Në fushat e gjera anembanë Kosovës, tashmë dëgjohet zhurma e mekanizimit, ndërsa aroma e grurit të sapokosur përhapet në ajër. Korrja është në kulmin e saj.
Bujqit, përfshirë edhe ata nga veriu i vendit, dalin herët në mëngjes në ara, me shpresën për një sezon të mirë, pavarësisht sfidave të shumta që ka sjellë ky vit.
Kushtet klimatike kanë qenë të paqëndrueshme – pranvera ishte me shi, ndërsa temperaturat e verës sollën thatësirë në disa rajone. Megjithatë, shumë bujq shpresojnë në rendimente të kënaqshme.
“Nuk është lehtë, por po luftojmë. Këtë vit gruri duket goxha mirë, edhe pse kishte shi pikërisht kur nuk duhej”, thotë Milovani, një bujk nga rrethina e Leposaviqit. “Problemi më i madh mbetet çmimi i shitjes, por edhe mungesa e depove dhe mbështetjes.”
Edhe bujqit nga jugu i Kosovës ndajnë mendime të ngjashme.
“Pavarësisht sfidave klimatike, rendimentet këtë vit janë të kënaqshme. Kemi më pak probleme me shitjen sesa më parë, por shpenzimet janë ende të larta”, thotë Fatmiri nga Kçiçi i Mitrovicës, i cili bashkë me djemtë e tij punon rreth 10 hektarë tokë.
Sipas të dhënave nga kooperativat bujqësore lokale, pritet që rendimenti mesatar të jetë nga 2 deri në 3 tonë për hektar – pak nën mesataren evropiane, por në përputhje me mundësitë e bujqësisë vendore.
Bujqit theksojnë edhe çmimet e larta të farërave dhe materialeve ndihmëse si sfida shtesë, por falë mekanizimit dhe punës familjare, shumica arrijnë të përfundojnë punën me kohë.
“Çdo vit është një betejë, por nuk mund ta lëmë tokën. Është tradita jonë”, shton Zorica nga Zubin Potoku, e cila punon tokën me familjen e saj.
Në disa pjesë të Kosovës, komunat ndihmojnë me subvencione për karburant ose me qira të kombajnave, por shumica e bujqve mendojnë se mbështetja sistemike ende mungon. Po ashtu, gjithnjë e më shumë të rinj po largohen nga fshatrat, gjë që e vështirëson edhe më shumë mbijetesën e fermave familjare.
Sa i përket mbështetjes nga niveli qendror, bujqit thonë se subvencionet prej 300 deri në 350 euro për hektar janë të rregullta dhe i ndihmojnë shumë.
Megjithatë, korrja, përveçse shënon fundin e një sezoni bujqësor, ka edhe një domethënie simbolike – është kurorëzimi i një viti të tërë pune dhe përpjekjeje.


Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Aktivistët në Serbi po i heqin grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”
Gjykata cakton paraburgim për dy të dyshuar për krime lufte
Qelaj: Gjykata Speciale ka shkelur të drejtat e njeriut në rastin e ish-krerëve të UÇK-së
Banka Botërore ndan 6.8 milionë dollarë shtesë për shëndetësinë në Kosovë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit