Prishtinë, 15 janar 2026 15:28
Në nderim të 45 viktimave të pafajshme që u vranë mizorisht 27 vjet më parë në Reçak, u mbajt akademi përkujtimore nga ku Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Reçaku është dëshmia që Serbia kreu gjenocidin ndaj popullatës civile shqiptare, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë.
Osmani theksoi se Reçaku nuk është vetëm një emër në historinë e Kosovës, por një pikë kthese që ia qartësoi botës realitetin e regjimit gjenocidal serb ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë.
Presidentja tha se këtë guxim e dëshmoi edhe ambasadori William Walker, duke e cilësuar atë si simbol të së vërtetës për Reçakun. Ajo përmendi deklarimin e tij të dhënë më 16 janar 1999 në Reçak.
“Ka vende që mbeten përgjithmonë dëshmi, ka vende që nuk heshtin kurrë dhe ku gjurma e dhimbjes është po aq e freskët sa ishte para 27 vitesh; ka vende që u bënë zgjimi i ndërgjegjes demokratike. I tillë është Reçaku. Reçaku nuk është vetëm një emër i historisë së Republikës sonë, por u bë pikë kthese. Kthesë që e qartësoi para botës realitetin e hidhur të regjimit gjenocidal serb ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë. Më 15 janar 1999, Reçaku u bë simbol i vuajtjes së një populli që kërkonte liri, por edhe simbol i guximit. I guximit për ta quajtur krimin me emrin e vërtetë. Këtë guxim e dëshmoi ai që edhe sot mbetet simbol i së vërtetës, ambasadori Ëilliam Ëalker. “Nga ajo që pashë personalisht, nuk hezitoj ta përshkruaj ngjarjen si masakër, pa asnjë dyshim një krim i rëndë kundër njerëzimit” – këto ishin fjalët e Ëilliam Ëalkerit, të shqiptuara më 16 janar 1999 në Reçak. Por nuk ishin vetëm fjalë, ishin pikë kthese në historinë tonë që tronditën botën dhe, mbi të gjitha, ia zhveshën maskën e gënjeshtrës regjimit gjenocidal të Serbisë”, tha ajo.
Në fjalën e saj Osmani tregoi historinë e dhimbshme të Benjamin Mehmetit, të cilit iu vra ndër të tjerash edhe binjaku i tij.
“Në këtë vend, ku toka mban ende peshën e dhimbjes, 27 vjet më parë 45 civilë shqiptarë u masakruan mizorisht, shumica në Kodrën e Bebushit. U vranë vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë, njerëz që kërkonin të jetonin të lirë në tokën e tyre. Në mesin e 45 martirëve ishte babai dhe motra e Benjamin Mehmetit. Atë ditë të ftohtë janari, fati i dy vëllezërve binjakë u nda nga një vendim i pafajshëm i rikthimit në shtëpi. Benjamini vendosi të qëndrojë edhe një natë te dajtë e tij në Godanc, ndërsa Elhamiu vendosi të rikthehet në shtëpi në Reçak. Por kthimi në shtëpi ishte sa dëshirë e madhe, po aq ankth, pasiguri dhe rrezik mbi të gjitha. Në ditën e tmerrshme të 15 janarit 1999, rrugën Elhamiut ia prenë plumbat e regjimit gjenocidal të Serbisë; ai mbeti i plagosur, ndërsa motra Hanumshahja u vra derisa tentoi t’i dilte në ndihmë vëllait të saj, siç bën çdo motër për vëllain e vet.Makthi për familjen nuk mbaroi me kaq. Benjamini humbi edhe babain po atë ditë. Dhimbja e Benjamin Mehmetit nuk është individuale, është dhimbje e gjithë Kosovës dhe e Reçakut, sepse ata që humbën më të dashurit e tyre ishin shumë. Janë shumë dhe janë në mesin tonë çdo ditë. Në Kosovë secili ka dhënë diçka për lirinë: dikush gjak, dikush pushkë, dikush djersë e dikush lot që nuk ndalen as sot. Pikërisht kjo sakrificë e bëri lirinë të mundshme. E bëri të mundshme edhe shtetin tonë të pavarur, i cili i dedikohet secilit që dha mund, bëri sakrificë në mënyrën e vet, që sot të jetojmë të lirë në Republikën e Kosovës”, u shpreh Osmani.
Reçaku ishte dhe mbetet pjesë e pandashme e betejës për të vërtetën dhe drejtësinë. Kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë Akademisë Përkujtimore në Reçak, me rastin e 27-vjetorit të masakrës, ku u vranë 45 civilë shqiptarë nga forcat paramilitare serbe më 15 janar të vitit 1999.
Kurti theksoi se kjo masakër ka qenë në qendër të procesit gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
“Edhe pse ky proces nuk u përmbyll me një gjykim për shkak të vdekjes së Millosheviqit, faktet dhe dëshmitë për Reçakun mbetën të regjistruara në drejtësinë ndërkombëtare si konfirmim se e vërteta për këto krime nuk mund të mohohet dhe se drejtësia, sado e vonuar, mbetet detyrim moral dhe historik”, tha Kurti.
Ai gjithashtu përkujtoi sakrificën e familjarëve dhe të gjithë atyre që luftuan për lirinë e Kosovës.
“Sot, në përvjetorin e 27-të, jemi bashkë për të përmbushur përgjegjësitë tona njerëzore dhe shtetërore që e tejkalojnë kohën, obligimin ndaj kujtesës, së vërtetës dhe drejtësisë. Të dashur familjarë të të vrarëve në Masakrën e Reçakut, ju fëmijë dhe pasardhës të martirëve dhe dëshmorëve, sot këtu në Reçak ju përkulemi me respekt të thellë. Dhimbja juaj është dhimbja jonë. Shteti ynë, Republika e Kosovës, ku sot jetojmë të lirë, i ka rrënjët në gjakun e derdhur të martirëve dhe dëshmorëve gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në sakrificën dhe qëndresën e popullit tonë liridashës”, tha tutje kryeministri në detyrë.
Kurti nënvizoi edhe përparimin e Kosovës në rrugën e drejtësisë për krimet e luftës, duke përmendur aktakuzën e ngritur në dhjetor të vitit 2025 nga Prokuroria Speciale ndaj 21 personave për Masakrën e Reçakut.
“Kjo aktakuzë afirmon se krimi ka autorë, se e vërteta nuk parashkruhet dhe se drejtësia nuk ndalet, edhe kur kriminelët fshihen apo strehohen në Serbi”, tha ai.
Kurse ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha se kjo ditë mbetet një nga masakrat më të rëndat dhe më të dhimbshmet në historinë kombëtare.
“Me peshë të madhe në zemër e përkujtojmë këtë ngjarje tragjike, ku forcat serbe morën jetën e 45 qytetarëve tanë të pafajshëm, mes të cilëve burra, gra, pleq dhe fëmijë, duke lënë plagë të pashërueshme në secilin prej nesh”, tha Basha.
Ai theksoi se masakra e Reçakut ishte pasqyra më e qartë e terrorit sistematik ndaj popullit shqiptar dhe nxori në pah fytyrën e shëmtuar të ideologjisë fashiste të Serbisë së Sllobodan Millosheviçit, që synonte shuarjen e popullit shqiptar me çdo kusht.
“Reçaku shënoi pikën e kthesës dhe fillimin e fundit të shovinizmit të egër serb. Tronditi ndërgjegjen ndërkombëtare dhe e bëri të pashmangshëm intervenimin për të shpëtuar një popull ndaj të cilit po kryheshin krime shfarosjeje”, shtoi kryetari i Kuvendit.
Basha gjithashtu falënderoi ambasadorin William Walker, të cilin e quajti “mik i Reçakut, mik i kombit shqiptar dhe mbrojtës i pakompromis i së vërtetës”, për rolin e tij në nxjerrjen e këtij krimi në vëmendjen e botës.
