Prishtinë, 06 Korrik 2025
Të gjithë shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit, përveç zgjedhjeve për Kuvend, mund të votojnë edhe në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, nëse aplikojnë dhe regjistrohen suksesshëm për votim jashtë Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka theksuar për RTKlive se për procesin e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, KQZ-ja ka caktuar afatin 38 ditësh, i cili do të fillojë më 23 korrik dhe do të përfundojë më 29 gusht 2025.
Sipas tij, aplikimi për regjistrim do të mund të bëhet përmes platformës elektronike të KQZ-së ose përmes postës, duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Elezi ka theksuar se çdo aplikim për regjistrim duhet të jetë individual.
Ndryshe nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në Zgjedhjet Lokale, votimi jashtë vendit realizohet vetëm përmes postës, pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme specifikon se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këtë lloj zgjedhjesh.
Gjithashtu, Elezi ka bërë të ditur se në këto zgjedhje, KQZ-ja do të sigurohet që shtetasve të Kosovës që regjistrohen suksesshëm për të votuar nga jashtë Kosovës në votimin me postë, t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotime.“Këtë kosto do ta mbulojë KQZ. Kjo masë, konsiderojmë se do të ndikojë në integritetin e këtij procesi. Ndërkaq, votuesi do të duhet që pakon me fletëvotime ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së që hapen në shtete të ndryshme të botës dhe në Kosovë”, ka thënë ai për RTKlive.
Sipas Elezit, periudha e votimit jashtë Kosovës do të vlejë vetëm për shtetasit që do të arrinë të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit.
Sipas vendimit të KQZ-së, votimi përmes postës do të fillojë më 17 shtator dhe do të përfundojë një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, pra më 11 tetor 2025.

Për gjashtë muaj, 46 viktima në 45 aksidente fatale
Lirohet i riu nga Kosova që u ndalua nga policia serbe në Horgosh
Policia mohon arrestimin e shtetasit turk: U paraqit si ankues, pas intervistimit u lirua
Policia: Krimet e luftës të raportohen vetëm te Drejtoria për Hetim
Edhe 30 ditë paraburgim pjesëtarit serb të MUP-it, V.M. dyshohet se kidnapoi Milan Vukashinoviqin në Leposaviq
Arrestohet një shtetas turk, i dyshuar për pjesëmarrje në Masakrën e Krushës
Kosova e mbyll me fitore Kampionatin Ballkanik U17, mposht Moldavinë në tre sete
Boksieri shqiptar përballet sonte me Anthony Joshuan