
Mitrovica e Veriut, qershor 2025
Planet verore të qytetarëve të Mitrovicës së Veriut: Ku do të shkojnë këtë vit në det? Shqipëria – zgjedhje gjithnjë e më e shpeshtë për shkak të çmimit, qetësisë dhe natyrës.
Ditët e nxehta tashmë kanë mbërritur, kafenetë me ajër të kondicionuar janë plot me biseda për vetëm një temë – pushimet verore. Temperatura rritet, disponimi po ashtu, dhe shumë qytetarë nga Mitrovica e Veriut tashmë numërojnë ditët deri te nisja për pushime.
Për shumicën, pushimet nuk janë vetëm një arratisje nga përditshmëria, por një moment lirie, frymëmarrjeje të thellë, kohë e kaluar me familjen, miqtë dhe më e rëndësishmja – me vetveten. Qoftë udhëtimi me veturë drejt Adriatikut, një aranzhim i organizuar për në Greqi, apo gjithnjë e më shpesh, udhëtim drejt Shqipërisë – një gjë është e sigurt: deti thërret.
Shqipëria – destinacion në rritje
Vitet e fundit, Shqipëria ka hyrë në mënyrë thuajse të padukshme, por të sigurt, në mesin e destinacioneve më të dëshiruara verore për qytetarët e veriut të Kosovës. Arsyeja është e thjeshtë: natyrë e bukur, plazhe të gjata, çmime të përballueshme dhe mikpritje e jashtëzakonshme.
Petar, një taksist nga Lagjja e Boshnjakëve, tashmë për të tretën herë me radhë shkon për pushime në Durrës:
„Për ne si familje, Shqipëria është një goditje në shenjë. Deti është i ngrohtë, plazhet të pastra, vendasit të sjellshëm. Nuk ka turmë si në Mal të Zi, çmimet janë më të ulëta, dhe kemi gjithçka që na nevojitet. Këtë vit po marr edhe komshinjtë – mezi po presim.“

Plazhet si ato në Ksamil, Sarandë, Durrës apo Jalë lënë pa frymë – rërë e bardhë, det i kaltër si tirkizi dhe pamje nga malet në sfond – pamje që shumëkush më parë nuk i ka lidhur me Shqipërinë. Por ata që kanë shkuar një herë, gjithmonë kthehen sërish.
Sigurisht, Greqia dhe Mali i Zi ende mbajnë një pozitë të fortë mes destinacioneve të preferuara. Disa nuk duan të ndryshojnë atë që është provuar dhe e sigurt.
Ivana, një infermiere, thotë se ajo dhe burri i saj tashmë prej vitesh janë besnikë ndaj vendpushimit Nei Pori:
„Për ne është si shtëpia e dytë. Atje kemi një zonjë që na pret gjithmonë, dimë ku të hamë gyros-in më të mirë dhe për ne, ky është pushimi pa stres. Por sinqerisht, shumë nga lagjja ime tashmë kanë kaluar në Shqipëri.“
Milena nga Zveçani, profesoreshë, prej vitesh pushon në Ulqin:
„Nuk do ta ndryshoja atë që e dua. E dua të njohurën. Por kur dëgjoj se si e lavdërojnë Sarandën dhe Ksamilin… po filloj të mendoj që vitin tjetër ndoshta të provoj diçka të re.“
Të rinjtë kërkojnë aventurë dhe kursim
Për brezin e ri, pushimet shpesh janë mundësi për eksplorim, udhëtime me pak shpenzime, shoqëri dhe ndjenjë lirie. Shumë prej tyre zgjedhin kampime, udhëtime me veturë dhe qëndrim në natyrë.
Ana (22), studente e sociologjisë, planifikon pushime me çadër në jug të Shqipërisë:
„Do të shkojmë me veturë, kemi çadër, planifikojmë të kampojmë afër Jalës. Kjo është kënaqësi e pastër. Muzikë, kamping afër detit, pa luks – por me ndjenjën e lirisë së plotë. Këto kujtime nuk harrohen.“
Pavarësisht nga destinacioni, një gjë i bashkon të gjithë – dëshira për t’i ikur për një çast përditshmërisë. Në momentin kur njeriu zgjohet me zhurmën e valëve, ha drekë nën hijen e ullirit apo shikon perëndimin e diellit nga një karrige plastike në ballkonin e apartamentit – atëherë kupton sa pak nevojitet për të ndier lumturinë.
Pushimet janë, në fakt, koha kur njerëzit mësojnë sërish të ngadalësojnë. Kur kafeja e mëngjesit zgjat një orë. Kur fëmijët vrapojnë zbathur, ndërsa të rriturit më në fund marrin frymë pa peshën e brengave të përditshme.
Slađana (36), nënë e dy fëmijëve, këtë vit për herë të parë do të shkojë në Shqipëri, në Vlorë:
„Fëmijët duan detin, ndërsa ne shikojmë edhe çmimin. Në Shqipëri gjetëm gjithçka – apartament afër bregut, kuzhinë vendore dhe njerëz të sjellshëm. Sinqerisht, u habita se sa mirë janë të organizuar. Dhe ndihemi të sigurt.“

Në kohë kur sfidat e përditshme janë të shumta, pushimet bëhen jo vetëm kënaqësi, por edhe ilaç. Gjithnjë e më shumë njerëz nga Mitrovica e Veriut zgjedhin atë që u ofron qetësi, bukuri dhe përballueshmëri. E duket se Shqipëria është pikërisht kjo – vend që ofron të gjitha këto, dhe shumë më tepër.
Deti na mëson thjeshtësinë. Dhe ndoshta kjo është pikërisht ajo që të gjithë po kërkojmë – pak qetësi, diell mbi lëkurë dhe ndjenja që, të paktën për disa ditë, gjithçka është ashtu siç duhet të jetë.
E ju, ku do të shkoni në det?
