Prishtinë, 17 shtator 2025
Ekspertët: Lista Serbe duhet hetuar për veprime kundër Kushtetutës. Lista Serbe po rishfaq destruktivitetin e saj dhe po zbaton politikat e Beogradit.
Në tubimin e parë zgjedhor të mbajtur në veri të Mitrovicës, Lista Serbe zgjodhi të nisë fushatën jo me platforma konkrete për përmirësimin e jetës së përditshme të serbëve të Kosovës, por me retorikë nxitëse dhe nacionaliste. Në vend të paraqitjes së planeve për zhvillim ekonomik, shëndetësi, apo arsim, pjesëmarrësit u përqendruan në glorifikimin e figurave të përfshira në akte të dhunshme dhe në sulme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës.
Një nga parullat më të spikatura gjatë mbrëmjes ishte: “Të gjithë për vëlla Milanin”, një referencë e drejtpërdrejtë ndaj Milan Radojçiqit, person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për terrorizëm dhe krime të rënda lufte. Tubimi filloi me intonimin e himnit të Serbisë, duke injoruar në mënyrë të qëllimshme karakterin civil të fushatës dhe duke e kthyer ngjarjen në një shfaqje të hapur propagandistike me mesazhe kundërshtetuese.
Folësit kryesorë në tubim nuk trajtuan aspak sfidat me të cilat përballen qytetarët serbë të Kosovës, por në vend të kësaj, u përqendruan në sulme verbale ndaj Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Milan Radojçiq, emri i të cilit u brohorit gjatë tubimit, është identifikuar si lider i grupit të armatosur serb që më 24 shtator 2023 kreu një sulm terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, duke rritur tensionet ndëretnike në rajon. Ai gjithashtu është nën hetim për përfshirje në krime lufte gjatë luftës së viteve ’90 në Kosovë.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest ndaj Radojçiqit dhe 19 personave të tjerë të nacionalitetit serb, të cilët dyshohen për përfshirje në masakrën e Gjakovës, ku sipas dosjeve të hetimit, janë vrarë 106 civilë shqiptarë dhe janë keqtrajtuar mbi 300 të tjerë.
Kjo qasje e Listës Serbe – që glorifikon figura të përfshira në akte dhune dhe nxit ndasi etnike në vend të bashkëjetesës – rrezikon përkeqësimin e situatës së sigurisë dhe dëmton përpjekjet për paqe e stabilitet në Kosovë. Në vend që të përfaqësojë interesat reale të komunitetit serb, kjo fushatë ngjan më shumë me një platformë destabilizuese dhe provokuese me mbështetje të drejtpërdrejtë nga Beogradi zyrtar.
E në lidhje me masat dhe çfarë ndikimi mund të kenë këto thirrje antirepublikë ndaj Kosovës, folën njohësit e sigurisë.
Dashevci: Lista Serbe duhet të hetohet dhe dënohet!
Së pari, eksperti i sigurisë, Arben Dashevci tha se veprimet e fundit të Listës Serbe në tubimin në Mitrovicë të Veriut janë të papranueshem.
Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” theksoi se e kjo vërteton se ata zbatojnë politikat e Beogradit.
“Po qysh në tubimin e parë zgjedhor në veri të Mitrovicës, Lista Serbe ka nisur fushatën e tyre jo me programe për mirëqenien e serbëve të Kosovës, por me thirrjet e vjetra për “çlirim të Kosovës” dhe glorifikim të terroristit Milan Radoiçiq që është i kërkuar nga institucionet tona të sigurisë, ndjekjes dhe drejtësisë për aktin terorrist në Banjskë së bashku me grupin e tij famëkeq ai e ka marë përgjegjësinë për Banjskën dhe prapë vazhdojnë me parullat destruktive “Të gjithë për vëlla Milanin” dhe kjo është vetëm njëra nga parullat kryesore të asaj dite ndërsa tubimi filloi me intonimin e himnit të Serbisë, duke e anashkaluar çdo gjë që ka të bëjë me Republikën e Kosovës dhe që është gjithashtu absolutisht e papranueshme, sepse po e rishfaqin në kontinuitet atë destruktivitetin e tyre dhe po i zbatojnë mendoj unë politikat e Beogradit kundrejt vendit tone”, nënvizoi ai.
Gjithashtu, Dashevci kërkoi hetim të plotë ndaj pjesëtarëve të Listës Serbe dhe dënim për deklaratat provokuese, që për synim kanë nxitje te tensioneve.
“Të gjjthë ato parti ose individ që kanë këso qasje duhet të hetohen në këtë rast pjesetarët e Listës Serbe dhe duhet të dënohen nga organet përgjegjëse për thirrje antirepublikë ndaj Kosovës. Këto deklarata të tyre, mendoj janë për konsumin e tyre të brendshëm politik dhe nuk mund të nxisin tensione të brendshme sepse qytetarët e asaj pjese. Besoj që e kanë kuptuar tash më politikën e kësaj liste, nuk dhe nuk mund të ketë tensione, seose nuk e kanë më atë famën që e kanë pasur më herët”.
Mirëpo, pavarësisht kësaj eksperti vlerëson se nuk do ketë incidente ndëretnike, pasi organet e Kosovës në bashkëpunim me ndërkombëtarët nuk do lejojnë këtë gjë.
“Nuk ka incidente ndëretnike dhe ata që i kanë shkaktuar këto incidente nuk janë më në Kosovë, pra në aspektin e brendshëm të sigutisë nuk ka kush të shkaktoj incidente, pasi që organet tona kanë kapacitete të plota për veprim, janë në çdo pjesë të Republikës së Kosovës, kanë përvojën e madhe, vigjilenca është në maksimum, janë në bashkëpunim të plotë me reaguesin e dytë nga BE- EULEX dhe reaguesin e tretë NATO me misionin KFOR”, përfundoi Arben Dashevci për “Bota sot”.
Gecaj: Glorifikimi i Radoiçiqit mund të përbëjë edhe nxitje të urrejtjes, përçarjes etnike dhe dhunës
Kurse, edhe eksperti tjetër, Hysen Gecaj i konsideron si shumë serioze, e që duhet të analizohen me kujdes nga organet kompetente.
“Deklaratat dhe veprimet si ato të Listës Serbe në tubimin zgjedhor në veri të Mitrovicës, përfshirë thirrjet për “çlirim të Kosovës” dhe glorifikimin e një personi të shpallur terrorist si Milan Radojçiq, janë serioze dhe duhen analizuar me kujdes nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga bashkësia ndërkombëtare”
Gjithashtu, Gecaj në prononcimin për “Bota sot” tha se këro janë thirrje antikushtetuese, e të cilat qëllim kanë dëmtimin e rendit kushtetues.
“Po, thirrjet që vënë në dyshim sovranitetin e Republikës së Kosovës apo që nxisin ndarje territoriale janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe mund të cilësohen si veprime që dëmtojnë rendin kushtetues.
Glorifikimi i një personi të armatosur dhe të lidhur me akte kriminale dhe terroriste, siç është rasti me Milan Radojçiq (i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë në shtator 2023), mund të përbëjë edhe nxitje të urrejtjes, përçarjes etnike dhe dhunës”, nënvizoi ai.
Tutje, eksperti në pyetjen se a duhet të hetohën këto thirrje të Listës Serbe, u përgjigj me po.
“Po. Sipas legjislacionit të Kosovës:
Neni 134 i Kodit Penal i referohet nxitjes së urrejtjes dhe përçarjes, dhe
Neni 141 i referohet cenimit të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Nëse vërtetohet që zyrtarë politikë kanë bërë thirrje të tilla, ato mund të përbëjnë vepra penale dhe duhet të hetohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe ndikimit potencial në sigurinë nacionale”, shpjegoi Gecaj.
Krahas kësaj, ai vlerëson se deklarata të tilla mund të nxisin tensione dhe të provokojnë reagime nga qytetarët.
“Deklaratat dhe mitingjet e tilla:
Mund të nxisin ndarje dhe polarizim etnik ndërmjet komuniteteve në Kosovë,
Mund të provokojnë reagime nga qytetarët shqiptarë dhe komunitetet tjera, duke rritur rrezikun për përplasje civile,
Mund të komplikojnë situatën e sigurisë në veri, veçanërisht në një periudhë kur stabiliteti është i brishtë”.
Në fund, eksperti parashikoi se çka mund të ndodhë më tej
“Institucionet e sigurisë dhe drejtësisë duhet të monitorojnë deklaratat publike, të hetojnë nëse janë shkelur ligjet, dhe të ndërmarrin masa ligjore nëse ka prova të mjaftueshme.
Bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht BE dhe KFOR-i, duhet të jenë të vëmendshëm ndaj veprimeve destabilizuese dhe të mbështesin institucionet e Kosovës në ruajtjen e rendit kushtetues.
Shoqëria civile dhe mediat duhet të luajnë rol në informimin e publikut dhe demaskimin e propagandës që nxit urrejtje ose glorifikon kriminelë.
Në fund, liria e shprehjes është themel i demokracisë, por nuk përfshin të drejtën për të kërcënuar rendin kushtetues, për të glorifikuar dhunën apo për të nxitë urrejtje. Këto veprime duhet të trajtohen me seriozitetin që meritojnë”, përmbylli Hysen Gecaj për “Bota sot’.

Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe, nderojnë dëshmorët në Gllobar të Drenasit
Vitin e shkuar u ngritën 15 aktakuza për krime lufte, 10 prej tyre në mungesë
Kosova përmirëson renditjen në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij, pas vendimit të Kushtetueses për ligjin e KPM-së
KQZ-ja kërkon 7 qershorin si datë të zgjedhjeve, Haxhiu pret sot në takim përfaqësuesit e partive
Parashikimi i motit për sot, pritet edhe borë në disa zona
Banka Botërore parashikon rritje ekonomike prej 3.7 për qind në Kosovë
Komandanti i KFOR-it: Që nga tetori 2025, situata në Kosovë është përgjithësisht e qetë
“Ky është më shumë se një meç, do të luftoj për Shqipërinë dhe për shqiptarët”, Prenga me fjalë të mëdha para meçit jetik me Joshuan