Prishtinë, 11 janar 2026 07:43
Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka publikuar raportin e përditësuar për gjendjen e vërshimeve në vend për periudhën 9–10 janar 2026.
Sipas të dhënave të fundit pranuara nga Qendrat Operative Emergjente 112, Njësitë e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, Drejtoritë për Shërbime Publike Emergjente si dhe raportimeve të qytetarëve, situata në nivel vendi paraqitet kryesisht stabile dhe e menaxhueshme.
AME njofton se pas rënies së intensitetit të reshjeve të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës, në shumicën e rajoneve është vërejtur përmirësim i dukshëm i gjendjes, me rënie graduale të nivelit të ujit në lumenj dhe përrenj. Sipas raportit zyrtar, nuk raportohet për humbje jete.
Në rajonin e Prishtinës, vërshime janë regjistruar në rrugën “Rifat Berisha” në Prishtinë, në fshatin Hajvali (rruga “Brigada 153”), në fshatin Smallush të Lipjanit, në rrugën Shtime–Reçak, si dhe në Graçanicë, përfshirë zonën e Motel “Villa Hilton” dhe rrugën pranë Prishtina Mall. Ndërkohë, në Fushë Kosovë, Obiliq, Drenas dhe Podujevë situata paraqitet e qetë, pa raste që kanë kërkuar ndërhyrje.
Në rajonin e Prizrenit, në komunat Prizren, Suharekë, Rahovec dhe Mamushë nuk janë raportuar thirrje për intervenim dhe rrugët mbesin të kalueshme. Dy intervenime janë realizuar në Malishevë për rrugë të bllokuara nga uji, ndërsa në Dragash është kryer një intervenim teknik në fshatin Rapçë për shkak të bllokimit të pusetës.
Në rajonin e Mitrovicës, një familje është evakuuar nga kompleksi “Amina” në Mitrovicë nga Njësia Profesionale e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit. Sipas AME-së, aktualisht gjendja në këtë rajon është më e qetë dhe pa rrezik të menjëhershëm për vërshime të reja. Në Skenderaj dhe Vushtrri nuk janë raportuar raste që kërkojnë ndërhyrje. Ndërkohë, në Termocentralin “Kosova A”, në orën 07:05 është kërkuar intervenim urgjent për pompë thithëse me kapacitet të madh, ndërhyrje e cila është realizuar nga ekipet përkatëse.
Në rajonin e Pejës, përfshirë komunat Pejë, Deçan, Klinë, Istog dhe Junik, situata paraqitet stabile dhe pa kërkesa për intervenim. AME bën thirrje për kujdes të shtuar në segmentet rrugore Pejë–Rugovë dhe Pejë–Kullë, për shkak të pranisë së ujit në disa pjesë të rrugës.
Në rajonin e Gjakovës, situata është e qetë dhe stabile, me rënie të nivelit të ujit në lumenj. Raportohet një bllokim rruge si pasojë e shembjes së dheut.
Në rajonin e Gjilanit, vërshime janë raportuar në rrugën e Kufcës në Gjilan, ndërsa në komunat tjera të këtij rajoni, përfshirë Ferizajn, Kamenicën, Vitinë, Kaçanikun, Hanin e Elezit, Shtërpcën dhe komunat me shumicë serbe, situata paraqitet e qetë dhe pa vërshime.
AME vlerëson se situata aktuale mbetet stabile dhe e menaxhueshme. Rreziqet kryesore në ditët në vijim lidhen me reshjet e borës, ngricat dhe vështirësitë në qarkullim rrugor. Sipas raportit, nuk ka indikacione për përshkallëzim të situatës.
Qendra Operative e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent dhe të gjitha strukturat për Mbrojtje, Shpëtim dhe Ndihmë mbeten në gatishmëri të plotë 24 orë në ditë për monitorim dhe reagim të menjëhershëm sipas nevojës.

Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Aktivistët në Serbi po i heqin grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”
Gjykata cakton paraburgim për dy të dyshuar për krime lufte
Qelaj: Gjykata Speciale ka shkelur të drejtat e njeriut në rastin e ish-krerëve të UÇK-së
Banka Botërore ndan 6.8 milionë dollarë shtesë për shëndetësinë në Kosovë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit