Prishtinë, 13 shtator
Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, ka përjetuar një mbrëmje të paharrueshme në Bundesliga. Sipas revistës prestigjioze gjermane Kicker, talenti i Hoffenheim u kthye në vendlindjen e tij me një paraqitje të jashtëzakonshme, duke shënuar dy gola dhe duke u shpallur për herë të dytë në këtë sezon “Man of the Match”.
Ndeshja ndaj Union Berlin nisi me një moment zhgënjyes për Asllanin, i cili vetëm pas pesë minutash doli i vetëm përballë portierit Frederik Rönnoë, por nuk arriti të realizonte. Megjithatë, siç thekson Kicker, 22-vjeçari nuk u ndikua nga rasti i humbur dhe vazhdoi me qetësi, duke e treguar forcën e tij mendore.
Goli i parë erdhi pak para pushimit të pjesës së parë, kur Asllani përfitoi nga pasiguria e mbrojtjes vendase dhe me një goditje me kokë e dërgoi topin në rrjetë për 0-2. Në pjesën e dytë, vetëm pak minuta pasi Union ngushtoi diferencën, sulmuesi kosovar reagoi sërish, duke shënuar golin e tretë për Hoffenheim pas një aksioni të shpejtë.
Me këtë dopietë, Asllani regjistroi tre gola dhe një asistim në tri ndeshjet e para të sezonit, duke e konfirmuar veten si një nga pikat më të forta të ekipit të Hoffenheimit.
Pas ndeshjes, ai nuk i fshehu emocionet për këtë paraqitje të veçantë:
“Kisha ndjesi të veçanta, më kapi emocion. Është shumë e vështirë të fitosh në Berlin, siç kanë treguar edhe vitet e fundit. Jam krenar që ia dolëm ndaj një skuadre të fortë dhe veçanërisht krenar që shënova dy gola në vendin tim,” – tha Asllani për Kicker.
Në stadium ishin të pranishëm edhe familjarët, miqtë dhe ish-trajnerët e tij, gjë që e bëri këtë ndeshje akoma më domethënëse për sulmuesin e Kosovës, i cili duket se është në sezonin e tij të shpërthimit në Bundesliga.

Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, mundësi historike për investime dhe zhvillim në Kosovë
Kosova fiton katër medalje në Botërorin e Muaythait
Kampioni bie në Drenas, Feronikeli ’74 merr fitoren e parë në kampionat
BILD raporton se Erblin Osmani ende nuk e ka zgjedhur Kosovën
Lutfi Dalipi, 20-vjeçari ylli shqiptar në Zvicër: Katër gola e shtatë asistime – e kontaktojnë edhe kombëtarja e Portugalisë
“Shkruhet historia”, Kosova merr flamurin e Lojërave Mesdhetare 2030
Kandiqi i reagon Daçiqit: Politika jote rezultoi me varreza masive t`shqiptarëve
Protestuesit përleshen me policinë para objektit të Qeverisë
Hamza: Vendimi ndaj krerëve nuk u bë në emër të popullit, por kundër shtetit të Kosovës
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është padrejtësi e papranueshme