Prishtinë 17 Dhjetor 2025 08:11
Për herë të katërt brenda të njëjtit vit, shumica e subjekteve politike në Kosovë, do të zhvillojnë fushatën e tyre zgjedhore në kërkim të mbështetjes së votuesve.
Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dhe atyre lokale të 12 tetorit dhe 9 nëntorit, subjektet politike do të kërkojnë sërish mbështetjen e votuesve në zgjedhjet e parakohshme.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka shpjeguar për RTKLive, se fushata zgjedhore për 24 subjektet politike me 1,180 kandidatë, do të zhvillohet nga 17 dhjetori deri në orën 06:59 të datës 28 dhjetor.
“Për 11 ditë e 7 orë, subjektet politike do të mund të zhvillojnë aktivitetet e tyre në kuadër të fushatës zgjedhore. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin 2023 nga Kuvendi i Kosovës, fushata zgjedhore përfundon me hapjen e qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve. Pra, ashtu si në zgjedhjet e fundit që u mbajtën në shkurt dhe tetor të këtij viti, një ditë para ditës së zgjedhjeve, të shtunën, nuk do të jetë heshtje zgjedhore”, tha Elezi.
Elezi ka treguar për ndalesat dhe kufizimet ligjore gjatë periudhës së fushatës zgjedhore që duhet t’i respektojnë subjektet politike dhe mbështetësitë e tyre.
“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ka përcaktuar një sërë veprimesh të ndaluara për subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësit e tyre, gjatë fushatës zgjedhore. Këto ndalesa lidhen kryesisht me mospengimin e fushatës së kundërshtarit politik dhe ndalimin e rreptë të kërcënimeve dhe dhunës gjatë procesit zgjedhor. Në përgjithësi, sipas ligjit, fushata duhet të zhvillohet në një atmosferë të qetë, të respektueshme, demokratike, pa gjuhë urrejtjeje, pa frikësime dhe e distancuar nga çdo formë dhune”, tha Elezi.
Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 9 shkurt, PZAP kishte shqiptuar gjoba në vlerën e 651 mijë eurove ndaj subjekteve politike që kishin shkelur Kodin e Mirësjelljes.
Gjatë fushatës zgjedhore, KQZ do të angazhojë monitorues në komuna të ndryshme të cilët do të përcjellin organizimin e takimeve, fushatave reklamuese dhe materialeve tjera promovuese.
“Sipas ligjit, KQZ nuk i trajton ankesat për shkelje gjatë fushatës zgjedhore, pasi kjo është detyrë e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Megjithatë, KQZ ka rol në monitorimin e organizimit të takimeve, fushatave reklamuese dhe materialeve të tjera promovuese. Përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, do të angazhohen monitorues në komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët do të përgatisin raporte për aktivitetet e subjekteve politike. Këto raporte do të shfrytëzohen si burim informacioni për evidentimin dhe krahasimin me të dhënat e deklaruara në raportin financiar të fushatës”, njoftoi Elezi.
Për pjesëmarrje në zgjedhjet parakohshme për Kuvendin e Kosovës, janë certifikuar 24 subjekte politike, prej të cilave, 18 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur, ndërkaq numri i përgjithshëm i kandidatëve që garojnë për ulëse në Kuvend është 1,180 kandidatë.

Mandati i KQZ-së në përfundim, disa parti ende pa propozime
KQZ e pezullon AKR-në për shkak te mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor brenda afatit
KQZ për zgjedhjet e reja: Do të veprojmë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor
KQZ miraton rekomandimet për reformë zgjedhore, kërkohen edhe ndryshime ligjore
Supremja thotë se i ka shqyrtuar të gjitha ankesat kundër vendimeve të PZAP-së
Intervistohen 14 persona në Kllokot për dyshim për falsifikim të votave
Komandanti i KFOR-it: Që nga tetori 2025, situata në Kosovë është përgjithësisht e qetë
“Ky është më shumë se një meç, do të luftoj për Shqipërinë dhe për shqiptarët”, Prenga me fjalë të mëdha para meçit jetik me Joshuan
Vitin e shkuar u ngritën 15 aktakuza për krime lufte, 10 prej tyre në mungesë
Milanoviq: Pretendime të pakuptimta se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova po përgatiten të sulmojnë Serbinë