Prishtinë, 11 janar 2026 19:23

Sekretari i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Bislim Bislimi ka bërë të ditur se viti 2025 ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për infrastrukturën sportive në Kosovë.

Në një intervistë për KosovaPress, Bislimi ka prezantuar investimet, sfidat me disa komuna, planet për stadiumet dhe përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, si dhe mbështetjen buxhetore të federatave dhe klubeve sportive.

Bislimi ka bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar janë filluar mbi 35 projekte të reja sportive, me investime që shtrihen nga fusha të vogla deri te stadiumet milionëshe, duke reflektuar prioritetin e lartë që i është dhënë zhvillimit të sportit.

Ai ka njoftuar se stadiumi nacional është përfshirë në projekt-buxhetin e vitit 2026 dhe se mbi 20 stadiume të tjera po ndërtohen në të gjithë Kosovën sipas planit pesëvjeçar, me investime që kalojnë 200 milionë euro.

“Ka të reja sa i përket stadiumit nacional. Është përfshirë në projekt-buxhet të vitit 2026 me një vlerë fillestare prej 4 milionë euro. që pastaj vazhdon në vitet në vazhdim. Me siguri shkon mbi 20 milionë. Besojmë shumë që ky projekt deri në këtë moment është diskutuar vetëm sa i përket vlerësimit të nevojave të vendit tonë për një stadium nacional…Ne po investojmë në mbi 20 stadiume në gjithë Kosovën, sipas planit të dakorduar pesë vjeçar për ngritjen e infrastrukturës futbollistike që përfshin një shifër prej mbi 200 milionë euro…Derisa, derisa është përfshirë në projekt-buxhetin e vitit 2026, ne besojmë që ky vlerësim tashmë i përket të kaluarës. Përfundimi është që Kosova ka nevojë për një stadium të ri nacional, i cili është si me thënë përjashtim, vetëm në kuptimin e përmasës edhe të standardeve edhe inxhinierike edhe sportive, është përjashtim nga të gjitha këto stadiume të tjera, por që do të ketë pastaj rezultat i rishikimit të projeksionit të ndërtimit të atij të atij stadiumi…Vlera prej 4 milionësh është e mjaftueshme që të bëhen të gjitha përgatitjet për fillim të ndërtimit të atij stadiumi dhe të kemi edhe një fillim fillestar të punëve në stadium. Ku? Ende nuk është i përcaktuar lokacioni”, bëri të ditur Bislimi.

“Ne jemi shumë të kënaqur me çka ka ndodhur në infrastrukturën sportive në vitin 2025. Është vlera totale e kontraktuar e punëve, projekteve infrastrukturore është mbi 96 milionë euro për 1 deri 5 vite projekte, që kanë ndodhur vetëm në vitin 2025 pa përfshirë projektet që kanë qenë duke u implementuar në vitet paraprake. Këto janë totalisht projekte të reja, mbi 35 projekte, mbi 35 punishte të reja, projekte nga 200,000 euro fusha të tenisit në 19 milionë euro stadiume. Do të thotë është përmasa e projekteve që kanë filluar zbatimin brenda vitit 2025”, bën të ditur fillimisht Bislimi.

Ai me dutje ka deklaruar se disa projekte janë vonuar për shkak të bashkëpunimit jo të njëtrajtshëm me komunat, gjë që ka ndikuar në ritmin e punimeve dhe afatet kontraktuale të projekteve.

“Për fat të keq kemi pasur në disa raste pengesa, unë nuk do t’i quaja të paqëllimshme sepse nuk mund të jetë e paqëllimshme, të disa komunave në Republikën e Kosovës që nuk e di se për çfarë kalkulime, mund ta perceptojmë për dimensionin politik e të tjera, se ka qenë një vit me shumë ngarkesa të debateve politike të cilat për fat të keq në disa raste janë reflektuar ne në ministri…Po e marr një shembull të cilin deri në këtë moment me KosovaPress unë jam kujdesur që të mos ta nxjerrim në publik, që të mos t’i japim në asnjë mënyrë dimension të përplasjes ndërmjet institucioneve. Ë kemi stadiumin e Prizrenit që aplikimi për leje ndërtimore për stadium është bërë me datën 9 korrik, kontrata për ndërtimin e stadiumit është nënshkruar me 11 shtator dhe sot që jemi në vitin 2026 ende nuk e kemi lejen nga komuna e Prizrenit… Kontrata dhe operatori ekonomik presin nga data 12 shtator, do të thotë, stadiumi i Prizrenit i ka humbur mbi tre muaj e gjysmë kohë kur mund të punohej në atë projekt.”, thekson Bislimi.

Sa i përket stadiumit të Gjilanit, Bislimi ka bërë të ditur se puna po vazhdon sipas planit dhe stadiumi pritet të jetë gati për ndeshje brenda vitit 2027, duke respektuar të gjitha afatet kontraktuale.

“Kemi pasur një bashkëpunim të ngushtë me komunën e Gjilanit që çdo pengesë objektive në realizimin e projektit të stadiumit të eliminohet. Kontrata është nënshkruar në muajin maj. Kontrata ka një afat prej dy vitesh të përmbylljes, të ekzekutimit të projektit. Deri në përfundim të vitit të kaluar, dinamika e punimeve ka qenë e kënaqshme dhe nuk është vërejtur asnjë devijim nga kushtet kontraktuale, nga plani dinamik i punimeve. Pra, maj-dhjetor i vitit të kaluar ka qenë periudhë kur në stadium është punuar intensivisht…Kontrata në tërësi sa i përket aspektit kohor i ka dy vite. Edhe ne deri në këtë moment nuk kemi asnjë indikacion që nuk do të kryhet brenda afatit kontraktual, pra presim vitin 2027 si vit kur do të zhvillohet ndeshja e parë në stadiumin e Gjilanit”, vijon tutje Bislimi.

Duke folur për ecurinë e punëve në përgatitjet për Lojërat Mesdhetare, Bislimi ka theksuar se bashkëpunimi me komunën e Prishtinës ka hasur vështirësi, duke bërë që disa investime të zhvendosen në komuna të tjera, megjithatë përgatitjet për Lojërat Mesdhetare, sipas tij, nuk janë ndikuar negativisht.

“Sa i përket çështjes së Lojërave Mesdhetare dhe bashkëpunimit ndër institucional, ne çuditërisht kemi pasur një përvojë jo pozitive të bashkëpunimit me komunën e Prishtinës edhe në sektorë të tjerë që mbulon ministria. Për fat të keq kjo është përcjellë edhe në pjesën e bashkëpunimit në fushën e sportit. Kemi pasur një dështim të komunës për të siguruar lokacionin për ngritjen e kompleksit multisportiv në bashkëpunim me federatën e basketbollit, që nuk është arritur të sigurohet lokacion në vitin 2025 dhe ai investim me siguri do të zhvendoset në ndonjë prej komunave të tjera të rajonit të Prishtinës. Kjo është një do ta quaj një dëm ndaj perspektivës zhvillimore të sportit në kryeqytet…Nuk kemi lejuar asnjëherë që këto përplasje të ndikojnë në dinamikën e përgatitjeve të Lojërave Mesdhetare. E them me përgjegjësi që kemi qenë jashtëzakonisht racional që të mos e që të mos e lejojmë që kjo përçarje të mbizotërojë ndaj dinamikës së punëve përgatitore që na presin përpara për Lojërat Mesdhetare”, deklaron Bislimi.

Bislimi ka bërë të ditur se janë planifikuar investime masive për Lojërat Mesdhetare, përfshirë fshatin olimpik, komplekse sportive dhe akuatike, me një vlerë totale që arrin rreth 253 milionë euro për të gjithë ciklin e projekteve.

“Në terren do të kemi rikonfigurimin e qendrës së studentëve që do të shërbejë si fshat olimpik, që do të pranojë akomodimin e një numri të madh të sportistëve dhe të 12 shkollave ose palestrave të shkollave në kryeqytet që shërbejnë si hapësira për stërvitje. Pastaj do të kemi investime shumë planëshe, masive në Pallatin e Rinisë dhe të Kulturës dhe të Sportit në kryeqytet. Do të thotë tash është nënshkruar kontrata me Bankën Evropiane për Investime për zhvillimin e projektit ideor dhe skematik, i cili do të jetë donacion për shtetin e Kosovës dhe që i paraprin pastaj negocimit të kredisë ndërkombëtare për të siguruar ekzekutimin e një projekti që vlera totale e tij do të jetë ndërmjet 50 dhe 60 milionë euro. Pastaj do të kemi ngritjen e kompleksit të pishinave ose qendrës akuatike që quhet, i cili do të do të jetë projekt nga e para, do të ndërtohet nga fillimi. Tani jemi në fazën e përcaktimit të lokacionit për këtë kompleks masiv. Është interesant që shumë pak shtete e kanë këtë lloj të infrastrukturës sepse edhe është e kushtueshme në realizim, po edhe më e kushtueshme në mirëmbajtje. Pastaj do të kemi edhe ngritjen e kompleksit të qendrës sportive në Bërnicë ose në ndonjë lokacion që do të na ë propozohet fillimisht, pastaj institucionet marrin vendimet përkatëse. Do të thotë në tërësi do të kemi një vlerë të përafërt prej 253 milionë euro që do të investohet në të gjithë ciklin e objekteve, komplekseve sportive të cilat i vihen në dispozicion Lojërave Mesdhetare 2030”, bën të ditur Bislimi.

 

By US6