Prishtinë 16 Dhjetor 2025 10:06
Zgjedhjet e parakohshme nacionale janë përcaktuar të mbahen më 28 dhjetor. Mirëpo zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se në natën e ndërrimit të mot-moteve apo më 31 janar, nuk do të ketë numërim të fletëvotimeve
Elezi në emisionin “60 Minuta” në KTV, bëri të ditur se edhe pse numërimi i fletëvotimeve do të ndërpritet në natën e Vitit të Ri, kutitë e votimit do të ruhen vazhdimisht nga Policia e Kosovës.
“Në natën e fundvitit apo ndërrimit të mot-moteve nuk do të ketë numërim të fletëvotimeve. Orarin se si do të organizohet do ta diskutojmë kur të jemi më afër datës së zgjedhjeve. Materialet zgjedhore, kutitë e votimit, të gjitha këto ruhen në Qendrat Komunale të Numërimit non-stop nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës”, ka deklaruar Elezi.
I pyetur se pse është kontraktuar kompania e njëjte e cila në zgjedhjet lokale, i shtypi me gabime teknike disa fletëvotime si pasojë e të cilave pati shumë reagime e mundësi për keqpërdorim në Mitrovicën e Jugut, zëdhënësi i KQZ-së tha se janë ndërmarrë disa masa, një ndër to vendosja e një QR Kodi-it për gjurmimin nëse do të ketë ndonjë rast të ngjashëm sërish.
“Çështjet e kontraktimit të një kompanie ka të bëjë me aspektet e përmbushjes së kërkesave të ndryshme që dalin nga Ligji për Prokurimin Publik. Sa i përket sigurisë, KQZ-ja ka marrë disa hapa në këtë drejtim. Një nga to është vendosja e një QR Kodi në pjesë të caktuara të fletëvotimit përmes së cilave mund të bëhet gjurmimi apo vërejtja e ndonjë rasti të ngjashëm sikurse herën e kaluar. Aktualisht shtypja e fletëvotimeve është duke u bërë në kompaninë e njëjte, në kompaninë CETIS. Janë shtypur fletëvotimet që dërgohen me postë ndërsa po shtypen aktualisht edhe të tjerat”, ka deklaruar Elezi.
Marrë parasysh që festat e fundvitit mund të ndikojnë sidomos votimin me postë, Elezi sqaroi se tërheqja e pakove me fletëvotime në vendet e BE-së, do të bëhet më 2 janar apo në ditët pasuese të punës varësisht se si janë të përcaktuara në shtetet ku do të votohet nga bashkatdhetarët.
Elezi u shpreh optimist edhe që ky proces nuk do ta vonojë as atë të shpalljes së rezultateve.
“Është marrë parasysh edhe aspekti i fundvitit dhe në këtë drejtim sipas planifikimeve që janë bërë nga shërbimi votues, tërheqja e pakove me fletëvotime nga kutitë postare të KQZ-së do të bëhet më 2 janar 2026 dhe në rastet kur shërbimet postare nuk funksionojnë për shkak të festave, tërheqja do të bëhet në ditën pasuese të punës. Do të ketë disa opsione sa i përket kohës se kur do të bëhet tërheqja e këtyre dërgesave dhe të sillen në Kosovë. Besojmë që nuk do e vonojë shpalljen e rezultateve sepse janë procese të ndërlidhura dhe derisa të vijë koha të bëhet numërimi i këtyre pakove, deri në atë kohë do të arrijmë t’i mbyllim të gjitha aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit. Në bazë të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, në ditën e zgjedhjeve pra në këtë rast më 28 dhjetor, numërimi i fletëvotimeve do të bëhet në vendvotime dhe kjo do t’ia mundësoj KQZ-së që brenda disa orëve të shpallë rezultatin preliminar për subjektet politike”, deklaroi tutje Elezi.
Zëdhënësi i KQZ-së po ashtu ka thënë se secilit votues i cili është regjistruar për të votuar me postë, i është përcjellë informacioni përmes e-mailit që nuk mund të votojë pastaj edhe në Kosovë sepse i hiqet emra nga lista e votuesve.
“Çdo shtetasi të Kosovës i cili është regjistruar për të votuar në votimin jashtë Kosovës, ne ua kemi përcjellë individualisht informacionin që emrat e tyre largohen nga listat e votuesve e cila shpërndahet në ditën e zgjedhjeve në Kosovë. Është detyrim ligjor për KQZ-në që votuesit që regjistrohen jashtë vendit, emrat e tyre t’i largoj nga lista votuese e cila shpërndahet në vendvotime në Kosovë për të shmangur votimin më shumë se një herë”, ka thënë Elezi
Me procesin e balotazhit, qytetarët më 28 dhjetor në zgjedhjet e parakohshme, do t’i drejtohen për të katërtën herë me radhë kutive të votimit.

Mandati i KQZ-së në përfundim, disa parti ende pa propozime
KQZ e pezullon AKR-në për shkak te mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor brenda afatit
KQZ për zgjedhjet e reja: Do të veprojmë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor
KQZ miraton rekomandimet për reformë zgjedhore, kërkohen edhe ndryshime ligjore
Supremja thotë se i ka shqyrtuar të gjitha ankesat kundër vendimeve të PZAP-së
Intervistohen 14 persona në Kllokot për dyshim për falsifikim të votave
Komandanti i KFOR-it: Që nga tetori 2025, situata në Kosovë është përgjithësisht e qetë
“Ky është më shumë se një meç, do të luftoj për Shqipërinë dhe për shqiptarët”, Prenga me fjalë të mëdha para meçit jetik me Joshuan
Vitin e shkuar u ngritën 15 aktakuza për krime lufte, 10 prej tyre në mungesë
Milanoviq: Pretendime të pakuptimta se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova po përgatiten të sulmojnë Serbinë