Maqedoni e Veriut, 3 gusht 2025
Thirrje raciste dhe gjuhë urrejtjeje kundër shqiptarëve në ndeshjen Maqedoni e Veriut–Rumani, institucionet heshtin
Skenarët e njohur të gjuhës së urrejtjes, racizmit dhe ksenofobisë u përsëritën sërish mbrëmë në tribunat e palestrës në Kumanovë, gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë. Një pjesë e tifozëve shpërfaqën kore të hapura antishqiptare, duke brohoritur: “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”. Pavarësisht pranisë së autoriteteve të larta shtetërore, nuk u mor asnjë masë për të ndaluar gjuhën nxitëse.
Thirrjet skandaloze vazhduan edhe në praninë e kryeministrit Hristijan Mickoski, kryetarit të Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrit të punëve të jashtme Panço Toshkovski, zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq dhe zyrtarëve të tjerë shtetërorë. Në momente të ndryshme të ndeshjes u dëgjuan parulla të rënda si: “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, që përkujtojnë retorikën më të errët të historisë evropiane.
Përkundër ashpërsisë së mesazheve dhe shqetësimit publik, pas përfundimit të ndeshjes nuk u shënua asnjë reagim zyrtar, nuk pati asnjë deklaratë nga organizatorët, as ndonjë kërkim falje apo distancim institucional.
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, reagoi ashpër ndaj këtyre zhvillimeve. “Dënoj fuqishëm thirrjet raciste dhe antishqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit në Kumanovë. Fjalët fyese dhe këngët që nxisin urrejtje nuk kanë vend në shtetin dhe shoqërinë tonë”, shkroi ai në një reagim publik. Mexhiti i cilësoi këto akte si sulm të drejtpërdrejtë ndaj bashkëjetesës dhe vlerave të barazisë që duhet të karakterizojnë Maqedoninë e Veriut.
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shprehu indinjatë dhe revoltë të thellë për këtë ngjarje të rëndë, e cila ndodhi nën sytë e zyrtarëve të lartë shtetëror, pa asnjë reagim apo ndërhyrje. Koret dhe thirrjet urrejtëse, sipas BDI-së, përfaqësojnë një shfaqje të nacionalizmit primitiv që nuk ka vend në një shtet që synon integrimin evropian.
“Shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma e gazit për shqiptarët”, “Maqedoni e pastër” – janë parulla që nuk mund të relativizohen, nuk mund të heshtën dhe nuk duhet të tolerohen. Ajo që e bën situatën edhe më të rëndë është heshtja e organizatorëve, Federatës së Basketbollit, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Komunës së Kumanovës dhe e çdo përfaqësuesi të pranishëm në atë tribunë të ndotur nga urrejtja”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të ashpra dhe kërkesa për hetim dhe përgjegjësi, ndërkohë që opinioni publik kërkon masa të qarta për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla në të ardhmen.

Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë në Grand Slamin e Abu Dabit
Ballkani triumfon bindshëm ndaj Drenicës
Nacionalizmi serb shfaqet edhe në futboll, tifozët e “Yllit të Kuq” djegin figurat e Kurtit dhe Thaçit
Barcelona-Real Madrid: ‘El Clasico’ që mund ta ndryshojë historinë
Gjilani pret Llapin në hapje të xhiros së 11-të të Superligës
PSG-Barcelona, kryesfida e mbrëmjes në Ligën e Kampionëve
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit