Prishtinë 21 Prill 2026 13:55
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin për vrasjen e Liridona Ademajt. Naim Murselaj është dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e gruas së tij.
Me burg të përjetshëm është dënuar edhe Granit Plava. Kurse Kushtrim Kokalla dënohet me 30 vite burg.
Vijo….
Si dyshohet se ndodhi vrasja?
Mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-ës, Liridona Ademaj u vra në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës, teksa ishte në veturë bashkë me bashkëshortin Naim Murselin dhe dy fëmijët e tyre.
Aktakuza e ngarkon Murselin se kishte planifikuar vrasjen e saj, me qëllim që të përfitonte nga sigurimi i saj jetësor në Suedi, në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh.
Kokalla akuzohet se e kishte njoftuar Murselin me Plavën, i cili akuzohet se ishte dorasi.
Plava akuzohet se kishte vrarë Ademajn me armë zjarri, duke e qëlluar në kokë, sipas ekspertit mjekoligjor, në një largësi prej 2 deri në 5 centimetra.
Sipas Prokurorisë, ai kishte kryer vrasjen në këmbim të 30 mijë eurove nga Murseli.
Mirëpo, gjatë gjyqit, Kokalla ka deklaruar se marrëveshja me Murselin, për ta marrë përgjegjësinë e vrasjes, ishte për 250 mijë euro, por që të mos përmendeshin shuma të mëdha ishin dakorduar që në Polici të përmendeshin vetëm 30 mijë euro.
Ndërkaq, prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, ka deklaruar gjatë shqyrtimit gjyqësor se Murseli e kishte mbajtur për krahu bashkëshorten e tij, që të mos i shpëtonte plumbit.
“…Naimi, në mënyrë dinake, me dorën e tij të djathtë, e ka mbajtur Liridonën për krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo të mos i shmangej plumbit, pas çka, Naimi, me fëmijët, ka dalë nga vetura, dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”, ka thënë prokurorja në nisje të procesit gjyqësor, më 31 janar 2025.
Pistoletën, me të cilën ishte kryer vrasja, Murseli akuzohet se e kishte blerë nga Tom Dodaj për 280 euro, në ditën e ngjarjes tragjike.
Ky i fundit ka pranuar fajësinë në fillim të procesit gjyqësor, ndërsa në shkurt të 2025-tës u dënua me pesë vjet burgim dhe pesë mijë euro gjobë për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Mirëpo, pas rreth një viti, Gjykata e Apelit ia uli dënimi Dodajt në tre vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë, duke përmendur si faktorë pranimin e fajësisë, kërkimfaljen ndaj familjes së viktimës, dhe faktin që “nuk kishte qenë në dijeni se për çfarë do të përdorej arma që kishte shitur”.

Arrestohet dy shtetas të Serbisë për kalim ilegal të kufirit
Sveçla: Goditje e fortë krimit – 26 të arrestuar dhe 150 mijë euro të sekuestruara
Aksion i gjerë policor në Mitrovicë dhe Vushtrri, arrestohen 26 persona dhe sekuestrohen rreth 150 mijë euro
Zbulohen armë dhe granata edhe në Zubin Potok, Sveçla: Operacionet nuk do të ndalen
Aksion i madh antidrogë në Pejë, zbulohet laborator për prodhimin e narkotikëve
Një femër dërgohet pa shenja jete në emergjencën e Mitrovicës së Jugut
Sadiku dhe Bajoku përfaqësojnë Kosovën në turneun më të madh të historisë
Në kryeqytet e ban në Prishtinë
Përcaktohet orari i “Final” të Kupës së Kosovës – Bota Sot