Prishtinë, 22 dhjetor 2025 07:35

Në nëntorin e Festave kuqezi, Bad Homburg, një qytet pranë Frankfurtit, u shndërrua në pikëtakimin e radhës së sipërmarrjes shqiptare në Gjermani, teksa priti takimin vjetor të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane.

Ky event i përvitshëm mblodhi dhjetëra biznesmenë, profesionistë dhe përfaqësues institucionesh, të cilët ndanë përvoja, ide dhe vizione për forcimin e bashkëpunimit mes anëtarëve dhe jo vetëm.

Takimi shërbeu jo vetëm si një platformë rrjetëzimi, por edhe si një hapësirë reflektimi mbi sfidat, arritjet dhe perspektivat e reja të biznesit në Gjermani.

Kryetari i Unionit, Nazmi Viqa dha më shumë detaje rreth punës së Unionit, rrugëtimit të tij dhe objektivat e ardhshëm.

Sipas tij, Unioni shqiptaro-gjerman i biznesit po tërheq gjithnjë e më shumë sipërmarrje shqiptare dhe gjermane, duke u shndërruar në një platformë reale bashkëpunimi.

“Sot Unioni nuk është vetëm i shqiptarëve për shqiptarët, por një hapësirë serioze ekonomike,” thotë Viqa.

40 anëtarësime të reja vetëm gjatë vitit 2025

Një nga shifrat që bie më shumë në sy në intervistën me Viqën, është numri i anëtarësime gjatë vitit që po lemë pas, plot 40 hyrje të reja.

“Është dëshmi e qartë se Unioni po forcohet dhe po fiton besimin e biznesit,” thekson Kryetari i Unionit Shqiptaro-Gjerman të Biznesit.

1000 biznese në data-bazë, një fuqi që nuk injorohet

Aktualisht, Unioni ka rreth 1000 biznese të regjistruara në data-bazën e tij, duke u konsideruar tashmë një forcë reale ekonomike.

“Shumë anëtarë ja kanë parë hairin këtij rrjeti bashkëpunimi”.

Investimet në Shqipëri dhe Kosovë, fokusi i radhës

Unioni synon të luajë një rol më aktiv edhe në investimet në Shqipëri dhe Kosovë, veçanërisht në sektorë strategjikë. Vetëm në Kosovë, diaspora sjell rreth 1.3 miliardë euro remitanca në vit, shifër që tregon potencialin e jashtëzakonshëm ekonomik. Ndaj dhe Nazmi Viqa kërkon më shumë projekte që përfshijnë bizneset nga diaspora.

“Bizneset e diasporës duhet të përfshihen drejtpërdrejt në projektet zhvillimore,” thotë ai.

 

By US6