Prishtinë, 17 shtator 2025
Shaip Kamberi, përfaqësuesi i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, njoftoi të mërkurën se e ka dorëzuar një kërkesë për themelimin e një komisioni të posaçëm parlamentar për t’i hetuar rastet e vdekjes së ushtarëve shqiptarë në ushtrinë e atëhershme jugosllave gjatë viteve ’80.
Kamberi e bëri këtë kërkesë kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, në një kohë kur Serbia po përgatitet për ta rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vend.
Në kërkesë, Kamberi thekson se në Luginën e Preshevës ekziston shqetësim për thirrjen e mundshme të të rinjve shqiptarë për ta kryer shërbimin ushtarak, “pasi e kaluara dhe pasojat e saj ende ndikojnë në vetëdijen kolektive të shqiptarëve”.
Në një njoftim në llogarinë e vet në Facebook, Kamberi kërkoi zbardhjen e vdekjeve të 135 ushtarëve shqiptarë në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) gjatë viteve ’80.
“Shumë nga këto raste, të regjistruara si ‘vetëvrasje’, ‘aksidente’ apo ‘shkelje disiplinore’, u konsideruan të dyshimta nga familjet e viktimave, të cilat shpesh raportuan shenja dhune mbi trupat e kthyer”, tha Kamberi.
Ai tha se mungesa e hetimeve të pavarura dhe transparencës për ato vrasje e ka forcuar bindjen e tyre se “kemi të bëjmë me vrasje me motive etnike dhe politike, në një periudhë kur shqiptarët në APJ përballeshin me diskriminim, stigmatizim dhe armiqësi të hapur”.
“Ky fenomen ka mbetur i heshtur e i padokumentuar në diskursin publik në Serbi, duke reflektuar një mungesë serioze të përballjes me të kaluarën dhe të diskriminimit institucional ndaj shqiptarëve”, theksoi ai.
Kamberi theksoi se, komisioni, nëse miratohet, do të përfshinte edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të komunitetit shqiptar.

Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë
Emrat e të dyshuarve: Serbë që dyshohet se morën pjesë në krime lufte
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Aktivistët në Serbi po i heqin grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”
Gjykata cakton paraburgim për dy të dyshuar për krime lufte
Troja Bicurri triumfon në “Akordet e Kosovës”, vlerësim për brezin e ri