apelojnë që fermerët të mos djegin hamulloret, pasi kjo rrezikon përhapje të zjarreve dhe dëme të mëdha në bujqësi.
