Prishtinë, 2 nëntor 2025
Hendbollistët e Kosovës kanë shënuar sukses madhor të dielën në kualifikimet e Kupës së Botës 2027, duke avancuar në raundin e dytë.
Pas fitores 32:26 të mërkurën mbrëma në Derby ndaj Britanisë së Madhe, Kosova regjistroi tjetër fitore të dielën në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Kosova e mposhti Britaninë e Madhe edhe në ndeshjen e dytë me rezultatin 35:30 dhe për herë të parë do të garojë në fazën e dytë kualifikuese për Kampionat Botëror.
Për “Dardanët” ky është cikli i pestë kualifikues i Botërorit.
Në katër tentimet e kaluara prej vitit 2017, nuk e ka shënuar suksesin e tanishëm.
Por në vitin 2020 e kanë regjistruar fitoren më të thellë ndonjëherë në kualifikime. Në janar të vitit 2020, Kosova kishte fituar 30:21 ndaj Gjeorgjisë në kualifikimet për Botërorin 2021 në Egjipt.
Fitorja me nëntë gola dallim mbetet më e thella në kualifikime të ngjarjeve të mëdha, Evropianë e Botërorë.
Pjesa e parë përfundoi me katër gola dallim në të mirë të Kosovës, 17:13.
Në pjesën e dytë, britanikët patën nisje të mirë, por Kosova shpejtë u mobilizua në mbrojtje dhe pati sulm efikas për fitoren me pesë gola dallim.
Kosova tani drejtohet nga përzgjedhësi i parë i huaj i Kosovës në hendboll, Jesper Ostlund.
Dhe, menjëherë ka regjistruar sukses që vlerësohet shumë.
Ndeshjet e raundit të dytë kualifikues zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm, ndërsa Kosova do ta mësojë kundërshtarin e radhës nëpërmjet shortit. Kundërshtarët ende nuk dihen.
Faza finale e kualifikimeve luhet në maj të vitit 2026.
Botërori i 30-të me 32 përfaqësuese do të organizohet në Gjermani nga 13 deri më 31 janar të vitit 2027.

Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë në Grand Slamin e Abu Dabit
Ballkani triumfon bindshëm ndaj Drenicës
Nacionalizmi serb shfaqet edhe në futboll, tifozët e “Yllit të Kuq” djegin figurat e Kurtit dhe Thaçit
Barcelona-Real Madrid: ‘El Clasico’ që mund ta ndryshojë historinë
Gjilani pret Llapin në hapje të xhiros së 11-të të Superligës
PSG-Barcelona, kryesfida e mbrëmjes në Ligën e Kampionëve
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit