Prishtinë, 30 korrik 2026 15:17
Pas 11 vdekjeve të regjistruara këtë vit në vendet e punës, Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka paralajmëruar masa të reja për forcimin e mbikëqyrjes inspektuese, duke synuar parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë së punëtorëve.
Ministri në detyrë, Andin Hoti, ka njoftuar se nga 1 shtatori Inspektorati Qendror i Punës do të kalojë në një sistem plotësisht digjital të inspektimeve. Sipas tij, inspektimet do të dokumentohen në kohë reale, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe mundësinë për monitorim më të mirë të kushteve të punës.
Në kuadër të reformës, ministria ka bërë të ditur se do të nisë edhe përdorimi i teknologjisë së dronëve për mbështetjen e inspektimeve në kantiere ndërtimi dhe vende të tjera pune me rrezik të shtuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Hoti ka theksuar se do të forcohet edhe koordinimi ndërinstitucional, përmes shkëmbimit të informacionit në kohë reale ndërmjet institucioneve përgjegjëse.
Sipas tij, kjo qasje synon që inspektimet të jenë më parandaluese dhe reagimi institucional të jetë më i shpejtë ndaj shkeljeve që mund të rrezikojnë jetën e punëtorëve.
Masat vijnë në një periudhë kur siguria në vendin e punës është kthyer në një prej shqetësimeve kryesore, pasi vetëm gjatë këtij viti 11 persona kanë humbur jetën në aksidente gjatë punës.
Rastet fatale kanë nxitur kërkesa të vazhdueshme për kontrolle më rigoroze, zbatim të plotë të standardeve të sigurisë dhe përgjegjësi më të madhe nga punëdhënësit dhe institucionet mbikëqyrëse.

Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit
Dogana e Kosovës arkëton 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit
Pantiq e Zariq dalin para Gjykatës si të akuzuarve për krime lufte
Nis hetimi parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, nëntë ditë pas ngjarjes
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë