Prishtinë, 14 Korrik 2025
Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Pjetër Shalës, duke e dënuar me 13 vjet burgim. Kjo Gjykatë, ia uli dënimin Shalës, i cili nga shkalla e parë e Speciales ishte dënuar me 18 vjet burgim.
Aktgjykimi u shpall të hënën nga trupi gjykues i përbërë nga Michele Picard- kryetare, e cila ishte e pranishme në seancë përmes video-lidhjes, dhe gjyqtarët Kai Ambos dhe Nina Jorgensen.
Gjykatësi Ambos i cili lexoi aktgjykimin, tha se Apeli miratoi pjesërisht pikën 7, 12 dhe 14 të ankesës së Shalës, kurse rrëzoi apelin për aspektet e tjera, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Miraton pjesërisht pikën 7, pjesërisht pikën 12 dhe pjesërisht pikën 14 të apelit të zotit Shala. Rrëzon pjesërisht verdiktin e fajësisë për pikën 1 dhe 3 të aktakuzës në lidhje me pjesët e tyre që bazohen në ndalimin arbitrar të dy personave dhe në torturimin e pesë personave. Rrëzon apelin e zotit Shala për të gjitha aspektet tjera. Lë në fuqi pjesën tjetër të verdiktit të fajësisë të zotit Shalën për krimin e luftës së ndalimit arbitrar në bazë të nenit 14 (1c) dhhe neni 16 (1a) të Ligjit, sipas pikës 1 të aktakuzës- krimin e luftës të torturës dhe krimin e luftës së vrasjes së paligjshme”, tha Ambos.
Gjykatësi tha se Apeli lë në fuqi dënimin me 6 vjet burgim për pikën 1 të aktakuzës, kurse anulon vendimi me 16 vjet burgim për pikën 3 të aktakuzës.
Kjo Gjykatë, dënoi Shalën me 13 vjet burgim në lidhje me pikën 4 të aktakuzës. Kurse, anuloi dënimin me 18 vjet burgim për po atë pikë akuzës dhe caktoi dënim me 13 vjet burgim.
Apeli anuloi dënimin unik me 18 vjet burgim të shpallur nga shkalla e parë dhe e dënoi Shalën me 13 vjet burgim, duke ia llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim.
Shala ishte arrestuar më 16 mars 2021 dhe më pas u transferua në Hagë më 15 prill 2021. Nga ajo kohë, ai gjendet në paraburgim.
Shala në këtë seancë ishte i pranishëm përmes video-lidhjes.
Paraprakisht, gjykatësi Ambos tha se në shkallë të parë, Shala u shpall fajtorë për tri akuza për krime lufte.
“Ai u shpall fajtor për krime të luftës: Ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe i pafajshëm për krimin e luftës të trajtimit mizor. Trupi gjykues e dënoi zotin Shala me dënim të njehësuar prej 18 vitesh burgim”, tha Ambos.
Ai shtoi se trupi gjykues konstatoi se afërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 në Fabrikën e Metalit në Kukës së paku 18 personave iu hoq liria nga Shala dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së.
“U konstatua se gjatë të njëjtës periudhë kohore, zoti Shala dhe anëtarët e tjerë të UÇK-së, i mbajtën të ndaluarit në FMK në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese, si dhe i keqtrajtuan rregullisht si fizikisht si dhe psiqikisht me qëllim marrjen e informacionit ose deklaratave pranuese dhe ose për t’i ndëshkuar, frikësuar, detyruar ose diskriminuar për arsye politike”, tha ai.
Gjykatësi shtoi se një person i cili supozohet që ka vdekur si pasojë e vrasjes së paligjshme, vdiq gjatë kohës sa ishte i ndaluar në Uzinën e Metalit në Kukës. Tha se u konstatua se viktima ka vdekur nga një plagë me armë zjarri nga një person tjetër në prani të Shalës dhe nuk iu ofrua ndihma mjekësore.
Për Shalën, tha se shkalla e parë ka konstatuar se ai kishte marrë pjesë në keqtrajtimin e këtij personi.
Sipas gjyqtarit, Shala kishte kërkuar në ankesën e tij anulimin e vendimit të fajësisë ndaj tij ose si alternativë rasti të kthehet në rigjykim ose t’i ulet dënimi. Tha se edhe urdhri për zhdëmtim është apeluar nga Shala, e që vendimi për këtë pjesë do të jepet më vonë.
Ambos tregoi se në pikën 9 të apelit, Shala pretendoi për shkelje të të drejtave të mbrojtjes- përkatësisht me nxjerrjen e materialeve nga ZPS-ja. Tha se Shala kishte pretenduar se nxjerrja e materialeve me vonesë për njërin nga dëshmitarët e dëmtoi atë.
Por, gjyqtari tha se pretendimet e tilla të Shalës duhet të rrëzohen sipas konstatimeve të Apelit, me arsyetiimin se mungon baza për shkak se nuk është arritur të provohet pretendimi për dënim në këtë pikë të ankesës.
Lidhur me ankesën e Shalës se trupi gjykues ka vënë kufizime të tepruara për dëshmitarët që ka thirrur mbrojtja, Apeli ka konstatuar se Shala ka hequr dorë nga e drejta e tij për të kundërshtuar në fazën e Apelit- vendimin e trupit gjykues që urdhëroi heqjen e pesë dëshmitarëve nga lista e dëshmitarëve të mbrojtjes, si rrjedhojë edhe kjo pikë u rrëzua.
Shala kishte thënë se gjykimi filloi përpara se mbrojtja të ishte gati dhe para se ata të përfundojnë hetimet. Por, edhe kjo pikë u rrëzua.
Aty u tha se u trajtuan edhe pretendimet për gabime në pranimin dhe vlerësimin e deklaratave të mëparshme të Shalës.
Shala kishte kundërshtuar pranimin dhe mbështetjen në deklarata të mëparshme të tij, me pretendimin se ato ishin marrë në shkeljen e të drejtave të tij për gjykim të drejtë.
Paneli rikujoi se një vendim i mëhershëm gjatë fazës së gjykimit, Apeli kishte trajtuar aspekte të ngjashme dhe la në fuqi vendimin për të pranuar në prova deklaratat e Shalës të dhëna më 2005 dhe 2007 në TPNJ.
Ndërsa, në një vendim tjetër, gjykatësi tha se Apeli kishte konstatuar se në intervistën për autoritetet belge, Shala nuk ishte lejuar që të kontaktonte avokat më 2016 dhe se trupi gjykues kishte gabuar kur kishte konstatuar ndryshe.
Por, sipas Ambos, u konstatua se kuadri i shkeljes në këtë rast ishte i kufizuar dhe Apeli e kishte lënë në fuqi vendimin e tupit gjykues- i cili kishte thënë se deklarata për autoritetet belge nuk ishte e papranueshme.
Sipas gjyqtarit, shkalla e parë nuk ishte mbështetur në deklaratën e autoriteteve belge të 2016-ës në aktgjykim.
“Paneli rrëzon gjithashtu argumentin e zotit Shala se trupi gjykues shkeli të drejtat e tij për gjykim të drejtë se në aktgjykim u mbështet kryesisht në deklaratën e dhënë autoriteteve belge më 2019-ën, u trajtua me kujdesin e duhur dhe trupi gjykues u mbështet në të vetmen kur i konfirmoi provat tjera. Paneli rrëzon argumentet e zotit Shala në lidhje me këtë deklaratë”, u tha nga gjykata.
Andaj, u rrëzua dhe pika 1 e apelit të Shalës.
Ndërsa, për pretendimin se trupi gjykues shkeli parimin e ligjshmërisë, foli gjyqtarja Jorgensen, e cila tha se në këtë pikë, Shala kishte thënë se me shpalljen e tij fajtor si pjesë e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NPK) për krime lufte, trupi gjykues kishte shkelur parimin e ligjshmërisë- konkretisht nenin 33 të Kushtetutës, si dhe nenin 6 dhe 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Si dhe nenin 15 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike.
Shala kishte pretenduar se NPK-ja si formë e përgjegjësisë penale- krimi i luftës i ndalimit arbitrat në një konflikt të armatosur jondërkombëtar nuk ishin pjesë e legjislacionit të Kosovës dhe as nuk ishin të përcaktuara sipas të drejtës zakonore ndërkombëtare.
Ai kishte pretenduar se ato nuk ishin të disponueshme për të akuzuarin në kuptim të nuk e dinte në atë kohë se cilat forma të përgjegjësisë penale përbënin krime. Kishte pretenduar se trupi gjykues do të duhej të kishte marrë parasysh mosshkollimin e mjaftueshëm të tij dhe mospasjen e një pozite në UÇK.
Paneli i Apelit, lidhur me këtë pjesë konstatoio se argumentet e Shalës janë të përsëritura- të cilat tashmë janë rrëzuar nga vendime të ndryshme gjatë procesit dhe se tani Shala nuk ka arritur ta bind Apelin që të vlerësojë ndryshe.
Shala po ashtu kishte pretenduar se trupi gjykues gaboi kur e shpalli fajtor për ndalim arbitrar dhe torturë në lidhje me së paku 18 viktima- kur në aktakuzë ai ngarkohej për 9 viktima. Apeli ka konstatuar se trupi gjykus nuk e kishte analizuar nëse aktakuza kishte mangësi në këtë aspekt.
“Paneli gjykon se trupi gjykues duhej t’i kishte dhënë arsyet e vendimit për verdiktin e fajësisë kundër zotit Shala në lidhje me një numër më të madh personash sesa u paraqit fillimisht në aktakuzë. Paneli konstaton se mosdhënia e këtyre arsyeve prej trupit gjykues përbën gabim ligjor”, tha Jorgensen.
Andaj, Paneli konstatoi se aktakuza kishte mangësi lidhur me 9 persona e të tjerë që u pretendua se u mbajtën në FMK.
Jorgensen tha se kjo mangësi në aktakuzë ishte e korrigjueshme pasi nuk përbënte një akuzë të re dhe nuk çoi në transformim rrënjësor të dosjes kundër Shalës. Përveç kësaj, u konstatua se mangësia në aktakuzë u korrigjua përmes informacionit të përfshirë në dosjen paraprake të ZPS-së, ku përmenden këta 18 persona.
Si rrjedhojë, paneli vlerësoi se gabime të tilla nuk e zhvlerësojnë vendimin e trupit gjykues për shpalljen e Shalës fajtor mbi këtë bazë, kështu që u rrëzua edhe kjo pikë e apelit.
Gjithashtu, Shala kishte pretenduar se u shpall fajtor pa u ditur identiteti i tre anëtarëve në pretenduar të NPK-së, dhe pa u ditur identiteti i viktimave.
Gjyqtarja tha s trupi gjykues identifikoi Osman Kryeziun dhe Fatmir Limajn si anëtarë të NPK-së, ndonëse këta nuk ishin përmendur në aktakuzë. Ndërsa, për pretendimin e Pjetër Shalës për Sokol Dobrunën, gjyqtarja tha se trupi gjykues nuk e përmendi me emër si pjesëtar të kësaj ndërmarrjeje.
Përmendja e Kryeziut dhe Limajt, sipas gjyqtares nuk përbën fakt material- por ka të bëjë më shumë me povat.
Në lidhje me viktimat, Paneli ka konstatuar se aktakuza nuk ishte shumë konkrete në lidhje me identitetin e 9 viktimave. Konstatoi se trupi gjykues ka gabuar që nuk e trajtoi aspektin ndonjëse aktakuza kishte mangësi dhe që rrjedhimisht nuk konstatoi se aktakuza ishte e mangët në këtë aspekt.
“Paneli konstaton se mangësia në aktakuzë u korrigjua nga informacionet që përmbante dosja paraprake e ZPS-së”, tha Jorgensen.
