Prishtinë 15 Qershor 2026 8:13
Lufta e Kosovës la pas mijëra viktima dhe, bashkë me to, mijëra histori tragjike të njerëzve të zhdukur.
Në nisje të luftës, organizatat vendore e ndërkombëtare dokumentuan ngjarje, në të cilat krahas vrasjeve masive, trupat e viktimave ishin zhdukur me qëllimin e vetëm që të humbnin gjurmët e krimit.
Në muajin maj të vitit 1998, në afërsi të fshatit Poklek i Ri të Drenasit, dokumentohet ngjarja e parë, ku viktimat kidnapohen, vriten, e më pas trupat e tyre zhduken pa gjurmë.
Kjo ngjarje do pasohej me qindra situata të tjera të ngjashme, ku viktimat do kidnapohen e më pas do zhdukeshin në forma të ndryshme.
Në dosjet e Gjykatës së Hagës, hetuesit ndërkombëtarë do dokumentonin një plan të fshehtë të strukturave të Millosheviqit, në të cilin ishte planifikuar zhdukja e trupave të viktimave.
Në një fletore të një ushtaraku ishte shkruar qartë mesazhi: “Nuk ka krim pa trup”. Mbi këtë urdhër operativ, trupat e viktimave civile nga e gjithë Kosova do zhdukeshin.
Krahas historisë së zhdukjes së viktimave, mbi 2500 njerëz u mbajtën në burgjet e kohës.
Kidnapimet dhe zhdukjet masive do arrinin kulmin në mesin e vitit 1999. Atëkohë Kryqi i Kuq Ndërkombëtar do regjistronte 6 mijë e 500 persona të zhdukur në Kosovë. Nga ky numër, disa do gjendeshin të gjallë, disa të vdekur.
27 vite pas përfundimit të luftës, familjet e personave të zhdukur vazhdojnë ende betejën për të vërtetën dhe drejtësinë. Në mbarë territorin e Kosovës, statistikat dëshmojnë se rreth 10% e viktimave shqiptare janë zbuluar të varrosura në varreza masive në Serbi, ndërsa mbi 12% e viktimave të luftës vazhdojnë ende të figurojnë të zhdukur.
Kërkimi për fatin e tyre është një makth i gjatë për familjet e tyre.
Arbenita Muhaxhiri nga Ferizaj e ka të zhdukur nënën e saj, Sanijen, që nga 16 prilli i vitit 1999. Në një rrëfim, ajo tregon se në atë kohë ka qenë vetëm 12 vjeç, kur e kishte parë nënën për herë të fundit.
“Unë kam qenë 12 vjeç e gjysmë kur është zhdukur mami. Më 16 prill është zhdukur, unë në gusht i kam mbushur 13 vjeç. Ditëlindja ime e parë pa të” – thotë Arbenita.
“Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Ferizajt. Ne kemi qenë në fshatin e babait tim. Aty ka qenë ushtria…, edhe ajo ka dalë me një grua të kushëririt tanë me ble gjëra ushqimore për neve, të cilat veç kishin mbaruar. Ne kishim shtëpi edhe në Ferizaj. Edhe ka ble, i ka kryer ato pazaret për neve, edhe kur ka dashtë me u kthy në shtëpi, njerëzit që kanë qëlluar kalimtarë rasti i kanë parë që janë kidnapuar diku në dalje të qytetit ku ka qenë aty një pikë e policisë edhe e ushtrisë serbe”.
Sipas saj, aty ka qenë një ndërtesë e oficerëve dhe aty dyshohet se nëna e Arbenitës dhe gruaja tjetër, janë marrë nga forcat serbe.
“I kanë parë, i ka përcjellë se ka shkuar te shtëpia, e ka vizituar shtëpinë tonë, e ka parë, ka folur me kojshitë edhe u ka treguar që letërnjoftimet na i morën në hyrje të qytetit ushtria. Edhe ato janë ndalur aty prapë edhe që aty janë marrë. Po gjyshi im ka shkuar të nesërmen në stacion policor me i kërku që dy gra nuk janë kthyer në shtëpi. Përgjigja e tyre ka qenë që ato janë në duar të sigurta: ‘Kthehu, sille djalin e merre nusen’. Domethënë është kërkuar babi im për me u liruar nëna ime” – vazhdon rrëfimin Arbenita.
Në mes viteve 1998 dhe 1999, rajoni i Ferizajt me komunat Hani i Elezit, Kaçanik, Shtime dhe Shtërpcë do shndërrohej në një zonë të krimeve të luftës.
Në këtë zonë u dokumentuan vrasje masive të civilëve, përfshirë masakrën e Reçakut dhe dhjetëra vrasje të tjera të civilëve të pafajshëm.
Shqiptarët ishin caku kryesor i krimeve, ndërsa hulumtuesit dokumentuan edhe viktima civile të komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë.
Xhemajl Shabani po ashtu nga Ferizaj, e ka motrën e tij, Eminen, të zhdukur që nga prilli i vitit 1999.Ai tregon se si motra e tij kishte dalë nga shtëpia dhe më nuk dihet asgjë për fatin e saj.
“Kah gjysma e prillit ajo ka deshtë me ardhë këtu me marrë informata për neve, mirëpo nuk ka mujt me ardhë për shkak se ka pasë polici, ushtri, dhe nuk ka mujt dhe ka shku afër këtu te nji kushëri joni… Aty ka shku në momentin e fundit, domethënë që hera e fundit që është pa me atë kushëririn” – rrëfen Xhemajli.
“Edhe fjalët e fundit i kanë thonë, i kanë lutë që mos të kthehet se është rrezik. Jo, ka thonë, po e provojmë mandej po kthehemi. Edhe domethënë ajo është biseda e fundit me atë kushëririn, dy kushërinjtë tonë që i kanë bo. Edhe prej atij momenti domethënë nuk dimë na”.
Në mes vitit 1998-1999 në Kosovë do vriteshin mbi 10 mijë civil të pafajshëm. Tribunali i Hagës dokumentoi se për të zhdukur gjurmët e krimit, trupat u dogjën u varrosën në varreza masive, e madje u transportuan për në varreza në zona si Batajnica në Serbi, më shumë se 400 kiliometra nga vendi i krimit.
Statistikat tregojnë që rreth 10 % e trupave të të vrarëve ishin transportuar me kamion nga Kosova në drejtim të Serbisë, ku u varrosën në varreza masive.
Ahmet Grajqevci nga Këshilli Koordinues i Asociacionit të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës, thotë se rasti i parë në rajonin e Ferizajt është regjistruar në “Fshatin e Vjetër”, ku sipas tij, ishin vrarë tre familje.
Ai thotë se i ka të xhiruar edhe momentin kur janë zhvarrosur trupat nga mjekët e Tribunalit të Hagës.
“Bile i kam edhe atë materialin komplet të filmuar edhe krejt e kam, edhe skeletet i kam që i kemi nxjerrë me mjekët e Tribunalit të Hagës. Nën gërmadha, nën hi, nën aty mbeturinat e djegura edhe kemi mujt me e formu deri diku skeletin e trupit, copa-copa. Bile Arsim Gërxhaliu e ka pasë përgatit kështu bukur mirë” – thotë Grajqevci.
“Po gjithsesi tash për momentin Ferizaj i ka edhe 14 të zhdukur. Aty më duket 14, 15 nuk ka më shumë. Ky Kaçaniku edhe dy. Shtimja i ka edhe tre. Do të thotë është përmbyll një pjesë e madhe aty (rajon)”.
Fundi i luftës nuk solli lajme të mira për shumë familje. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar kishte regjistruar në atëkohë 6 mijë e 500 persona të zhdukur.
Në ditët e para të kthimit, varrezat masive dhe zonat e krimeve do shfaqeshin anë e mbanë vendit.
Në mbi 2000 lokacione u gjetën trupa të të vrarëve. Kërkimi është një proces që vazhdon edhe pas 27 vitesh.
Vrasjet dhe zhdukjet masive të trupave krijuan traumë të përjetshme për viktimat.
Nga viti 1998 e tutje civilë të pafajshëm u burgosën në një proces të gjerë të arrestimeve, në të cilat, rreth 2 mijë njerëz u arrestuan dhe mbaheshin në burgje të ndryshme në Serbi, deri kah fundi i vitit 2002.
Lajmet se disa nga të zhdukurit qëndronin në burgje, u shndërruan në një shpresë për familjarët, ndërsa kjo situatë u shfrytëzua maksimalisht nga mashtruesit, të cilët zhvatën mijëra euro nga familjet e të zhdukurve, duke iu premtuar rrejshëm se do i gjenin familjarët të gjallë në burgje.

Investim i ri në shëndetësi: Peja pajiset me tomografi moderne, nga 1 korriku në shërbim të pacientëve
Masakra e Reçakut, në korrik fillon gjykimi në mungesë kundër 21 të akuzuarve për krime lufte
Sveçla pas operacionit “Reçaku II”: Drejtësia për viktimat nuk parashkruhet
Thaçit i vazhdohet paraburgimi deri në korrik
Vandalizohet obelisku i “UÇK-së” në Kaçanik
Hekurudha Durrës-Prishtinë, temë diskutimi në takimin Karakaçi-Basha
Ish-pjesëtari i ISIS-it dënohet për spiunazh te BIA serbe
Profesionalizmi i hetuesve kosovarë çon në zbardhjen e rrjeteve kriminale përmes Sky ECC