Prishtinë, 13 shtator
Në faqen zyrtare të UEFA-s ende shkruan se ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë do të zhvillohet në stadiumin “Rajko Mitiq” në Beograd, më 11 tetor.
Por është çështje kohe para se të zyrtarizohet vendimi që kjo ndeshje e ndjeshme të zhvendoset në stadiumin “Duboçica” në Leskovc. Kjo tashmë është kërkesë zyrtare e Federatës së Futbollit të Serbisë. Për të ndryshuar stadiumin duhet miratimi i Federatës Shqiptare të Futbollit. Dhe në një situatë të tillë UEFA pranon ndryshimin e vendit të ndeshjes, ndërsa FIFA, si organizatore e kualifikimeve, konfirmon këtë.
Ndeshja pritet të jetë vendimtare për vendin e dytë në grupin kualifikues për Botëror. Federata e Futbollit e Serbisë, e vetëdijshme për rëndësinë e ndeshjes, kishte vendosur që ajo të luhej në Beograd.
Ndryshimi ka të bëjë me zhvillimet në ndeshjen e fundit që Serbia u turpërua nga Anglia me rezultat 5 me 0. Kanë bërë bujë thirrjet kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga shumica e 40 mijë shikuesve. Ka pasur thirrje edhe kundër përzgjedhësit të Serbisë, Dragan Stojkoviq. Gjatë ndeshjes, në sy të policisë, grupe huliganësh, të afërt me presidentin Vuçiq, kanë bërë sulm fizik ndaj tifozëve që po bënin thirrje kundër pushtetit aktual në Serbi.
Ka kohë që situata politike në këtë vend është shumë e tensionuar. Protestat kundër qeverisë, të nisura nga studentët, janë bërë gjithëpopullore. Ndërkohë organizohen vazhdimisht edhe kundër-protesta, nga grupe kriminale të afërta me pushtetin e Vuçiqit.
Dhe për të shmangur situata të padëshiruara si ato të ndeshjes ndaj Anglisë, Federata e Futbollit e Serbisë, me shumë gjasë në konsultim me pushtetin, ka vendosur që ndeshja me Shqipërinë të organizohet në Leskovc.
Stadiumi ka kapacitet prej 8.136 ulëseve dhe ky numër kontrollohet shumë më lehtë se numri prej 40 mijë shikuesve. Po ashtu biletat mund të ndahen për grupe të caktuara, që kontrollohen më lehtë. Në dy vjetët e fundit Serbia i ka organizuar tri ndeshje në Leskovc.
Ndaj Shqipërisë ky stadium i vogël do të mbushet plot.
Por situata mund të ndryshojë nëse Federata e Futbollit e Serbisë dënohet nga FIFA lidhur me incidentet e shkaktuara në ndeshjen ndaj Anglisë. Ndër të tjera ka pasur edhe fyerje ndaj Kosovës dhe flamuj të Serbisë mbi hartën e Kosovës. Për shkak se serbët bëjnë vazhdimisht probleme, ka gjasa që të mbyllet i gjithë stadiumi për ndeshjen e ardhshme, që është ndaj Shqipërisë. Dhe potencialisht, në stadium të mbyllur, Serbia e Shqipëria mund të luajnë në Beograd.
Nëse mbyllet pjesërisht stadiumi, ndeshja mund të luhet në Leskovc.
“Po punojmë intensivisht që të marrim pajtueshmëri për të ndryshuar lokacionin për atë ndeshje. Leskovci është mjedisi në të cilin përfaqësuesja është përgatitur gjithnjë në qetësi, ku është pritur me përkrahje të parezervë, në atmosferë shumë pozitive dhe ku mori disa rezultate shumë pozitive”, ka thënë Brank Radujko, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Serbisë.
Ka pasur raportime në mediat serbe që FSHF-ja është pajtuar për ndryshim të stadiumit. Kjo në fakt është e mundur. Një stadium i vogël, me më pak presion nga tifozët, përkatësisht huliganët, rrit gjasat e kuqezinjve për sukses.

Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë në Grand Slamin e Abu Dabit
Ballkani triumfon bindshëm ndaj Drenicës
Nacionalizmi serb shfaqet edhe në futboll, tifozët e “Yllit të Kuq” djegin figurat e Kurtit dhe Thaçit
Barcelona-Real Madrid: ‘El Clasico’ që mund ta ndryshojë historinë
Gjilani pret Llapin në hapje të xhiros së 11-të të Superligës
PSG-Barcelona, kryesfida e mbrëmjes në Ligën e Kampionëve
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit