Prishtinë 14 Korrik 2025
Orkestra “Amadeus” nga Prishtina fiton Çmimin e Argjendtë në Festivalin Botëror të Orkestrave në Vjenë
Orkestra e Fëmijëve “Amadeus” nga Prishtina është nderuar me Çmimin e Argjendtë në edicionin e 11-të të Festivalit Botëror të Orkestrave, i mbajtur në Vjenë. Lajmin e ka bërë të ditur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Lajm i mrekullueshëm nga Vjena. Orkestra e Fëmijëve ‘Amadeus’ është shpërblyer me Çmimin e Argjendtë në mesin e dhjetëra orkestrave nga mbarë bota. Interpretimi i tyre i veprës ‘Malësorja’ nga Lorenc Antoni, i shoqëruar me kostume tradicionale nga të gjitha trevat shqiptare, është vlerësuar lart nga një juri ndërkombëtare prestigjioze në një konkurrencë të ngushtë dhe me nivel të lartë artistik,” shkruan Kurti.
Që nga 10 korriku, nën drejtimin e dirigjentit Vehbi Shosholli, orkestra ka mbajtur koncerte në sallat më të njohura të Vjenës, përfshirë Wiener Konzerthaus, House of Strauss dhe KulturGarage. Kulmi i prezantimeve ishte koncerti Gala në sallën ikonike Musikverein – Golden Hall, ku u shpallën edhe fituesit e festivalit dhe Kosova u ngjit me krenari në podium.
“Ky çmim është dëshmi e përkushtimit dhe nivelit që po arrin rinia jonë muzikore. Republika e Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë thellësisht krenarë dhe të përkushtuar për të mbështetur talentet e reja që, me pasion dhe disiplinë, po e çojnë emrin e Kosovës gjithnjë më lart. Kur fëmijët tanë marrin skenën, nuk ka nevojë për fjalë të mëdha mjafton të dëgjosh duartrokitjet,” përfundon reagimin e tij kryeministri në detyrë.
