Prishtinë, 27 tetor 2026 13:37
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin prej gjashtë vjetësh burgim ndaj Hysri Selimit, i dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale të spiunazhit.
Apeli ka refuzuar si të pabazuara si ankesën e Prokurorisë Speciale, e cila kishte kërkuar dënim më të lartë, ashtu edhe ankesën e mbrojtjes, e cila kishte kërkuar lirimin e Selimit ose kthimin e rastit në rigjykim. Vendimi është përpiluar më 23 tetor 2026.
Sipas vendimit të Apelit, gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se Selimi kishte komunikuar dhe bashkëpunuar me zyrtarë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), të cilëve u kishte përcjellë informacione për pjesëtarë të UÇK-së, vrasjet gjatë luftës, persona të radikalizuar dhe shqiptarë që kishin marrë pjesë në luftën në Siri.
Gjykata ka konstatuar gjithashtu se Selimi kishte udhëtuar në Siri me një mision të caktuar nga BIA dhe se më pas kishte vazhduar kontaktet me zyrtarët e këtij shërbimi në territorin e Serbisë. Për bashkëpunimin, sipas vendimit, ai ishte paguar deri në 700 euro në muaj dhe ishte pajisur me telefona për komunikim.
Apeli ka rrëzuar edhe pretendimin e mbrojtjes se Selimi kishte vepruar në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), duke vlerësuar se në shkresat e lëndës nuk ekziston dëshmi se ai ishte rekrutuar apo udhëzuar nga AKI.
Sipas Gjykatës së Apelit, në rastin konkret janë përmbushur elementet e veprës penale të spiunazhit përmes hyrjes në shërbim të huaj informativ, mbledhjes dhe përcjelljes së informatave dhe ndihmës së dhënë për BIA-n.
Hysri Selimi ishte dënuar me gjashtë vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 15 qershor 2026. Ai më herët ishte dënuar edhe për pjesëmarrje në organizata terroriste.

Rezolutë për dhunën ndaj grave, kërkohet hetim parlamentar për rastin Zekaj
Kurti kërkon veprime brenda 72 orëve pas vrasjes së Arlinda Zekajt
Haxhiu kërkon llogaridhënie për mosveprimet institucionale në rastin e Arlindës
Emri i ri në dosjen e sulmit terrorist në Banjskë: Stefan Raduloviq
Kuvendi mban sot seancë të jashtëzakonshme për vrasjen e Arlinda Zekajt
Aktakuzë ndaj S.R. për pjesëmarrje në sulmin terrorist në Banjskë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Policia gjen armatim në shtëpinë ku u vra Arlinda Zekaj
Akordet e Kosovës” gati për tri net muzikore, në skenë edhe talentet e rinj