Prishtinë, 12 shtator 2025
Turizmi në Kosovë po vazhdon trendin pozitiv të rritjes nga viti në vit. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025 është shënuar një rritje prej 5.6 për qind të vizitorëve, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Nga viti 2020 e deri më sot, numri i turistëve që kanë vizituar Kosovën është rritur. Në vitin 2020, Kosova u vizitua nga 151 mijë e 816 turistë, të cilët realizuan 266 mijë e 491 net-qëndrime. Ndërsa, në vitin 2021 ky numër u dyfishua, duke arritur në 355 mijë e 141 vizitorë, dhe më pas 460 mijë e 467 turistë në vitin 2022. Rritja vazhdoi në vitin 2023, kur vendi u vizitua nga 621 mijë e 486 turistë, me gjithsej 698 mijë e 68 net-qëndrime.
Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, në emisionin e fundit “Shtylla”, prodhim i KosovaPress kërkon nga institucionet që të trajtojnë sektorin e turizmit si prioritet dhe të krijojnë politika të qarta zhvillimore. Ai ka propozuar që Kosova të krijojë një Ministri të veçantë për Turizëm, e cila do të merrej ekskluzivisht me zhvillimin e këtij sektori strategjik.
“Nëse i shikojmë edhe statistikat, kemi rritje edhe për muajin korrik mbi 34 për qind dhe kjo është një tregues i jashtëzakonshëm që institucionet duhet të fokusohen në mbështetjen e industrisë së turizmit, duke krijuar qoftë politika, qoftë strategji, qoftë pjesën e elementeve përcjellëse, siç është qoftë infrastruktura apo çështje të tjera, të cilat janë shumë të rëndësishme. Ne kemi rekomanduar që ka ardhur momenti që Kosova ta ketë një Ministri Turizmit. Andaj, me ngulm jemi duke insistuar që tashmë Kosova duhet ta ketë një Ministri të Turizmit dhe jo të mbetet në një departament i cili është në kuadër të MINT…Në kuadër të kësaj mendojmë që politikat stimuluese, qofshin ato fiskale, mbështetja institucionale në raport me bizneset, fokusimi në pjesën e promovimit janë kruciale për zhvillimin e turizmit të Kosovës”, thotë Hoti.
Hoti përmendi disa praktika rajonale që Kosova duhet t’i marrë shembull, si subvencionimi i vizitorëve për net-qëndrime të gjata dhe ulja e TVSH-së për shërbimet turistike.
“Kemi edhe modele tjera, sa i përket çështjes së subvencionimit të tërë operatorëve dhe të agjencioneve për vizitorët që flenë nga nata e dytë që qëndrojnë, për shembull Maqedonia e Veriut e ka një stimulim të tillë që subvencionon deri në 14 euro për çdo person që fle nga nata e dytë e më tepër me qëllim që t’i nxisë që të rrinë sa më shumë dhe kjo është një model shumë i mirë që ne kemi rekomanduar që ta merr Kosova… 06:06 Tek pjesa akomodimi, Shqipëria e ka të zbritshme TVSH-në për pjesën e akomodimit me atë standarde, ka 21 për qind TVSH-në standarde dhe ka të zbritshme 6 për qind TVSH-në për akomodimin dhe kjo ka krijuar kushte jashtëzakonisht të mira për punë, sidomos të këtyre operatorëve, me qëllim që paketat e tyre turistike të jenë me çmim jashtëzakonisht të volitshëm dhe me çmim shumë të lirë në rajon dhe kjo automatikisht ndikon te tërheqja e vizitorëve pastaj që ta vizitojnë dhe ta frekuentojnë atë vend”, thekson Hoti.
