Podgoricë, 08 shtator 2025
Përderisa nuk ndalen reagimet për ndërprerjen e shfaqjes së “Lejlekut” nga nacionalistët serbë që s’e durojnë shqipen, filmi, nën regji të Isa Qosjes, ka arritur te një pjesë e publikut në Podgoricë. Të dielën mbrëma është shfaqur në Kinotekën e Malit të Zi, nja 3 kilometra larg prej vendit ku ditë më parë u ndërpre. I pranishëm ka qenë edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq i cili ka thënë se shfaqja është mesazh i qartë. Përderisa “Lejleku” ka mbyllur edicionin e dhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Debutues të Metrazhit të Gjatë “Xhada”, një tjetër film shqip s’ka kaluar pa vëmendjen e jurisë. Aktori Gentrit Shala është vlerësuar për rolin e tij në filmin e shkurtër “SOS” të Anita Morinës
Filmi shqip i ndaluar nga nacionalistët serbë që arritën ta pamundësonin shfaqjen e tij ditë më parë, ka arritur te publiku në Podgoricë. Ani pse jo në vendin ku u ndërpre, “Lejleku”, nën regji të Isa Qosjes, ndezi projektorin të dielën mbrëma.
Vendimi për ta shfaqur ka pasur edhe një tis simbolik: ka sfiduar nacionalizimin që çoi krye hapur edhe përballë një filmi vetëm pse flet shqip.
Organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Debutues të Metrazhit të Gjatë “Xhada”, qysh të mërkurën, kur akti i ndërprerjes së filmit bëri bujë – duke ndezur fitilin e reagimeve nga të gjitha anët, por duke shfaqur edhe heshtjen e një pjese të udhëheqjes politike – paralajmëruan se me filmin “Lejleku” – i cili në Podgoricë u shfaq për herë të parë dhjetorin e kaluar – do ta mbyllin edicionin e dhjetë të festivalit. Kanë arritur ta bëjnë këtë në Kinotekën e Malit të Zi, nja 3 kilometra prej lokacionit ku “programin” e diktuan nacionalistët, sepse u pengoi shqipja.
Aty ka qenë i pranishëm edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq i cili ka thënë se i cili ka thënë se shfaqja është mesazh i qartë.
“Sonte, nga shfaqja e përsëritur e filmit ‘Lejleku” po dërgojmë një mesazh të qartë: Mali i Zi është dhe duhet të mbetet një shoqëri civile në të cilën ushqehen liria e shprehjes artistike, diversiteti kulturor dhe respekti i ndërsjellë. Ky film i madh malazez, i xhiruar në gjuhën shqipe, i cili trajton tema universale, tregon pasurinë e harmonisë sonë shumetnike. Në një vend ku të gjitha gjuhët, kulturat dhe fetë respektohen dhe vlerësohen, nuk ka vend për ndarje. Vetëm në këtë mënyrë mund ta ndërtojmë Malin e Zi modern, demokratik dhe evropian. Kultura është një hapësirë bashkimi, jo ndarjeje. Dhe për këtë mosdurimi dhe jotoleranca nuk duhet të fitojnë. Kurrë”, ka shkruar ai në rrejte sociale, të dielën vonë.
Por edhe një tjetër film shqip nuk ka kaluar pa vëmendjen e jurisë. Aktori Gentrit Shala është shpërblyer për rolin e tij në filmin e shkurtër “SOS” të Anita Morinës.
“Me filmin ‘Lejleku’ simbolikisht e, mbi të gjitha, në mënyrë të rëndësishme e të fuqishme, përmbyllim vitin e dhjetë të shoqërimit tonë të përbashkët me lavdinë e filmit e të artit. E, ky është vetëm fillimi”, kanë thënë organizatorët në një njoftim.
Përmbylljes simbolike të Festivalit i ka paraprirë ceremonia e ndarjes së çmimeve të shtunën mbrëma. Sipas raportimeve të mediave malazeze, fituesi i çmimit kryesor në kategorinë e filmit të gjatë, filmi “Little trouble girls”, nën regji të Urshka Gjukiq nga Sllovenia, është filmi më i mirë debutues i metrazhit të gjatë. Juria e kësaj kategorie në përbërje të aktorit e producentit Dushan Kovaçeviq, aktores Marija Vickoviq dhe producentit Vlado Bulajiq, e ka çmuar si një vepër e cila nëpërmjet “rrëfimit vizualisht ekspresiv dhe të ngarkuar shpalos luftën e brendshme të një vajze, e cila shpesh formësohet dhe kufizohet nga normat shoqërore dhe kornizat fetare”.
“Për këtë juria unanimisht e konsideron si një projekt njëkohësisht të guximshëm dhe delikat me skica të jashtëzakonshme dhe të gjitha postulatet cilësore të një ‘filmi evropian’, i cili në mënyrë të ndjeshme dhe nganjëherë fort dramatike përdor poezinë vizuale për të folur rreth proceseve emocionale dhe identitare nëpër të cilat kalojnë gratë e reja. Në një det filmash dhe historish që ende i vendosin personazhet në sfond, pa u dhënë atyre arsye të vërteta për ekzistencën e tyre, ‘Good Girls’ gjen rrugën e tyre drejt zemrës së të gjithëve”, thuhet në arsyetimin e jurisë. Po në këtë kategori, Çmimin për regjinë më të mirë e ka marrë Vladimir Tagiq për filmin “Yugo Florida”.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit Debutues të Metrazhit të Gjatë “Xhada” sivjet për herë të parë ka futur në program edhe kategorinë e filmit të shkurtër. Juria në këtë kategori, e përbërë nga kritiku i filmit Zoran Jankoviq, producentja Marija Vlahoviq dhe regjisorja Carina-Gabriela Dasoveanu, Çmimin kryesor në këtë kategori ia ka dhënë filmit “Astro”, nën regji të regjisorit holandez Tim Ewalts.
Po kjo juri ka vendosur që në këtë kategori ta theksojë edhe aktrimin.
“Në një përzgjedhje vërtet të pasur prej 22 filmash të shkurtër, juria shprehu dëshirën për të nxjerrë në pah aktrimin nga dy filma të tjerë. Konsiderojmë se meritojnë mirënjohje interpretimet e pjekura, të padukshme, por mbresëlënëse të Gentrit Shalës në filmin ‘SOS’ të Anita Morinës dhe post mortem, Dostana Nikoliqit në filmin ‘5/3/0’ të regjisorit Danilo Stanimiroviq”, thuhet në arsyetimin e jurisë.

Biblioteka Kombëtare me ekspozitë `KFOR and Kosova +25`
Miratohet Plani i Menaxhimit për Qendrën Historike të Janjevës, synohet ruajtja dhe zhvillimi i trashëgimisë kulturore
Shtëpia e masakrës në Lagjen e Boshnjakëve shndërrohet në muze kujtese
Nënshkruhet memorandumi për restaurimin e Institutit Albanologjik të Prishtinës
Ministria zotohet për thirrje të veçantë trevjeçare për organizatat e kulturës
Abrneshët e Zarës – tre shekuj në mbrojtje të identitetit
Vandalizohet obelisku i “UÇK-së” në Kaçanik
Hekurudha Durrës-Prishtinë, temë diskutimi në takimin Karakaçi-Basha
Përfundon numërimi në të gjitha QKN-të, KQZ vazhdon me votat me postë dhe ato me kusht
Ekspertët e arsimit: Nataliteti në rënie dhe emigrimi po zbrazin shkollat në Kosovë