Në më shumë se 30 qytete të Serbisë, qytetarët po mbahen protesta, me thirrjen e studentëve që po mbajnë bllokadë, duke kërkuar nga autoritetet shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Thirrja për veprim kolektiv u bë saktësisht shtatë muaj pas shembjes së strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona dhe një tjetër u plagos rëndë.
Protestat në të gjitha qytetet serbe parashihet të zgjasin tri orë, dhe më pas të mbahet një homazh 16-minutësh për viktimat.
Bllokimi i urave në Beograd
Në Beograd, rreth orës 18:00 protestuesit kanë bllokuar dy nga urat më të frekuentuara – Gazelën dhe Urën e Brankos.
Protestuesit në ura po brohorasin sloganin “Duam drejtësi, duam të vërtetën, duam zgjedhje”.
Aleksandar Jeremiq, qytetar nga Beogradi, shkoi në protestë me miqtë e tij. Ai tha se shpreson që kërkesa për zgjedhje të parakohshme, e ngritur nga studentët, të realizohet.
“Kjo është një ide që edhe unë e mbështes, por ata [studentët] kanë energjinë. Ata po e udhëheqin këtë, ne jemi këtu për t’i përkrahur. Ky protestë është vetëm një hap në këtë proces”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Kërkesë për zgjedhje, edhe në Novi Sad
Në Novi Sad, studentë dhe qytetarë bllokuan një nga nyjet kryesore në qendër të qytetit.
Një student i Fakultetit Juridik u drejtua të pranishmëve duke theksuar se një shoqëri demokratike nënkupton mbikëqyrjen e pushtetit dhe kërkimin e llogaridhënies.
“Është koha t’u kujtojmë se i shohim dhe duam zgjedhje të parakohshme. Koha është që të organizohemi dhe t’ua bëjmë të qartë se nuk do të tolerojmë parregullsitë zgjedhore dhe se Kushtetuta do të respektohet”, tha ai.
Organizimin e protestës në Novi Sad e mbështetën qytetarët e bashkuar në kuvende lokale. Një përfaqësuese e tyre kërkoi gjithashtu shpalljen e zgjedhjeve.
“Këtë po e themi nga Novi Sadi, por edhe qytete të tjera po protestojnë në të njëjtën kohë. Nuk ka më asnjë ditë për të pritur – ju mbetet vetëm të shpallni zgjedhje”, u shpreh ajo.
Protestë masive studentore në Pozharevc
Në Pozharevc, protesta filloi më herët gjatë ditës dhe është parashikuar të zgjasë 13 orë. Në protestë po marrin pjesë studentë dhe nxënës nga qytete të tjera – nga Çaçaku erdhën vrapues me stafetë, ndërsa nga Beogradi dhe Jagodina, protestues që udhëtuan në këmbë.
Qytetarët i pritën me një ceremoni mikpritëse një ditë më parë.
Organizatorët planifikojnë që në të gjitha qytetet të lexohen fjalime të njëjta.
Reagimet e Qeverisë serbe dhe mbështetja e publikut
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, nga partia në pushtet, reagoi duke e quajtur bllokimin e urave në Beograd “shqetësim i qytetarëve pa kuptim dhe qëllim”. Në një postim rrjetet sociale ajo e përshkroi protestën si “dhunë për hir të dhunës, me filozofi jete – mundemi, jemi arrogantë dhe të pandjeshëm”.
Studentët serbë që për më shumë se gjashtë muaj po bllokojnë fakultetet publike dhe po organizojnë protesta në gjithë Serbinë, gëzojnë mbështetjen e qindra mijëra qytetarëve – përfshirë grupe lokale, bujq, avokatë, aktorë, e të tjerë.
Në fillim të majit, studentët kërkuan shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke theksuar se për shkak të “korrupsionit të thellë të rrënjosur”, institucionet nuk janë të afta të veprojnë lirisht për t’u përgjigjur kërkesave të tyre.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 16 maj se zgjedhjet do të mbahen brenda një viti e gjysmë, kur institucionet përkatëse të marrin vendim.
Për studentët, kërkesa kryesore mbetet përcaktimi i përgjegjësisë penale dhe politike për vdekjet në stacionin hekurudhor në Novi Sad.
Autoritetet kanë deklaruar disa herë se kërkesat e studentëve janë përmbushur, por studentët i kanë hedhur poshtë këto pohime dhe kanë vendosur të vazhdojnë me protestat dhe bllokadat. REL

Kandiç i kërkon Serbisë të përballet me krimet e luftës
Avokati Ivan Niniq kërkon rishikim të punës së Prokurorisë Publike për krim të organizuar në rastin “Panda” të vitit 1998
Serbia propagandon për “sulm ndaj serbëve”, Kosova e vendosur në zbatim të ligjit
Kongresisti Wilson i kërkon Serbisë t’i ndalë kërcënimet ndaj Kosovës dhe të shkëputet nga Rusia, Kina e Irani
Konstituimi i Kuvendit, Haxhiu fton në takim kryetarët e partive
Shqipëria i përgjigjet Vuçiqit: Retorika nacionaliste s’mund ta tërheqë zvarrë rajonin
Publikohet lista preliminare e të vrarëve dhe të zhdukurve në luftë
Prokuroria Speciale pritet të kërkojë paraburgim për dy të dyshuarit pas zbulimit të varrezës masive në Zubin-Potok
Mitrovica investon në mirëmbajtje të ndriçimit publik
Serbia i mbajti të fshehura krimet e kryera në Kosovë- Blakaj bën thirrje për ngritje të aktakuzave