Prishtinë, 9 janar 2026 21:21
Krishtlindja Ortodokse në Serbi u shënua nga pushteti me një program shumëorësh televiziv në “Informer TV”, media tabloide e afërt me presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili u shndërrua në një përzierje të pazakontë ahengu, ku iu hap rruga promovimit të hapur të ikonografisë çetnike dhe faktit që gjithçka u transmetua në televizion kombëtar, me pjesëmarrjen direkte të presidentit të Serbisë.
Programi live u drejtua nga kryeredaktori Dragan Vuciçeviq, ndërsa sipas javores “Vreme”, atmosfera në studio i ngjante më shumë një tubimi çetnik sesa një feste fetare, shkruan mediumi “Vijesti”.
Në studio ishin të pranishëm një sërë figurash të larta shtetërore dhe politike, përfshirë kryetaren e Kuvendit të Serbisë Ana Brnabiq, ministrin e Brendshëm Ivica Daçiq, kriminelin e dënuar për krime lufte Vojislav Sheshel, si dhe disa ministra të tjerë të qeverisë serbe.
Festa e Krishtlindjes u shoqërua me mish të pjekur, harmonikë dhe këngë çetnike, përfshirë këngë që glorifikojnë lëvizjen çetnike dhe ideologjinë nacionaliste serbe. Muzikantët u shpërblyen me para të gatshme, të cilat të ftuarit ua vendosnin në duar dhe mbi instrumente, ndërsa programi vazhdonte drejtpërdrejt në televizion me frekuencë kombëtare.
Reagime të forta nxiti edhe interpretimi i këngës “Oj, vojvodo Sindhelicu”, ku një varg u ndryshua në mënyrë fyese, duke shkaktuar zemërim dhe kritika në opinionin publik.
Më pas u zbulua se këngët çetnike në këtë festë i interpretonte Dragan Ashanin, një person i dënuar në vitin 1992 me 12 vjet burg për vrasjen e këngëtares 18-vjeçare Jasmina Gjorgjeviq.
Jasmina, e konsideruar në atë kohë si një nga talentet më premtuese të muzikës popullore serbe, u vra me armë zjarri nga Ashanin pas një konflikti, në sy të vëllait të saj të mitur. E plagosur rëndë, ajo ndërroi jetë rrugës për në spital, ndërsa fjalët e saj të fundit, sipas mediave të kohës, ishin: “Dua të jetoj. Ju lutem, më ndihmoni.”

Pavarësisht këtij krimi të rëndë, Ashanin sot shfaqet lirshëm në programe televizive dhe këndon në ngjarje ku marrin pjesë funksionarët më të lartë të shtetit serb, ndërsa emri i viktimës pothuajse nuk përmendet më.
Gjatë programit shumëorësh, në studio mbërriti edhe vetë presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili qëndroi afro dy orë në bisedë me drejtuesit e emisionit. Ai foli për, siç tha, “përpjekjet për mbylljen e Informerit”, refuzoi ushqimin e ofruar, ndërsa në dalje nga studio u përshëndet dhe i shtrëngoi duart me Vojislav Sheshelin.
