Prishtinë, 15 shtator 2026, 09:23
Rastet e fundit të arrestimeve për spiunazh në Kosovë nuk dëshmojnë domosdoshmërisht ekzistencën e një rrjeti të vetëm, por as nuk mund të konsiderohen veprimtari krejtësisht të izoluara. Sipas drejtorit të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, modeli që po shfaqet është më shumë një rekrutim i decentralizuar, ku rëndësi kryesore ka qasja në informacion.
Duke folur për arrestimet e rasteve të spiunazhit, Vrajolli, për Veritasinfo, përmend katër arrestime të konfirmuara gjatë vitit 2025, mes tyre një toger të Policisë së Kosovës të angazhuar në një pikëkalim kufitar dhe një zyrtare të OSBE-së, me dyshime që lidhen edhe me vitin 2009. Në gusht të vitit 2026 është ndaluar edhe një person që dyshohet se vepronte me udhëzime të një oficeri të BIA-s dhe identifikonte kandidatë për rekrutim.

Mentor Vrajolli, drejtor i QKSS-së
Sipas Vrajollit, këto raste tregojnë një mënyrë veprimi ku burimet mund të jenë të ndara nga njëra-tjetra, në mënyrë që goditja e një individi të mos e dëmtojë të gjithë strukturën.
“Më shumë duket të jetë fjala për rekrutim të decentralizuar, me burime të palidhura mes vete, ashtu që rënia e njërit të mos e rrëzojë të tërën”, shprehet Vrajolli për Veritasinfo.
Ai vlerëson se fakti që në mesin e të akuzuarve ka edhe shqiptarë tregon se kriteri i rekrutimit nuk është domosdoshmërisht përkatësia etnike.
“Kriteri primar duket të jetë qasja në informacion e jo përkatësia etnike”, është shprehur ai.
Çfarë informacioni kërkohet?
Vëmendja, sipas Vrajollit, mund të jetë e përqendruar në informacione që lidhen me Policinë e Kosovës, pikëkalimet kufitare, identifikimin e zyrtarëve të AKI-së, proceset zgjedhore, çështjet pronësore dhe personat me ndikim politik.
Në një rast, ai thotë se i akuzuari dyshohet edhe për pjesëmarrje në një plan për kompromentimin e zyrtarëve dhe ndikimin në zgjedhjet lokale të vitit 2025.
Sipas tij, synimi nuk është domosdoshmërisht sigurimi i informacionit të klasifikuar ushtarak, por informacioni që mund të përdoret për të prodhuar ndikim.
“Ndërhyrjet nuk kanë për qëllim domosdo informacion të klasifikuar ushtarak, mirëpo informacion që prodhon ndikim”, ka deklaruar Vrajolli.
Në këtë kuadër, ai i konsideron veçanërisht të ekspozuara burimet njerëzore brenda policisë dhe inteligjencës, pasi qasja e tyre e vazhdueshme në të dhëna mund të përdoret për të zbuluar veprimet e institucioneve të sigurisë.
Një tjetër fushë e ndjeshme janë politika dhe zgjedhjet, ku informacioni kompromentues mund të përdoret për shantazh dhe ndikim. Vëmendje, sipas tij, mund t’u kushtohet edhe komuniteteve joshumicë, përmes çështjeve të punësimit, pronës dhe dokumenteve.
Ndërkohë, Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet objektiv strategjik, por Vrajolli vlerëson se fokusi operacional deri tani duket të ketë qenë në fusha të tjera.
Në këtë kuadër, rastet e fundit, sipas Vrajollit, duhet të shihen jo vetëm si çështje individuale të spiunazhit, por si sinjal për nevojën e forcimit të sigurisë institucionale dhe mbrojtjes së burimeve të ndjeshme të informacionit.

Policia e Kosovës jep alarm për mesazhet mashtruese: Mos klikoni dhe mos jepni të dhëna personale
Policia reagon ndaj raportimeve se “Kosova blindohet”: Janë procedura të rregullta policore
Mbi 1 miliard euro për mbrojtjen, Kosova synon forcimin e ushtrisë
Policia me plan operativ në Mitrovicën Veriore, s’lejohen të kalojnë veturat me simbole kombëtare
FSK zhvillon aktivitete trajnuese dhe përgatitore për rritjen e gatishmërisë së pjesëtarëve
Ulutash para largimit: Situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm
Albulena Haxhiu porosi familjes së Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit: Kosova është me ju
Specialja dënon Kadri Veselin me 18 vjet burgim
13 vjet burg për Rexhep Selimin
Specialja dënon Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burgim