Prishtinë, 10 mars 2026 14:50
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka intensifikuar monitorimin e tregut të derivateve të naftës në Kosovë, me qëllim të zbatimit të vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Sipas njoftimit zyrtar, inspektorët janë duke realizuar analiza të vazhdueshme të të dhënave në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, duke krahasuar çmimet e importit me ato që u ofrohen qytetarëve në tregun vendor. Ky proces synon rritjen e transparencës, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme dhe shmangien e çrregullimeve në treg.
Të dhënat e siguruara nga evidencat e Doganës së Kosovës tregojnë se më 7 mars 2026 çmimi mesatar i importit për derivate ishte rreth 1.40 euro për litër për naftën (dizelin) dhe 1.14 euro për litër për benzinën.
Ndërkohë, nga monitorimi në tregun vendor është konstatuar se çmimet e ekspozuara në pikat e shitjes me pakicë për qytetarët lëvizin nga 1.39 deri në 1.55 euro për litër për dizelin, ndërsa benzina nga 1.27 deri në 1.32 euro për litër.
Bazuar në vendimin e 4 marsit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve, është përcaktuar edhe marzha maksimale e lejuar tregtare, e cila është 2 eurocentë për litër për shitjen me shumicë dhe 12 eurocentë për litër për shitjen me pakicë. Marzha tregtare nënkupton diferencën mes çmimit të furnizimit dhe çmimit të shitjes.
Inspektorati ka bërë të ditur se inspektorët kanë qenë në terren gjatë fundjavës dhe në ditët e fundit, ndërsa kontrollet do të vazhdojnë në koordinim me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore dhe Autoritetin e Konkurrencës. Në rast se konstatohet mosrespektim i marzhës së lejuar apo praktika që dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, institucionet paralajmërojnë masa sipas legjislacionit në fuqi.
Në fund, IQMT ka theksuar se qytetarët do të informohen me kohë për çdo zhvillim të ri lidhur me çmimet dhe situatën në tregun e derivateve të naftës në Kosovë.

Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë
Emrat e të dyshuarve: Serbë që dyshohet se morën pjesë në krime lufte
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Aktivistët në Serbi po i heqin grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”
Gjykata cakton paraburgim për dy të dyshuar për krime lufte
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit
Troja Bicurri triumfon në “Akordet e Kosovës”, vlerësim për brezin e ri