Prishtinë, 27 dhjetor 2025 20:04
Partitë politike në Kosovë kanë përmbyllur fushatën zgjedhore me tubime përfundimtare, duke shpalosur premtimet dhe prioritetet për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Lëvizja Vetëvendosje, PDK, LDK dhe AAK prezantuan vizionet e tyre për ekonomi, paga, energji, siguri dhe digjitalizim.
Kandidatët për kryeministër theksuan reformat sociale, investimet kapitale dhe zhvillimin institucional si shtylla kryesore të programeve të tyre.
Lëvizja Vetëvendosje ka përmbyllur fushatën elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në Prishtinë. Nga kryeqyteti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, kandidati për kryeministër Albin Kurti tha se me qeverisjen e tyre territorit ia shtuan integritetin, institucioneve ua kthyen besimin, shtetit ia shtuan sovranitetin.
Ai tha se nga 1 janari paga minimale do të bëhet 425 euro e nga 1 korriku 500 euro e që tha se gratë kudo që do të punësohen në sektorin privat do ta marrin pagën minimale për 6 muaj, njëtë sikurse tha se do ta marrin edhe nënat lehona, 6 muaj nga 500 euro.
Premtoi dyfishim të shtesave për fëmijë, ndërsa tha se do t’i ndajnë 1 miliard euro për prodhimtarinë. Sipas tij, shteti do të jetë garanci, hipotekë për investimet të cilat do t’i bëjnë qytetarët e Republikës.
Ai tha se 1 miliard euro do të jenë edhe për ushtrinë. “E kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, e çizmeve në tokë, por gjithashtu i kemi shtuar edhe sytë në qiell. Kemi 3 lloj dronësh e droni i katërt do të jetë Made in Kosova, prodhuar në vendin tonë. Ata para nesh i shitnin fabrikat për skrap e me ne do të kemi edhe fabrikë të municionit për ushtrinë tonë”, deklaroi Kurti.
Kandidati i LVV-së për kryeministër tha se me të në krye të qeverisë, asnjë vit nuk do të ngelet më pak se 1 miliard për investime kapitale.
Kurti premtoi rritje të buxhetit për barna esenciale, kontroll të plotë shëndetësor për të gjithë qytetarët. Ndërkohë tha se mandati i ardhshëm do të jetë mandat i energjisë. “Do ta modernizojmë Termocentralin Kosova B e do ta rehabilitojmë Termocentralin Kosova A”, derisa premtoi edhe investime në Trepçë.
Kreu i Vetëvendosjes tha se do të krijohet Prokuroria e re Speciale kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
____________________________________________________________________________
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka organizuar sonte në Prishtinë aktivitetin përmbyllës të fushatës së saj për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Bedri Hamza, gjatë fjalës së tij theksoi se qëllimi i tyre është hapja e një kapitulli të ri për vendin.
“Sonte nuk është vetëm mbyllja e fushatës, por fillimi i një kapitulli të ri për Kosovën – kapitull i unitetit, zhvillimit dhe dinjitetit. Është një kapitull ku çdo qytetar do të ndihet i përfaqësuar, i respektuar dhe i sigurt për të ardhmen”, tha Hamza.
Ai gjithashtu bëri thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje, duke nënvizuar se vendimi për të ardhmen e vendit do të merret nga qytetarët të dielën, përmes votës për numrin 130.
“Sonte jemi këtu për t’u pajtuar për një vendim të përbashkët për të ardhmen e Kosovës – një vendim që nuk merret në këtë skenë, por në kutitë e votimit”, përfundoi ai.
______________________________________________________________________________
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur sot në Prishtinë për rëndësinë e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në zhvillimin e vendit.
Gjatë aktivitetit të mbajtur në hapësirën DeepSpace, ai theksoi se digjitalizimi paraqet një mundësi kyçe për transformimin ekonomik dhe institucional të Kosovës.
Abdixhiku ka bërë të ditur se LDK-ja ka paraparë krijimin e një Ministrie të Digjitalizimit, si dhe programe për aftësimin e rreth 40 mijë të rinjve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
“Ne kemi plan të qartë: Ministrinë e Digjitalizimit dhe trajnimin e 40 mijë të rinjve në ICT. Për vende pune të reja, ekonomi të re dhe një shtet që funksionon në botën digjitale”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, kjo qasje synon krijimin e vendeve të reja të punës, ndërtimin e një ekonomie moderne dhe funksionalizimin e shtetit në epokën digjitale.
Ai ka vlerësuar se Kosova, si vend me popullsi të re dhe potencial të madh njerëzor, ka mundësi reale të bëjë një hap të madh drejt integrimit evropian përmes teknologjisë, duke theksuar se përparimi në botën digjitale është i përshpejtuar dhe nuk ndjek ritmet tradicionale të zhvillimit.
Në fund, Abdixhiku ka shprehur bindjen se investimi në dije dhe inovacion përbën avantazhin kryesor të Kosovës dhe se e ardhmja e vendit është e lidhur ngushtë me zhvillimin teknologjik.
_____________________________________________________________________________
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mbajti sot tubimin përmbyllës të fushatës elektorale.
Kryetari kësaj partie Ramush Haradinaj premtoi dyfishim të pagave, pensioneve dhe shtesave, duke akuzuar “mafinë energjetike” për rritjen e çmimeve.
Ai tha se anëtarësimi në NATO dhe ndryshimi i qasjes ekonomike janë kyçe për stabilitet, investime dhe ulje të çmimeve, raporton KosovaPress.
“Ne do t’i rrisim pagat pensionet dhe shtesat në dyfishim, e kemi të paraparë, e kemi shkruar, e kemi shpjeguar… Secili qytetar mund të shohë që do t’i rrisim pagat… Ju pyes kush mundet ta çlirojë Kosovën prej mafisë energjetike, a ka dikush në këtë vend? Sot ne jemi të poshtëruar, gati po na dërgon në shkatërrim ekonomik mafia energjetike që i ka kapur ata që e qeverisin… Besoni nuk ma ndien për këta tregtarë as për këtë mafi energjetike, dikush duhet ta mbrojë këtë popull ta çlirojë nga ky tmerr i çmimeve, sepse energjia po na rrit të gjitha çmimet e tjera”, tha ai.
Haradinaj u shpreh se Kosova duhet t’i kryejë urgjentisht anëtarësimin në NATO, për të siguruar stabilitet dhe siguri afatgjate, dhe ndryshimin e qasjes politike dhe ekonomike.

Mandati i KQZ-së në përfundim, disa parti ende pa propozime
KQZ e pezullon AKR-në për shkak te mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor brenda afatit
KQZ për zgjedhjet e reja: Do të veprojmë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor
KQZ miraton rekomandimet për reformë zgjedhore, kërkohen edhe ndryshime ligjore
Supremja thotë se i ka shqyrtuar të gjitha ankesat kundër vendimeve të PZAP-së
Intervistohen 14 persona në Kllokot për dyshim për falsifikim të votave
Komandanti i KFOR-it: Që nga tetori 2025, situata në Kosovë është përgjithësisht e qetë
“Ky është më shumë se një meç, do të luftoj për Shqipërinë dhe për shqiptarët”, Prenga me fjalë të mëdha para meçit jetik me Joshuan
Vitin e shkuar u ngritën 15 aktakuza për krime lufte, 10 prej tyre në mungesë
Milanoviq: Pretendime të pakuptimta se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova po përgatiten të sulmojnë Serbinë