1 Korrik 2025
Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të shkurtuar pjesën më të madhe të financimit amerikan për ndihmën humanitare ndërkombëtare mund të shkaktojë më shumë se 14 milionë vdekje deri në vitin 2030, sipas një raporti të publikuar në revistën mjekësore “The Lancet”.
Sipas kërkimit, një e treta e atyre që rrezikojnë të vdesin para kohe janë fëmijë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte deklaruar në muajin mars se administrata e presidentit Trump kishte anuluar mbi 80 për qind të të gjitha programeve në Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ka raportuar BBC.
“Për shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, tronditja e shkaktuar do të ishte e krahasueshme me një pandemi globale ose një konflikt të madh të armatosur”, ka thënë Davide Rasella, bashkautor i raportit të “The Lancet”.
Shkurtimet në financime “rrezikojnë të ndalojnë papritur – dhe madje të përmbysin – dy dekada përparim në shëndetësi për popullatat e cenueshme”, ka shtuar Rasella, një studiues në Institutin e Barcelonës për Shëndetin Global.
Raporti është publikuar në kohën kur dhjetëra udhëheqës botërorë do të mblidhen këtë javë në qytetin spanjoll të Seviljes për një konferencë ndihmash të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara.
Duke analizuar të dhëna nga 133 vende, ekipi i studiuesve vlerësoi se financimet nga USAID-i kishin parandaluar 91 milionë vdekje në vendet në zhvillim midis viteve 2001 dhe 2021.
Sipas parashikimeve, shkurtimet mund të dërgojnë në mbi 14 milionë vdekje të shmangshme deri në vitin 2030. Ky numër përfshin mbi 4.5 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç ose rreth 700,000 vdekje fëmijësh në vit.
Departamenti për shkurtime të shpenzimeve në administratën Trump, i udhëhequr më parë nga miliarderi Elon Musk, synonte të zvogëlonte forcën punëtore federale. Mes tjerash administrata gjithashtu ka akuzuar USAID-in për mbështetje të projekteve liberale.
SHBA-ja, që është deri tani ofruesi më i madh i ndihmës humanitare në botë, ka vepruar në më shumë se 60 vende, kryesisht përmes kontraktorëve.

Përshkallëzohen luftimet në Jemen
Trump: Lufta me Iranin përfundon këtë vit
NATO pengon stërvitjen ruse për sabotimin e kabllove nënujore
25 vjet nga sulmet terroriste në ShBA
Aksidentohet autobusi turistik në Zvicër, raportohet për disa të vdekur
Raportohet se aeroplani i Zelenskit u godit nga një dron gjatë ngritjes nga Moldavia
Kandiqi i reagon Daçiqit: Politika jote rezultoi me varreza masive t`shqiptarëve
Protestuesit përleshen me policinë para objektit të Qeverisë
Hamza: Vendimi ndaj krerëve nuk u bë në emër të popullit, por kundër shtetit të Kosovës
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është padrejtësi e papranueshme