Prishtinë, 15 qershor 2026 14:28
Prishtinë- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rigjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte, Çedomir Aksiq, në seancën e së hënës Prokuroria kërkoi që të bëhet bashkimi i dy aktakuzave në të cilat po gjykohet Aksiq, këtë ku gjykohet vetë me atë të masakrës së Reçakut, ku ngarkohet me 20 të akuzuar të tjerë.
Në seancën e së hënës, prokurorja speciale Habibe Salihu, tha se pasi ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit, është vënë në dijeni se Çedomir Aksiq, po akuzohet edhe për një rast tjetër për veprën penale të njëjtë, andaj kërkoi të bashkohen të dy aktakuzat.
“Sot, e kam siguruar një aktvendim të Apelit sipas së cilit aktvendim është duke u zhvilluar një procedurë tjetër kundër Çedomir Aksiq dhe sugjerimi edhe i Apelit është që ky rast të bashkohet. Andaj kam një propozim që të bashkohet ky rast me rastin tjetër meqenëse janë të përfshirë edhe disa të dëmtuar tjerë”, tha prokuroja Salihu.
Salihu shtoi se sipas saj, duhet të lejohet ky propozim pasi që nëse nuk mund të trajtohen në rastin tjetër, dëmtohen një grup i madh i të dëmtuarve.
Sipas saj, nëse Gjykata nuk e aprovon këtë propozim, do të bëjë zgjerimin e aktakuzës sa i përket të dëmtuarve në këtë rast.
Paraprakisht, mbrojtësi i të akuzuarit Çedomir Aksiq, avokati Ymer Berisha, në fjalën hyrëse të tij deklaroi se nuk ka vërejtje dhe se e përkrah vendimin e shkallës së dytë, i cili ktheu në rigjykim këtë çështje penale.
Berisha propozoi që Gjykata të eleminojë shkeljet procedurale duke përmbushur të gjitha kushtet ligjore për një gjykim të drejtë.
Më pas, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, konstatoi se lidhur me propozimin do të merret vendim jashtë seancës dhe të gjitha palët do të njoftohen me kohë, andaj seanca u ndërpre.
Ndryshe, sa i përket aktakuzës tjetër ku ngarkohet Çedomir Aksiq, bëhet fjalë për aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale më 30 dhjetor 2025, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave të cilët i akuzon për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, konkretisht për masakrën e Reçakut. Ata akuzohen për vrasjen e 42 civilëve më 15 janar 1999. Aktakuza përshkruan vrasjet mizore, trajtimin çnjerëzor, dëbimet dhe shkatërrimin e pasurisë së civilëve.
I akuzuari Aksiq u shpall fajtor dhe u dënua nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 15 vite burgim, më 26 dhjetor 2024. Por, përmes vendimit të 27 shkurtit 2026, Gjykata e Apelit ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ktheu rastin në rigjykim.
Ndryshe, më 20 nëntor 2023 në Gjykatën Themelore në Prishtinë kishte nisur gjykimi në mungesë ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq, i akuzuar për krime lufte. Gjykimi në mungesë parashihet me Kodin e Ri të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 maj 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Çedomir Aksiq, i cili akuzohet për krime lufte në Komunën e Shtimes, konkretisht në fshatrat Reçak, Mulapolc dhe Petrovë. Ai ngarkohet se prej periudhës janar-maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal të uniformuar, kanë shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integriteti trupor ose shëndetit dhe frikës ndaj popullatës civile.
Në aktakuzë, thuhet se në pikën e quajtur “Kodra e Gështenjave” vend midis fshatrave Reçak, Mulapolc dhe Petrovë, së bashku me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, kishin urdhëruar dëbimin e banorëve të lagjes, e më pas së bashku me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, ua kanë djegur shtëpitë të dëmtuarve, duke shkaktuar dëm moral dhe material deri në 300 mijë euro.
Në vendin e quajtur “Lugu i Neshës”, në Petrovë të Shtimes, Aksiq thuhet se tani të ndjerin Halil Hysenaj e kishe ekzekutuar me një pushkë 10-she, ku familja e të ndjerit paraprakisht ishin ndalur nga i akuzuari Aksiq, ku më pas të njëjtit kishin gjetur trupin e të ndjerit pa shenja jete. Kurse në fshatin Reçak, thuhet se Aksiq kishte marrë pjesë në vrasjen e Hajriz Brahimit, Hakin Muratit, Sabri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafes, Sadik Mujotës, Skënder Halitit dhe Hanumshahe Mujotës.
Fillimisht, thuhet se Aksiq në bashkëkryerje me forcat tjera serbe, kishin gjuajtur në drejtim të Hajriz Brahimit, derisa ky i fundi ishte duke ikur nga shtëpia e tij në drejtim të malit, dhe pas Hajriz Muratit, Aksiq thuhet të ketë shtënë pastaj edhe në drejtim të Hakin Muratit, Sabri Muratit dhe Arif Muratit. Tutje, në prezencë të gruas (së viktimës), thuhet se Aksiq kishte vrarë dhe personin me emrin Ahmet Mustafa dhe derisa po largohej nga shtëpia e tani të ndjerit Mustafa, me forcat serbe thuhet të kenë shtënë edhe në drejtim të Sadik Mujotës, Hanumshahe Mujotës, Skender Halitit dhe Mehmet Mustafës.
Dëshmitarë të rastit janë renditur: Ruzhdi Jashari, Sadri Jashari, Bashkim Rizau, Shukrije Hysenaj, Agim Hysenaj, Hajdin Hysenaj, Blerim Hysenaj, Hyzer Hysenaj, Njazi Mujota, Tefik Halili dhe Avdullah Krasniqi.
Me këto veprime, Aksiq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e ndëshkuar me nenin 142 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht e dënueshme edhe sipas Konventës së Gjenevës si “Krim lufte” në shkelje të rëndë të nenit 3 të kësaj konvente dhe nenit 4. protokolit 2 të datës 8 qeshor 1977 dhe aktualisht e ndëshkueshme sipas nenit 146 dhe 147 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kujtojmë se procesi gjyqësor ndaj Aksiq zhvillohet në mungesë, pasi që Prokuroria dhe Gjykata kanë shtjerrë të gjitha mundësitë për sigurimin e prezencës së tij në gjykim.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike apelon për vaksinimin e fëmijëve pas rasteve me fruth në Kosovë
FSK dhe FARSH trajnohen për veprime të përbashkëta
FFK me telegram ngushëllimi: Vdekja e Bajram Rragamajt lë një zbrazëti të madhe
Masakra e Reçakut: Paraburgim ndaj pesë të akuzuarve për krime lufte
100 eurot dalin sot, Ministria jep edhe një mundësi për aplikuesit me gabime
Pacolli paralajmëron gjoba deri në 5 mijë euro për ndotësit
Prokuroria kërkon që lënda ndaj Çedomir Aksiqit të bashkohet me atë ku akuzohet bashkë me 20 të tjerë për masakrën e Reçakut