Prishtinë, 16 shtator
Prokuroria e Lartë në Novi Sad ka ngritur aktakuzë kundër trembëdhjetë personave në lidhje me shembjen e mbulesës së stacionit hekurudhor në këtë qytet, ku humbën jetën 16 persona dhe një tjetër u plagos rëndë, raporton Evropa e Lirë.
Në mesin e të akuzuarve është edhe ish-ministri i Ndërtimtarisë, Goran Vesiq.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se aktakuza është ngritur për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer vepra penale të kualifikuara si “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” sipas Kodit Penal.
Prokuroria i ka propozuar Gjykatës së Lartë në Novi Sad që të caktojë paraburgim për të akuzuarit, duke u thirrur në shqetësimin e madh publik që mund të cenojë zhvillimin e qetë dhe të drejtë të procesit gjyqësor, si dhe për shkak të rrezikut të përsëritjes së veprës penale.
Aktakuza përfshin ish-zyrtarë të Ministrisë së Ndërtimtarisë, Transportit dhe Infrastrukturës, ish-drejtorë të kompanisë “Infrastruktura e Hekurudhave të Serbisë”, projektues të konstrukteve, inxhinierë përgjegjës për projektin e lejes së ndërtimit, mbikëqyrës të punimeve, si dhe persona përgjegjës për kontrollin teknik dhe ekzekutimin e punimeve.
Sipas aktakuzës, përgjegjësit kanë lejuar përdorimin e objektit publik – ndërtesës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, krahu B – edhe pse punimet e rindërtimit ishin ende në zhvillim dhe objekti nuk kishte marrë lejen e përdorimit. Përveç kësaj, ata akuzohen për mosmirëmbajtjen e strukturës para rindërtimit dhe për parregullsi gjatë fazës së projektimit dhe ekzekutimit të punimeve.
“Për mbrojtjen e interesave të të dëmtuarve, prokuroria ka propozuar që gjykata t’u njohë kërkesat pasurore-juridike palëve të autorizuara. Gjithashtu është propozuar që të gjithë të akuzuarve t’u ndalohet ushtrimi i funksioneve dhe veprimtarive përkatëse, si dhe të detyrohen të mbulojnë shpenzimet e plota të procedurës penale”, thuhet në njoftim.
Pak ditë pas shembjes së mbulesës, Goran Vesiq dha dorëheqje, duke deklaruar se nuk ndihej fajtor, por se po vepronte si “njeri i përgjegjshëm”. Ai tha se gjatë mandatit të tij ishte përgatitur vetëm projekti përfundimtar i punimeve në stacionin hekurudhor, i cili, sipas tij, nuk miratohej nga ministria që ai drejtonte.
Vesiq dhe zyrtarë të tjerë kishin theksuar menjëherë pas tragjedisë se mbulesa e shembur nuk ishte përfshirë në projektin e rekonstruksionit të stacionit.
Vetëm katër muaj pas përfundimit të punimeve dhe hapjes solemne, në nëntor 2024, shembja e mbulesës së ndërtesës së stacionit hekurudhor shkaktoi vdekjen e 16 personave dhe plagosjen e rëndë të një tjetri.
Kjo tragjedi ndezi një valë protestash masive kundër qeverisë në mbarë Serbinë. Gjatë nëntë muajve të fundit, qindra mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë me kërkesën kryesore që të vendoset përgjegjësia penale dhe politike për këtë ngjarje.
Në qendër të protestave kanë qenë akuzat se shembja e mbulesës ishte pasojë e korrupsionit.

Miliband: Rusia nuk po e fiton luftën në Ukrainë
Sulm me dron rus në stacionin hekurudhor në Dnipro, 13 të vrarë dhe 10 të plagosur
Shkon në 64 numri i viktimave nga përplasja e trenave në Spanjë
Tragjedi hekurudhore në Spanjë, 46 të vdekur nga përplasja mes trenave
Trump mund të urdhërojë sulm të ri ndaj Iranit, ushtria amerikane në gatishmëri
Melania Trump ndërmjetëson armëpushimin mes Rusisë dhe Ukrainës në një qytet
Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit