Prishtinë, 16 shtator 2025
Qeveria në detyrë ka prezantuar sot skemën e re të granteve për energji të pastër, e cila synon të përkrahë bizneset në rritjen e efikasitetit të energjisë dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së tyre në treg. Kjo nismë është mbështetur nga Qeveria e Luksemburgut dhe përfshin një fond prej një milion eurosh.
Sipas skemës së prezantuar, ndërmarrjet mund të përfitojnë deri në 20 mijë euro për një masë të vetme, ndërsa nëse kombinohen dy masa, shuma e grantit mund të arrijë deri në 25 mijë euro.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij, theksoi rëndësinë e investimeve të deritanishme në sektorin privat dhe ndikimin që ato kanë pasur në zhvillimin ekonomik.
Kurti tha se falë 100 milionë eurove kredi investuese të subvencionuara për 379 ndërmarrje dhe 12 milionë euro të tjera për 440 biznese janë hapur dyert për linja automatike për robot e për pajisje të reja.
“Tashmë i kemi hapur dyert për linja automatike, për robotë e për pajisje të reja, falë njëqind milionë eurove kredive investuese të subvencionuara për 379 ndërmarrje dhe dymbëdhjetë milionë euro të tjera për 440 biznese të cilët e zgjeruan kapacitetin, pa e rrezikuar bilancin. Për këtë jemi siguruar që të shfrytëzojmë edhe përkrahjen e mërgatës tonë përmes emetimit të bonove të thesarit, në vlerë prej 10.4 milionë euro të cilët kanë mundësuar investimet për prodhuesit vendor. Si vazhdimësi e investimeve që kemi bërë deri më tani skema të cilën po e prezantojmë sot është reflektim i dy prioriteteve të qeverisë sonë. E para përkrahjes së sektorit privat e veçanti për prodhuesit dhe për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve vendore dhe e dyta, rritjes së efiçiencës së energjisë e cila po ashtu ndërlidhet ngushtë me uljen e kostos së prodhimit dhe rritjes së konkurueshmërisë në tregun vendor e ndërkombëtar”, tha Kurti.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit institucional për zbatimin e kësaj skeme, duke theksuar se ajo vjen në një moment të rëndësishëm për tregun energjetik në Kosovë.
Sipas saj, kjo skemë do të përfshijë rritjen e konkurrueshmërisë për bizneset që kanë hy në treg të liberalizuar, uljen e kostos dhe ndikimin në uljen e importit.
“Kjo skemë vjen në një moment kyç kur në Kosovë po zbatohet faza e dytë e liberalizimit të tregut ku mbi 700 kompani tashmë operojnë në treg të liberalizuar dhe kjo është mënyra jonë për të siguruar që ata që prekën më së shumti, pra bizneset prodhuese, që janë shtylla kryesore e ekonomisë, të kenë përkrahjen e duhur për të bërë investime që janë të dobishme për ta dhe për ekonominë e Kosovës në shumë mënyra, duke përfshirë këtu rritjen e konkurrueshmërisë, uljen e kostos, ndikimin në uljen e importit si dhe të kemi biznese më të gjelbra dhe më konkurruese për Evropën sot dhe në të ardhmen. Skema e granteve për energji të pastër do të ofrojë deri në 20 mijë euro grant për një masë të vetme ose deri në 25 mijë euro në rast se kombinohen dy masa”, shtoi Rizvanolli.
