Prishtinë, 18 qershor 2026 19:16
Një aksion i përbashkët i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Policisë së Kosovës ka rezultuar me sekuestrimin e rreth 60 kilogramëve substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë dhe arrestimin e katër personave të dyshuar për trafikim të narkotikëve.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, aksioni është zhvilluar pas hetimeve disa mujore dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore. Operacioni policor është realizuar në dy lokacione, në Komunën e Prishtinës dhe në fshatin Babush të Komunës së Ferizajt, njofton Prokuroria e Kosovës, përcjell VeritasInfo.
Në kuadër të aksionit janë arrestuar katër persona, përkatësisht një shtetas i Kosovës, dy shtetas të Serbisë dhe një shtetas i Shqipërisë.
Përveç sasisë së konsiderueshme të narkotikëve, autoritetet kanë sekuestruar edhe dy vetura dhe një kamion, të cilat dyshohet se janë përdorur në aktivitetin kriminal.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
Institucionet e përfshira në operacion kanë ritheksuar përkushtimin e tyre për luftimin e kriminalitetit të organizuar, trafikimit të narkotikëve dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend.

Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj
Raportohet për një bombë në Shkollën Fillore “Stana Baqanin” në Leshak, rasti nën hetim
Arrestohet i dyshuari për vrasjen e rëndë në Vitomiricë të Pejës
Një person humb jetën në vendin e punës në Istog
Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021