Prishtinë, 14 qershor 2026 13:35
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë arrestuar të dielën pesë persona të dyshuar për përfshirje në Masakrën e Reçakut, të kryer më 15 janar 1999 gjatë luftës në Kosovë.
Aksioni u zhvillua në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si “Reçaku II”, ndërsa autoritetet njoftuan se është identifikuar edhe një person i gjashtë i dyshuar, por ai nuk është gjetur gjatë bastisjes së kryer në shtëpinë e tij dhe mbetet në kërkim.
Sipas Prokurorisë Speciale, të arrestuarit janë ish-pjesëtarë të njësive policore dhe ushtarake të Serbisë, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në operacionin që rezultoi me masakrën e civilëve shqiptarë në Reçak. Të gjithë të arrestuarit janë pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë dhe vijnë nga zona e Shtërpcës dhe Gjilanit.
Gjatë bastisjeve të kryera në shtëpitë dhe pronat e të dyshuarve, policia ka sekuestruar uniforma policore serbe, armë si dhe para të gatshme në vlerë prej rreth 30 mijë eurosh dhe dinarësh serbë.
Detaje lidhur me operacionin ka dhënë prokurori Ilir Morina në një konferencë për media. Ai tha se hetimet kanë vazhduar edhe pas ngritjes së aktakuzës së parë për Masakrën e Reçakut në dhjetor të vitit të kaluar dhe se gjatë gjashtë muajve të fundit janë siguruar prova që kanë çuar në identifikimin dhe arrestimin e pesë personave.
“Hetimet që i kemi vazhduar gjatë këtyre muajve kemi arritur t’i identifikojmë edhe disa persona që kanë qenë pjesë e njësive të veçanta të policisë së Serbisë asokohe dhe që kanë qenë pjesë e aksionit më 15 janar në Reçak”, deklaroi Morina.
Sipas tij, ekzistojnë dyshime të bazuara se të arrestuarit kanë qenë pjesë e forcave serbe që morën pjesë në operacionin e zhvilluar në Reçak, ku u vranë dhjetëra civilë shqiptarë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë.

Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj
Raportohet për një bombë në Shkollën Fillore “Stana Baqanin” në Leshak, rasti nën hetim
Arrestohet i dyshuari për vrasjen e rëndë në Vitomiricë të Pejës
Një person humb jetën në vendin e punës në Istog
Policia gjen armatim në shtëpinë ku u vra Arlinda Zekaj
Vritet një grua në Vitomiricë të Pejës, i dyshuar kunati i saj
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit