Prishtinë, 21 tetor 2025
Dy të akuzuar pranojnë fajësinë, katër të tjerë deklarohen të pafajshëm për huliganizëm dhe pjesëmarrje në turmë kriminale.
Në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Nenad Miljkoviq dhe Aleksandar Llaziq pranuan fajësinë për akuzën “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”. Ndërsa, katër të akuzuarit e tjerë, Sreqko Sofronijeviq, Ilija Viqentijeviq, Millan Viqentijeviq dhe Marko Rakiq, u deklaruan të pafajshëm për të njëjtën vepër penale.
Sreqko Sofronijeviq akuzohet gjithashtu për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, të gjashtë të pandehurit ngarkohen se më 13 tetor 2021 kanë marrë pjesë në turma të mbledhura në Mitrovicë të Veriut, ku kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe Doganës me gurë, shufra druri dhe metali, si dhe me granata dore. Deklarimi për fajësinë u bë pasi aktakuza u konsiderua e lexuar.
Mbrojtësi i Nenad Miljkoviqit, avokati Haxhi Millaku, deklaroi se klienti i tij është njoftuar me të gjitha rrethanat e çështjes dhe se pranimi i fajësisë është bërë me vullnet të lirë, pasi atij i janë sqaruar të gjitha pasojat dhe përfitimet e këtij akti. Ai propozoi që, nëse Miljkoviq dënohet me burgim, dënimi t’i zëvendësohet me gjobë.
Ndërkohë, mbrojtësja e Aleksandar Llaziqit, avokatja Jelena Krivokapiq, theksoi se pranimi i fajësisë ka qenë vendim personal i të mbrojturit të saj dhe se ai është informuar për pasojat dhe përfitimet e këtij pranimi. Edhe ajo kërkoi që në rast dënimi me burgim, dënimi të zëvendësohet me gjobë.
Prokurorja Arbresha Shala deklaroi se pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e dy të akuzuarve dhe kërkoi që ky akt të merret si rrethanë lehtësuese gjatë shqiptimit të dënimit.
Gjykatësi Vesel Ismaili aprovoi pranimin e fajësisë për dy të akuzuarit dhe veçoi procedurën ndaj tyre nga ajo e katër të akuzuarve të tjerë.
Gjykatësi Ismaili njoftoi katër të akuzuarit që u deklaruan të pafajshëm se brenda një afati prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Aksident me fatalitet në Vragoli, humb jetën një këmbësor e lëndohen dy të tjerë
Kërkohet paraburgim ndaj shtetasit të Serbisë që u zu në flagrancë duke importuar armë
Vrasje aksidentale brenda familjes në Strellc të Deçanit
Arrestohet shoferi i dehur që shkaktoi aksidentin fatal në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë
Goditet rrjeti i rekrutimit të punëtorëve me skuter nga Turqia
Aksident në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë, një grua e humb jetën
Policia: Krimet e luftës të raportohen vetëm te Drejtoria për Hetim
Paunoviq mbron deklaratën për “spastrim etnkik” të Kosovës
Arrestohet një shtetas turk, i dyshuar për pjesëmarrje në Masakrën e Krushës