Graçanicë, 29 shtator 2025
Sapo ka mbushur moshën 36 vjeçare. I mirëarsimuar dhe i kalitur në fushën e administrimit të pushtetit lokal, falë përvojës shumëvjeçare në Komunën e Graçanicës, ku shërben edhe sot.
Aktualisht është nënkryetar për komunitete në këtë komunë dhe përballë vetes ka një sfidë, të cilën e ka pranuar vullnetshëm, me qëllim kryesor t’u shërbejë qytetarëve të komunës, pa dallim etnie, feje apo kulture.
Është Leutrim Ajeti – kandidat për kryetar të Komunës së Graçanicës, i cili ka arritur të bashkojë rreth kandidaturës së tij shumë njerëz në këtë komunë, jo vetëm shqiptarë, por edhe serbë, romë, ashkalinj dhe pjesëtarë të pakicave të tjera që jetojnë dhe veprojnë në këtë komunë.
“Aleanca për Shqiptarët për Graçanicën është një tentativë e nisur shumë vite më parë. Kur kam marrë pozitën e nënkryetarit, aty ka filluar bashkimi i forcave shqiptare për Graçanicë, sepse gjithmonë kam qenë i hapur për të gjithë. Zyra ime ka qenë e hapur për shqiptarët, romët, serbët, ashkalinjt, etj. Shqiptarët kanë pasur një adresë dhe nga kjo ata nuk kanë pasur nevojë të ndjekin më parti të ndryshme. Kjo ka qenë ajo që na ka bërë bashkë. Aleanca tregon se ata që mundohen të bëjnë presion nuk do të arrijnë, sepse do të punojmë bashkë me të gjitha komunitetet”, – thotë Ajeti, në një intervistë gjatë një emisioni televiziv.
Ai shton se gjatë kohës që ushtron pozitën e nënkryetarit, nuk ka pasur kërkesa vetëm nga shqiptarët, por edhe nga serbët, për realizimin e projekteve dhe adresimin e çështjeve të interesit të tyre.
“Kam pasur kërkesa edhe nga komuniteti serb për çështje të interesit të tyre, pra nuk kanë qenë vetëm shqiptarët. Ka raste kur kemi asfaltuar rrugë deri te një kishë në Shushicë, pastaj rrugën deri në lagjen e romëve. Kjo është arritur falë angazhimit tim dhe fondeve që kam siguruar për këto projekte”, – shprehet kandidati për kryetar të Komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti, i bindur se nuk ka bërë dallime etnie dhe se gjithë puna dhe angazhimi janë udhëhequr ndershmërisht për t’u dhënë zgjidhje kërkesave dhe halleve të qytetarëve.
I pyetur për pritjet pas 12 tetorit, kur zhvillohen zgjedhjet lokale në Kosovë, ai shprehet me bindje se do të dalë fitues.
“Unë besoj fuqishëm që me 12 tetor do të jemi fitues të padiskutueshëm, sepse, siç e përmenda, shqiptarët janë bashkuar. Banorët e Graçanicës dhe lagjet e saj do të bashkohen këtë herë për të votuar Aleancën për Shqiptarët, që mbetet adresa e vetme e zhvillimit të komunës dhe ngritjes së mirëqenies së qytetarëve që jetojnë në këtë komunë”, – përfundon Ajeti.
