Prishtinë, 30 korrik 2026 08:24
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka ritheksuar kërkesën që Serbia të lejojë verifikimin e lokacioneve të dyshuara për varreza masive në territorin e saj, duke vlerësuar se zbardhja e fatit të personave të zhdukur vazhdon të pengohet nga mungesa e bashkëpunimit dhe mosqasja në arkivat shtetërore serbe.
Udhëheqësi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, në një prononcim për Veritasinfo, deklaroi se institucionet e Kosovës kanë adresuar vazhdimisht kërkesa për verifikimin e dhjetëra lokacioneve të dyshuara në Serbi, të bazuara në dëshmi, informacione dhe analiza profesionale.
Sipas tij, prioritet mbetet rikthimi në varrezën masive në Batajnicë, verifikimi i lokacioneve në rajonin e Rashkës dhe Novi Pazarit, si dhe kompleksit ushtarak “Pasuljanske Livade”, për të cilin, siç tha ai, ekzistojnë informacione që kërkojnë verifikim në terren.
“Në vazhdimësi kemi kërkuar trajtimin edhe të lokacioneve të tjera në Serbi, sepse besojmë se ende ka vende ku mbahen të fshehura mbetjet mortore të viktimave shqiptare të zhdukjes me forcë gjatë luftës në Kosovë”, u shpreh Gara për Veritasinfo.
Ai rikujtoi se vetë institucionet serbe, që në vitin 2001, kishin përmendur ekzistencën e një liste me 16 lokacione të dyshuara për varreza masive.
Deri më tani janë konfirmuar pesë varreza masive në Serbi – Batajnica, Peruçaci, Petrovo Sello, Rudnica dhe Kizhevaku – ku janë zhvarrosur mbetjet mortore të mbi 950 viktimave shqiptare të luftës në Kosovë.
Duke folur për bashkëpunimin me Serbinë, Gara tha se ai vazhdon të jetë i pamjaftueshëm dhe i politizuar.
“Serbia ka vazhduar ta politizojë këtë proces, ndërsa sfida kryesore mbetet mungesa e qasjes në informacionet dhe arkivat ushtarake, policore dhe të institucioneve përgjegjëse për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”, deklaroi ai.
Sipas Garës, pa hapjen e plotë të këtyre arkivave dhe pa një vullnet të sinqertë institucional nga Serbia, procesi i ndriçimit të fatit të personave të zhdukur mbetet shumë më i vështirë.
“Familjet kanë të drejtën për të ditur të vërtetën dhe kjo e drejtë nuk duhet të kushtëzohet nga kalkulimet politike”, theksoi ai.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ndërkaq, po vazhdon punën në disa drejtime njëkohësisht. Gara bëri të ditur se janë duke vazhduar gërmimet dhe vlerësimet në lokacionet e shënjuara në Kosovë, po intensifikohen kërkesat për verifikime në Serbi, ndërsa po forcohet edhe bashkëpunimi me Institutin e Mjekësisë Ligjore, Sektorin për Persona të Zhdukur në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ai njoftoi se gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti janë realizuar gërmime vlerësuese në rreth 16 lokacione në territorin e Kosovës, ndërsa aktualisht prioritet mbetet lokacioni në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku para pak ditësh u zbulaun mbetje mortote që i përkasin periudhës së luftës në Kosovë.
Një fokus i veçantë, sipas tij, është identifikimi përmes analizave të ADN-së i mbetjeve mortore që vazhdojnë të jenë të paidentifikuara në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Gara tha se Komisioni vazhdon gjithashtu angazhimin në kuadër të Komisionit të Përbashkët, Grupit Punues për Personat e Zhdukur dhe mekanizmave rajonalë, me synimin që çështja e personave të zhdukur të mbetet prioritet deri në zbardhjen e fatit të secilit prej tyre.
Sa i përket numrit të personave të zhdukur, ai tha se në Listën e Personave të Zhdukur vazhdojnë të figurojnë më shumë se 1.560 persona, duke theksuar se të dhënat janë dinamike dhe ndryshojnë në varësi të zhvillimeve në procesin e identifikimit dhe verifikimit.
“Nuk mund të flasim vetëm me shifra, sepse çdo numër përfaqëson një jetë njerëzore, një familje dhe një histori që pret përgjigje”, deklaroi Gara.
Ai bëri të ditur se aktualisht po plotësohen dhe verifikohen të dhënat për katër raste të reja, ndërsa të paktën dy viktima të zhdukjes me forcë janë në fazën përfundimtare të identifikimit, pasi mbetjet e tyre mortore janë zhvarrosur muaj më parë.
Paralelisht, institucionet e Kosovës dhe organizatat ndërkombëtare po vazhdojnë verifikimin dhe përditësimin e të dhënave edhe për raste të tjera.

Ngrihet aktakuzë për keqpërdorim e mashtrim në prokurimin publik dhe falsifikim të dokumentit
Procedurat e Apelit që duhen ndjekur mbrojtjet e ish-krerët e UÇK-së
Protestuesit përleshen me policinë para objektit të Qeverisë
Hamza: Vendimi ndaj krerëve nuk u bë në emër të popullit, por kundër shtetit të Kosovës
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është padrejtësi e papranueshme
Video-lajm: Protuestuesit revoltohen para ndërtesës së EULEX-it
Joseph: Serbia, Rusia dhe Kina do të përpiqen ta izolojnë edhe më shumë Kosovën
Nga mediat ruse te portalet serbe në Kosovë – si përhapet lufta hibride?
Policia jep detaje për protestat pas vendimit të Speciales: Dy të arrestuar, gurë e tentativa për depërtim