Mitrovicë, 22 korrik 2026 14:07
Një 25-vjeçar me inicialet M.P. është arrestuar të hënën në Mitrovicën e Veriut, nën dyshimin se ka dëmtuar dy automjete duke i goditur me gurë. Ndaj tij ishte gjithashtu aktiv një urdhërarrest i lëshuar nga gjykata për veprën penale “Kanosje”.
Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari lidhet me dy raste të iniciuara në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut, që kanë të bëjnë me veprën penale “Dëmtim apo asgjësim i pronës”.
“Me datë 20.07.2026, policia në veri ka arrestuar personin e dyshuar me inicialet M.P. (2001), i cili dyshohet se më 10.07.2026 ishte i përfshirë në dy raste të iniciuara në stacionin policor Mitrovicë e Veriut për veprën penale ‘Dëmtim apo asgjësim i pronës’. Bazuar në hetimet e zhvilluara, i njëjti dyshohet se ka dëmtuar dy automjete duke i goditur me gurë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia njoftoi se i dyshuari kishte arritur t’i shmangej arrestimit më 14 korrik, por pas lokalizimit të tij në Mitrovicën e Veriut është arrestuar, ndonëse ka tentuar sërish të largohet.
“Gjatë arrestimit, i dyshuari ka tentuar sërish t’i shmangej arrestimit, por zyrtarët policorë kanë arritur ta neutralizonin dhe arrestonin”, bëri të ditur Policia.
Sipas autoriteteve, gjatë intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, M.P. e ka pranuar se kishte dëmtuar automjetet.
Policia gjithashtu bëri të ditur se ndaj tij ishte në fuqi një urdhërarrest i lëshuar nga gjykata për veprën penale “Kanosje”.
Përveç këtij rasti, ai figuron si i dyshuar edhe në 10 raste të tjera penale, të cilat janë në procedurë pranë organeve të drejtësisë.
“Po ashtu, në sistemin policor ai figuron si i dyshuar edhe në 10 raste të tjera penale, përfshirë veprat: ‘Vrasje’, ‘Nxitje e urrejtjes dhe mosdurimit’, ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, të cilat janë në procedurë pranë organeve të drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Policia e Kosovës theksoi se mbetet e përkushtuar në identifikimin dhe arrestimin e personave që kryejnë vepra penale, si dhe në sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë.

Vdekje e dyshimtë në Ferizaj, në trupin e viktimës kishte shenja dhune
Aksident fatal në Junik, humb jetën vozitësi i katërçikletës
Arrestohet një person në Prishtinë për kërcënim ndaj Kuvendit
Aksident tragjik në Malishevë, vdes një person pasi ra nga rimorkioja derisa ishte duke punuar
Pas trajtimit jashtë vendit, ndërron jetë i lënduar në aksidentin në Loxhë
Hamza: Vendimi ndaj krerëve nuk u bë në emër të popullit, por kundër shtetit të Kosovës
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është padrejtësi e papranueshme
Video-lajm: Protuestuesit revoltohen para ndërtesës së EULEX-it
Rama reagon pas vendimit në Hagë: `MARRE`