Prishtinë, 21 shtator 2025
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar aleatët perëndimorë se po humbin kohë duke mos i vënë sanksione të reja Rusisë, për refuzimin për takim me palën ukrainase. Ai ka thënë se të njëjtën kërkesë do t’ia bëjë edhe presidentit amerikan, Donald Trump, kur ta takojë javën që vjen në New York.
Zelensky ka thënë se pret që të vendosen sanksione të tjera nëse Vladimir Putini nuk pranon të takohet me të për bisedime ballë për ballë ose të pranojë një armëpushim. “Nëse lufta vazhdon dhe nuk ka hapa drejt paqes, ne presim sanksione”, ka thënë ai.
Trump ka kërcënuar disa herë se do të veprojë ndaj Rusisë, por deri tani nuk ka marrë masa konkrete. Javën e kaluar, ai qe shprehur se SHBA-ja është gati të vendosë “sanksione të mëdha” – por vetëm nëse të gjitha vendet e NATO-s ndalojnë së bleri naftë nga Rusia dhe vendosin tarifa ndaj Kinës, një tjetër blerës i madh.
Duke folur për gazetarët në Kiev, Zelensky ka shprehur zhgënjim për ritmin e ngjarjeve.
“Presidenti Trump pret veprime të forta nga Evropa. Mendoj se po humbim shumë kohë nëse sanksionet nuk vendosen ose nuk ndërmerren hapa që ne i presim prej tij”, ka thënë Zelensky në zyrën e tij presidenciale.
Aleatët e afërt të Trumpit, Hungaria dhe Sllovakia, kanë refuzuar të ndërpresin lidhjet energjetike me Rusinë. Ato janë dy vendet e fundit të Bashkimit Evropian që vazhdojnë të blejnë naftë ruse përmes tubacionit Druzhba. Ukraina e bombardoi këtë tubacion muajin e kaluar, duke shkaktuar reagim të ashpër nga kryeministri hungarez, Viktor Orbán.
Zelensky ka thënë se dëshiron që “e gjithë Evropa” të vendosë sanksione. Ai ka shtuar se Trump mund “të shtyjë” vendet evropiane të bëjnë më shumë dhe se qeveria pro-ruse e Sllovakisë mund të ndikohet nga presioni amerikan. “Të gjithë i kanë sytë kah Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ai.

Miliband: Rusia nuk po e fiton luftën në Ukrainë
Sulm me dron rus në stacionin hekurudhor në Dnipro, 13 të vrarë dhe 10 të plagosur
Shkon në 64 numri i viktimave nga përplasja e trenave në Spanjë
Tragjedi hekurudhore në Spanjë, 46 të vdekur nga përplasja mes trenave
Trump mund të urdhërojë sulm të ri ndaj Iranit, ushtria amerikane në gatishmëri
Melania Trump ndërmjetëson armëpushimin mes Rusisë dhe Ukrainës në një qytet
Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit