Prishtinë, 17 qershor 2026 – 18:15
Çdo vit, dhjetëra familje braktisin zonat rurale dhe zhvendosen drejt qyteteve në kërkim të kushteve më të mira të jetesës. Mungesa e vendeve të punës, infrastruktura e dobët, qasja e kufizuar në shërbime shëndetësore dhe arsimore, si dhe mundësitë më të mëdha ekonomike në zonat urbane, konsiderohen ndër faktorët kryesorë që po ndikojnë në këtë trend.
Ky fenomen po shkakton tkurrje të popullsisë në shumë vendbanime rurale, duke sjellë mungesë të fuqisë punëtore dhe duke vështirësuar zhvillimin ekonomik të këtyre zonave.
Të dhënat zyrtare tregojnë se migrimi i brendshëm në Kosovë ka prekur një numër të konsiderueshëm banorësh. Sipas Vlerësimit të Popullsisë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë dy viteve të fundit rreth 30 mijë persona kanë ndryshuar komunën e vendbanimit brenda territorit të Kosovës.
Sipas ASK-së, kjo lëvizje lidhet kryesisht me faktorë socio-ekonomikë, si kërkimi për vende pune, qasja më e mirë në shërbime publike, arsim dhe kujdes shëndetësor. Një pjesë e konsiderueshme e këtij migrimi të brendshëm është orientuar nga zonat rurale drejt atyre urbane dhe suburbane.
Njohësja e demografisë, Prof. Asoc. Dr. Mimoza Dushi, vlerëson se largimi i familjeve nga fshatrat drejt qyteteve është rezultat i një kombinimi faktorësh ekonomikë, socialë dhe demografikë.
“Edhe ne, si shoqëri, duke qenë pjesë e pandashme e zhvillimeve globale, nuk dallojmë nga popujt dhe shoqëritë e tjera. Lëvizjet e familjeve në Kosovë nga fshati në qytet, nga një qytet në tjetrin, por edhe emigrimi jashtë vendit, lidhen me kërkimin e vazhdueshëm për një mirëqenie më të lartë. Këto lëvizje kanë të bëjnë kryesisht me aspektin socio-ekonomik. Shkolla më afër, shërbimet shëndetësore më të qasshme dhe shërbimet publike më cilësore ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve”, shprehet Dushi për VeritasInfo.
Sipas saj, mungesa e vendeve të punës dhe e mundësive për gjenerimin e të ardhurave në zonat rurale mbetet një ndër arsyet kryesore që i shtyn familjet të largohen nga vendbanimet e tyre.
“Qytetet ofrojnë më shumë mundësi punësimi, qasje më të lehtë në arsim, shërbime shëndetësore dhe infrastrukturë më të zhvilluar, gjë që i bën ato më tërheqëse, veçanërisht për të rinjtë dhe familjet e reja. Si pasojë, shumë fshatra po përballen me plakje të popullsisë dhe rënie të numrit të banorëve”, thotë Dushi.
Ajo thekson se për të frenuar këtë trend nevojiten politika të qëndrueshme zhvillimore, rritje e investimeve në bujqësi, përmirësim i infrastrukturës dhe krijim i kushteve më të mira për punësim dhe jetë në zonat rurale.
Largimi i banorëve nga fshatrat po reflektohet drejtpërdrejt edhe në sektorin e bujqësisë, i cili konsiderohet një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës. Me më pak familje që merren me kultivimin e tokës, sipërfaqe të tëra bujqësore mbeten të papunuara, duke kufizuar potencialin prodhues të vendit.
Një situatë e tillë nuk ndikon vetëm në bujqësi, por edhe në zhvillimin ekonomik në përgjithësi, pasi zvogëlon prodhimin vendor, rrit varësinë nga importet dhe kufizon krijimin e vendeve të reja të punës në zonat rurale.
Megjithatë, jo të gjithë kanë zgjedhur të largohen nga fshati. Petrit Çitaku është një nga banorët që, pavarësisht mundësive për të jetuar në qytet, ka vendosur të qëndrojë në vendlindjen e tij, në një fshat të komunës së Skenderajt, dhe të vazhdojë të merret me bujqësi.
Së bashku me familjen, ai punon tokën dhe merret me aktivitete bujqësore, duke e konsideruar jetën në fshat jo vetëm si një traditë familjare, por edhe si një mundësi për të siguruar të ardhura dhe për të kontribuar në rritjen e prodhimit vendor.
Çitaku thotë se puna në tokë kërkon përkushtim të madh, por beson se zonat rurale ende kanë potencial të konsiderueshëm për zhvillim, nëse mbështeten më shumë nga institucionet përmes subvencioneve, investimeve dhe politikave që favorizojnë bujqësinë dhe jetën në fshat.
Nëse trendi i migrimit nga fshatrat drejt qyteteve vazhdon, zonat rurale do të përballen me sfida edhe më të mëdha demografike dhe ekonomike.

Nga jeta në zhdukje – rrëfimi për 23 civilët e vrarë dhe groposur fshehtas
Koci: Edhe një qytetar i Kosovës ndalohet nga autoritetet serbe
Arrestohet edhe një i dyshuar për krime lufte në Zubin Potok
Prokuroria Speciale: Ende herët të flitet për rezultate të sakta nga gërmimet në Zubin-Potok
Varroset Isuf Hoxha, iu gjetën mbetjet mortore pas 27 vjetësh
Kurti i bën thirrje SHBA-së dhe BE-së: Serbia të deklasifikojë dokumentacionin e krimeve të luftës
Koci: Sa herë ka hetime për krime lufte në Kosovë, ka arrestime në Serbi
Islami: Serbia po përdor arrestimet për të barazuar viktimën me kriminelin
Hoxha: Hapja e konsullatës serbe në Shkodër s’nënkupton pandjeshmëri ndaj Kosovës