Prishtinë, 06 mars 2026 22:20
Dragan Ristiq, i akuzuar për krime lufte në komunën e Gjakovës, ka dhënë versionin e tij lidhur me akuzat e Prokurorisë Speciale që rëndojnë ndaj tij.
Në seancën e së premtes (06.03.2026), ai ka paraqitur mbrojtjen e tij.
Ai tha se gjatë kohës së luftës nuk ka qenë i uniformuar me uniformë ushtarake si rezervist, ndërsa pohoi se kishte qenë i uniformuar në vitin 1992.
“Në vitin 1992 kam qenë me uniformë ushtarake dhe më nuk më kanë thirrur. Atëherë e kam dorëzuar uniformën me të gjitha në kazermën ushtarake… Jo gjatë luftës nuk kam qenë, para luftës po”, deklaroi i akuzuari.
Ristiq tha se më 20 qershor 1999, bashkë me familjen e tij dhe me qytetarë tjerë serbë, janë larguar nga qyteti i Gjakovës dhe kanë shkuar në Serbi.
Më tej, i akuzuari, lidhur me dëshminë e dëshmitarit Afrim Caka se ai ua kishte ndarë familjet dhe e kishte keqtrajtuar fizikisht vëllain e tij, tha se kjo nuk është e vërtetë.
“Ajo nuk është e vërtetë, të tjerë kanë qenë ata. Kjo është gabim”, tha i akuzuari.
Ai shtoi se pas luftës ka pasur kontakt me disa shqiptarë që jetojnë në qytetin e Gjakovës dhe se banesën e tij ia ka shitur një shqiptari, i cili kishte qenë fqinj i tij.
Ndër të tjera, i akuzuari tha se pas luftës, kur i ka mbushur 65 vjet, ka ardhur në Kosovë, në qytetin e Mitrovicës, për t’u pajisur me letërnjoftimin e Kosovës në mënyrë që të marrë pensionin e pleqërisë.
Po ashtu, ai tha se pas luftës ka shkuar në qytetin e Gjakovës me Policinë dhe me KFOR-in, në varrezat e këtij qyteti, diku ndërmjet viteve 2002–2004, duke shtuar se nuk është i sigurt për vitin e saktë.
Tutje, i akuzuari tha se nuk është në dijeni që dëshmitari Afrim Caka e ka përfshirë emrin e tij në krimet e luftës të ndodhura në Gjakovë.
Ai gjithashtu tha se nuk ka dëgjuar për masakrën në qytetin e Gjakovës.
Paraprakisht, trupi gjykues ka aprovuar provat materiale të propozuara nga mbrojtja më 04.02.2026, të cilat kanë të bëjnë me sigurimin e provave për patentë-shoferin dhe kartelën për letërnjoftim që lidhen me të pandehurin Ristiq.
Trupi gjykues gjithashtu ka refuzuar propozimet e mbrojtjes të paraqitura në seancën e kaluar të shqyrtimit gjyqësor, të cilat kishin të bënin me një person tjetër me emrin Dragolub Ristiq, me arsyetimin se ky person nuk është objekt i kësaj çështjeje penale.
Po ashtu, trupi gjykues ka refuzuar propozimin e mbrojtjes që si provë të administrohet vërtetimi i lëshuar nga MPB-ja e Serbisë, i datës 12.02.2026, me arsyetimin se ky vërtetim është lëshuar nga një shtet tjetër dhe nuk është ndjekur procedura e komunikimit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar.
Seanca e radhës për këtë çështje penale pritet të mbahet brenda muajit mars 2026.

Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë
Emrat e të dyshuarve: Serbë që dyshohet se morën pjesë në krime lufte
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Aktivistët në Serbi po i heqin grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”
Gjykata cakton paraburgim për dy të dyshuar për krime lufte
Troja Bicurri triumfon në “Akordet e Kosovës”, vlerësim për brezin e ri